E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, eksportuesit: 10 mijë punonjës kanë humbur punën

 

fabiola Çela

Fasonistët janë në krizë. Eksportet e mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja kanë rënë ndjeshëm dhe kjo si pasojë e krizës globale. Për rrjedhojë, shumë punonjës të punësuar pranë këtyre bizneseve kanë humbur vendet e tyre të punës. Në një situatë të tillë eksportuesit kanë kërkuar ndihmën e qeverisë, në mënyrë që ata ta kapërcejnë këtë krizë, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë lehtësuese nga ana e qeverisë.
Kriza
Edhe pse një ekonomi e vogël, Shqipëria nuk ka mundur t’i bëjë ballë furtunës së shkaktuar nga kriza globale financiare. Eksportet e mallrave shqiptare kanë rënë ndjeshëm. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend, gjatë muajit të parë të vitit janë eksportuar 6,642 milionë lekë mallra, me ulje 11.6 për qind në krahasim me muajin janar 2008 dhe ulje me 4.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2008. Të dhënat tregojnë se kriza ekonomike globale është shtrirë gjerësisht në sektorin e eksporteve. Kompanitë eksportuese kanë shkurtuar numrin e punëtorëve, madje disa të tjera rrezikojnë falimentimin. Sipas drejtuesve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve gjatë muajve të fundit vetëm në sektorin e konfeksioneve kanë humbur vendin e punës mbi 10 mijë vetë. Edmond Rusmali, kryetar i Dhomës së veshjeve tregon se kriza ekonomike globale ka prekur fillimisht dhe më tepër eksportet, të cilët për tre muajt e fundit kanë pasur një rënie të ndjeshme, duke shtuar se sektori i fasonëve është në krizë dhe për këtë arsye duhen të merren masa të menjëhershme nga ana e qeverisë. Disa nga masat që duhen marrë janë pagesa e sigurimeve të punëtorëve, si dhe një problem i trashëguar nga reforma fiskale, e cila i detyron këto ndërmarrje të paguajnë taksën e sheshtë. Në një takim të bërë me përfaqësues të qeverisë para disa kohësh fasonët bënë kërkesat e tyre, të cilat u pranuan, por që deri tani nuk është bërë asgjë nga ajo çka është premtuar. Industria e prodhimit me material porositës zë rreth 54% të eksporteve për vendin tonë. Përveç eksporteve kriza ndërkombëtare financiare ka ndikuar edhe në uljen e të ardhurave të emigrantëve. Rënia e eksporteve dhe e remitancave ishte paralajmëruar kohë më parë nga ekspertët e ekonomisë.
Punësimi
Papunësia rrezikon të rritet në Shqipëri dhe kjo si rrjedhojë e krizës globale, që ka dhënë efektet e saj negative edhe në ekonominë shqiptare. Këtë herë alarmi është dhënë nga vetë Banka e Shqipërisë. “Sektori i sipërmarrjeve të biznesit dhe individët, do të përjetojnë rritje të vështirësive për financim. Ky faktor do të nxisë një proces ristrukturimi, i cili në afat të shkurtër do të rezultojë i mundimshëm dhe do të rrisë pasigurinë për ruajtjen e vendeve të punës”, thuhet në raportin e fundit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›