E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani rrëzon pretendimin e PS-së

 

Ministria e Brendshme i ofron opozitës që të monitorojë nga afër procesin e aplikimit me kartat e identitetit. Pas kërkesës për mungesën e informacionit për pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, e ftoi opozitën të ngrejë grupe pune për monitorimin e procesit. Ai hodhi poshtë deklaratat e PS-së se nuk ka njerëz të përfshirë në listat e zgjedhësve, të cilët janë pa pasaporta. “Ministria e Brendshme dëshiron gjithashtu të shprehë qëndrimin e saj lidhur me pretendimin e paraqitur në mënyrë të përsëritur nga opozita për një numër qytetarësh që nuk zotërojnë pasaportë për udhëtim jashtë shtetit, emrat e të cilëve nuk gjenden në listat e personave pa pasaportë të dërguara pranë njësive vendore. Nga verifikimet e kryera deri më tani nga MB-ja, rezulton se ky pretendim i opozitës nuk qëndron”, tha Konja. Pavarësisht nga kjo, Ministria e Brendshme, sipas Konjës, “është e gatshme të kryejë verifikime të përbashkëta me përfaqësues të opozitës për të gjithë ata qytetarë që opozita pretendon se nuk kanë pasaportë dhe nuk figurojnë në listat e publikuara të personave pa pasaportë për udhëtim jashtë shtetit”. Ministria e Brendshme ndërkohë ka ftuar të gjithë qytetarët që të tërheqin kartat e reja të identitetit. “U bëjmë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik deri në datën 20 mars në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Lezhë, të tërheqin letërnjoftimet e tyre. Tërheqja në kohë e letërnjoftimeve nga qytetarët lehtëson mbarëvajtjen e procesit”, theksoi Konja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›