E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, 27 faqet kundër Bashës

Prokuroria e Përgjithshme
ka gjetur shkelje në projektvendimin
e Lulzim
Bashës dhe Andi Tomës
dërguar qeverisë që i hapi rrugën
ligjore ndërtimit të rrugës Durrës-
Kukës. Sipas prokurorit Arben
Kraja të gjitha pretendimet e
Bashës dërguar qeverisë "Berisha"
janë gënjeshtra. Më poshtë
po publikojmë të dhënat e dosjes
hetimore të akuzës qendrore që
evidentojnë një fakt të tillë. Në
fakt, mashtrimin e qeverisë "Berisha"
e publikoi pak ditë më parë
gjatë një interviste në gazetën
"Shqip" Arben Meçe, ish-drejtori
i Përgjithshëm i Ministrisë së
Transporteve. Meçe ka ndihmuar
organin e akuzës për sigurimin e
dokumenteve të abuzimit miliona
eurosh.
Mashtrimi
Këshillit të Ministrave u janë
paraqitur rrethana të rreme në
lidhje me nevojën e përzgjedhjes
së një konsulenti ndërkombëtar.
Kjo për faktin se Këshilli i Ministrave
me propozim të ministrit Lulzim
Basha kishte miratuar katër
muaj më parë, VKM Nr.158 datë
15.03.2006. Ky vendim lejonte
Drejtorinë e Përgjithshme të
Rrugëve të përdorë procedurat e
prokurimit të Bankës Botërore për
të përzgjedhur subjektin që do
bëjë projektimin e rrugës Rrëshen-
Kalimash, si dhe do hartojë dokumentacionin
për organizmin e tenderit
të përzgjedhjes së subjektit
që do të ndërtojë këtë segment
rrugor. Pra kishte filluar procedura
e përzgjedhjes së shoqërisë që do
të bënte projektin dhe termat
teknikë të prokurimit për
përzgjedhjen e shoqërisë ndërtuese.
Ky fakt me dashje nuk është
paraqitur në relacionin që shoqëron
projektvendimin për të justifikuar
prokurimin e drejtpërdrejtë
me shoqërinë "Ecorys
Group". Në relacionin që shoqëron
projektvendimin, për të argumentuar
nevojën e miratimit të një
prokurimi të drejtpërdrejtë me
shoqërinë konsulente "Ecorys
Group", thuhet gjithashtu: "Duke
pasur parasysh rëndësinë e
veçantë të aksit Durrës-Kukës-
Morin, ndërtimi i të cilit në një afat
sa më të shpejtë përbën një objektiv
prioritar për qeverinë, si dhe
kushtëzuar nga vështirësitë specifike
të ndërtimit të kësaj rruge në
kushte tejet të vështira territoriale,
bëhet i domosdoshëm angazhimi
sa më i shpejtë i një kontraktori
potencial ndërkombëtar për
fillimin e punimeve të ndërtimit në
kohë të këtij segmenti të autostradës
Durrës-Kukës-Morin.
Në këtë kontekst është nevojshme
dhe dobishme që procedura e
përzgjedhjes së konsulentit të realizohet
në formë prokurimi të
drejtpërdrejtë, procedurë që i
përgjigjet në mënyrën më efikase
rastit specifik në fjalë". Duke vlerësuar
sa thuhet në relacion përsëri
Këshillit të Ministrave i paraqitet
një situatë jo e vërtetë për të justifikuar
lidhjen e kontratës së drejtpërdrejtë
me shoqërinë "Ecorys
Group". Kjo për faktin se nga hetimi
është provuar se megjithëse
kontrata me shoqërinë "Bechtel-
Enka" është lidhur me datën 6
tetor 2006, realisht dorëzimi i
shesheve të ndërtimit nga Drejtoria
e Përgjithshme e Rrugëve është
bërë në fillim të muajit prill 2007.
Pra pas gjashtë muajve pas lidhjes
së kontratës, shoqëria "Bechtel"
ka arritur të marrë në dorëzim
sheshet e ndërtimit për të filluar
punën. Kjo tregon se urgjenca për
të përzgjedhur me prokurim të
drejtpërdrejtë shoqërinë "Ecorys
Group" dhe më pas shoqërinë
ndërtuese të rrugës, nuk ka qenë e
justifikuar. Rezulton se argumentet
e paraqitura nga ministri Lulzim
Basha dhe drejtori i Shërbimeve Juridike
në ministri Andi Toma për
nevojën e një konsulenti të huaj
dhe realizimin e një prokurimi të
drejtpërdrejtë me të, në relacionin
e paraqitur Këshillit të Ministrave
kanë qenë të rreme. Rrethanat e
rreme të paraqitura në relacion për
të justifikuar përzgjedhjen e një
konsulenti ndërkombëtar, me
prokurim të drejtpërdrejtë përbëjnë
veprime të kundërligjshme,
sepse janë në kundërshtim me
Ligjin Nr.7971 datë 26.07.1995
"Për prokurimin publik". Nga
hetimi është provuar se nuk ka
asnjë dokument që të provojë se
kush zyrtar shqiptar ka komunikuar
me pesë shoqëritë e përmendura,
çfarë bisedimesh janë bërë,
përse ishte "Ecorys Group" më e
mira prej tyre, përse shoqëritë e
tjera nuk kanë pasur mundësi të
realizonin detyrën etj. Pra duket
qartë se shoqëria "Ecorys Group"
është favorizuar në krahasim me
shoqëritë e tjera.
Shpërdorimi i detyrës
Vepra penale e shpërdorimit të
detyrës në bashkëpunim është
kryer nga të pandehurit Lulzim
Basha dhe Andi Toma, gjatë procedurave
të ndjekura për negocimin
e kontratës me shoqërinë
"Bechtel-Enka", në rrethanat e
përshkruara më poshtë: Të pandehurit
Lulzim Basha dhe Andi Toma
gjatë procedurave të ndjekura për
negocimin e kushteve të kontratës
të lidhur me shoqërinë "Bechtel-
Enka" kanë vepruar në kundërshtim
me vendimet e Këshillit të Ministrave.
Janë në kundërshtim me
termat e referencës për punën që
do bënte konsulenti, të miratuara
me këtë vendim, detyra 4- negocimi
i kontratës. Nga hetimi është
provuar se në tremujorin e parë të
vitit 2006 ministrit të Punëve Publike,
Transportit dhe Telekomunikacionit,
Lulzim Basha, i është
paraqitur në rrugë informale një
propozim i pakërkuar nga kompania
"Bechtel-Enka" për mënyrën e
ndërtimit me ritme të përshpejtuara
të segmentit rrugor Rrëshen-
Kalimash nëpërmjet aplikimit të
një kontrate projekto e ndërto, në
bazë të çmimeve për njësi të fiksuara.
Janë zhvilluar disa takime
bilaterale ndërmjet përfaqësuesve
të shoqërisë "Bechtel-
Enka" dhe ministrit Lulzim Basha
për të diskutuar këtë propozim të
pakërkuar. Në vazhdim, bazuar
në propozimin e ministrit të
Punëve Publike, Transportit dhe
Telekomunikacionit, Lulzim
Basha, Këshilli i Ministrave ka
miratuar VKM Nr.481 datë
14.06.2006 "Për lejimin e Drejtorisë
së Përgjithshme të Rrugëve
të përdorë procedurën e
prokurimit të hapur ndërkombëtar
për ndërtimin me ritme të
përshpejtuara të segmentit
Rrëshen-Kalimash të autostradës
Durrës-Kukës-Morin". Nga hetimet
e kryera provohet se negociatat
faktikisht janë zhvilluar
ndërmjet konsulentit "Ecorys"
dhe shoqërisë "Bechtel-Enka"
dhe se çmimet për njësi nuk janë
negociuar fare, por janë pranuar
ato çmime që ka paraqitur "Bechtel-
Enka".
Konkluzionet e
ekspertëve
Në konkluzionet e paraqitura
nga ekspertët e caktuar nga
prokuroria, janë krahasuar çmimet
për 25 zëra punimesh të aplikuara
në kontratën e lidhur me
shoqërinë Bechtel-Enka, me çmimet
e të njëjtave zëra punimesh
të aplikuara në kontratat e lidhura
nga Drejtoria e Përgjithshme e
Rrugëve me shoqëritë që po ndërtojnë
segmentet rrugore nga Kalimashi
në Morin. Nga krahasimi
rezulton se çmimet për njësi të
zërave të aplikuar në kontratën e
lidhur me shoqërinë "Bechtel-
Enka" janë shumë më të larta.
Nga shumëzimi i diferencës së
çmimeve për njësi me volumet e
punës të parashikuara sipas projektit
përfundimtar për rrugën
Rrëshen-Kalimash rezulton se
shoqëria "Bechtel-Enka" është
favorizuar me një shumë prej 114
851 604 euro krahasuar me shoqëritë
që po ndërtojnë segmentet
e rrugës në vazhdim, pra nga
Kalimashi deri në Morin. Duke e
vlerësuar me kursin e këmbimit
mesatar të Bankës së Shqipërisë
për muajin shtator 2006, kur është
lidhur kontrata me shoqërinë
"Bechtel-Enka", (1 euro=123.17
lekë) rezulton se dëmi financiar
për buxhetin e shtetit shqiptar
është 14 146 272 064 lekë.
Në relacionin shoqërues, të
përgatitur nga shtetasi Andi
Toma dhe të firmosur nga ministri
Lulzim Basha paraqiten rrethana
të rreme në lidhje me faktin se
ndërmjet kujt janë zhvilluar negociatat,
si dhe në lidhje me negocimin
e çmimeve për njësi. Në
lidhje me faktin se ndërmjet kujt
janë zhvilluar negociatat në relacion
thuhet se: "Në këto negociata
të zhvilluara në Londër dhe Tiranë,
të drejtuara nga konsulenti
"Ecorys", me pjesëmarrjen e përfaqësuesve
të MPPTT-së dhe
DPRR-së u morën parasysh eksperiencat
e mëparshme të kontratave
të ngjashme të zbatuara
në vendet e rajonit, si në Rumani
e Kroaci, si dhe raportet e vlerësimit
të ekspertëve të pavarur
mbi nivelin e besueshmërisë dhe
saktësisë së çmimeve". Pra paraqitet
situata sikur negociatat janë
zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve
të ministrisë dhe Drejtorisë
së Përgjithshme të
Rrugëve, nën drejtimin e konsu-
Zhvillimet
LULZIM BASHA
I biri i Xhelalit dhe i Remzies, i datëlindjes
12.06.1974, lindur në Tiranë dhe banues në
adresën rruga "Demir Gashi", Nr.1, Tiranë, me
arsim të lartë Juridik, me shtetësi dhe kombësi
shqiptare, me gjendje civile i martuar, me
gjendje gjyqësore i padënuar, në gjendje të lirë,
i mbrojtur nga avokat Zef Nikaj.
ANDI TOMA
I biri i Luigjit dhe i Luizës, i datëlindjes
16.12.1969, lindur në Tiranë dhe banues në rrugën
"Muhamet Gjollesha", Kulla Nr.1, Tiranë, me arsim
të lartë Matematikë dhe Juridik, me shtetësi dhe
kombësi shqiptare, me gjendje civile i martuar,
me gjendje gjyqësore i padënuar, në gjendje të
lirë, i mbrojtur nga avokat Genci Gjokutaj.
AKUZA
Të akuzuar për kryerjen e veprave penale të
shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim,
parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit
Penal dhe shkelja e barazisë së
pjesëmarrësve në tendera apo ankande
publike në bashkëpunim, parashikuar nga
nenet 258 e 25 të Kodit Penal.
lentit. Në fakt, nga hetimi është
provuar e kundërta, që negociatat
janë zhvilluar ndërmjet konsulentit
"Ecorys Group" dhe shoqërisë
"Bechtel-Enka", ndërsa dy
përfaqësues të palës shqiptare
vetëm kanë asistuar konsulentin
"Ecorys Group" gjatë periudhës
së negocimit. Në këto kushte rezulton
se shtetasit Lulzim Basha
dhe Andi Toma gjatë procedurave
të ndjekura për negocimin e kushteve
të kontratës të lidhur me
shoqërinë "Bechtel-Enka" për
ndërtimin e segmentit rrugor
Rrëshen-Kalimash kanë konsumuar
në bashkëpunim veprën
penale "shpërdorim të detyrës",
duke favorizuar në mënyrë të
kundërligjshme shoqërinë
"Bechtel-Enka" për shumën 114
851 604 euro, ose 14 146 272 064
lekë, si dhe duke i shkaktuar dëm
financiar buxhetit të shtetit për
të njëjtën shumë. Shkeljet ligjore
të përshkruara më sipër janë
konstatuar edhe nga Kontrolli i
Lartë i Shtetit pas kontrollit të
ushtruar nga ana e tij në lidhje me
procedurat e ndjekura për
përzgjedhjen e subjektit që po
ndërton segmentin rrugor Rrëshen-
Kalimash. Raporti përfundimtar
i Kontrollit të Lartë të Shtetit
në lidhje me këtë objekt është
administruar si provë nga
prokuroria. Gjatë hetimit, të pandehurit
Lulzim Basha dhe Andi
Toma kanë pretenduar se ata nuk
kanë shkelur asnjë ligj apo vendim
qeverie. Sipas tyre, ata vetëm
kanë përgatitur projekt-aktet që
janë dërguar për miratim në
Këshillin e Ministrave dhe kanë
vepruar bazuar në Vendimet e
Këshillit të Ministrave. Të pandehurit
pretendojnë se projekt-aktet
e përgatitura nuk mund të
sjellin pasoja për buxhetin e shtetit.
Një pretendim i tillë, siç u
analizua më sipër në mënyrë të
detajuar, hidhet poshtë nga provat
e administruara gjatë fazës së
hetimeve paraprake.

Gogla për emrat që do gjykojnë "Durrës-Kukës"

Goglat do të përcaktojnë
gjyqtarët që do të
gjykojnë ish-ministrin e
Transporteve, Lulzim
Basha dhe Andi Toma, ish-drejtori
juridik, po në këtë ministri. Gjykata e
Lartë vendosi dje që të kryejë një procedurë
"popullore" për përzgjedhjen
e personave që do të vendosin fatin
e deputetit pa imunitet. "Gjykata e
Lartë u mblodh për të përcaktuar
edhe mënyrën e hedhjes së shortit.
U propozuan dy mënyra: procedura
aktuale që kryhet me anën e shortit
elektronik dhe ajo me gogla, që kryhej
para vitit 2005. Në bazë të votimit,
u vendos që shorti për përcaktimin
e gjyqtarëve që do shqyrtojnë
dosjen "Durrës-Kukës" të realizohet
me anën e goglave. Një person, jashtë
Gjykatës së Tiranës do të
tërheqë në një kuti, ku do të jenë të
vendosur të gjithë emrat e
gjyqtarëve, pesë goglat me emrat
përkatës. Këta gjyqtarë do të vendosen
më pas për të gjykuar ishministrin
e Transporteve", thanë
dje burimet. Ngurrimi i Gjykatës së
Lartë për të përcaktuar gjyqtarët e
Durrës-Kukës me short elektronik
ishte si pasojë e sulmeve të politikës
ndaj Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi
disa javë më parë që një
kërkesë të të pandehurit Lulzim
Basha ta gjykojë Fatmira Hajdari, e
veja e të ndjerit Azem Hajdari. Nisur
nga ky precedent, hedhja e shortit do
të kryhet në mënyrën më popullore,
e cila mund të përjashtojë shumë sulme
të politikës ndaj institucionit
kushtetues të gjykatës, për abuzim.

Zbulohen letërkëmbimet e ministrit për "Durrës-Kukës"

Në ish-zyrën e Lulzim Bashës, në
Ministrinë e Transporteve, prokuroria
ka gjetur letërkëmbime
që hedhin dritë mbi fillimin
e procedurave të jashtëligjshme, që iniciuan
ngritjen e një baze ligjore për ndërtimin e
rrugës Durrës-Kukës. Prokuroria e Përgjithshme
ka publikuar dje të plotë kërkesën për
gjykim të aferave në këtë aks rrugor, që i kushtoi
shtetit shqiptar 1 miliard e 27 milionë euro,
rreth 73 për qind më shumë se sa vlera fillestare.
Sipas prokurorit Arben Kraja, të pandehur
zyrtarisht janë Lulzim Basha dhe Andi
Toma, të cilët akuzohen për "shpërdorim detyre"
dhe "shkelje e barazisë në tenderë". Akuzat
në fjalë kanë një maksimum dënimesh prej
10 vitesh burg, nëse vërtetohen nga Gjykata e
Lartë. Ndërkohë, prokuroria thotë se ka zbuluar
mjaft prova që fajësojnë ministrin
Basha, i cili i ka shpërfillur të gjitha ligjet e
shtetit shqiptar për ndërtimin e një vepre kaq
madhore për interesat e Shqipërisë. Prokuroria
thotë gjithashtu se ka zbuluar në ish-zyrën
e Bashës e-maile dhe fakse që flasin për favorizime
të subjekteve të caktuara për
ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Në fillim
të kërkesës për gjykim, prokurori Arben Kraja
përmend edhe fillesat e këtij procedimi
penal, që më parë ishte në Prokurorinë e Tiranës
dhe përfundoi në akuzën qendrore,
për shkak se i implikuar ishte edhe një deputet.
Më poshtë gazeta boton në mënyrë të
përmbledhur pjesë nga kërkesa për gjykim
prej 27 faqesh e zyrës së Prokurorit të
Përgjithshëm dërguar Gjykatës së Lartë.
Objekt hetimi
Në fund të vitit 2003, Këshilli Kombëtar i
Rrugëve ka miratuar një vendim për përcaktimin
e variantit optimal të aksit rrugor Durrës-
Kukës-Morin. Nga alternativat e paraqitura
është miratuar alternativa Nr. 3, me kalimin
Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-
Kukës-Morin, me gjatësi 117 km dhe me
gjerësi 4 korsi. Kanë filluar procedurat për
përcaktimin e subjekteve që do ndërtojnë
këtë aks rrugor. Ndërtimi i segmentit Rrëshen-
Kalimash me gjatësi 60.1 km (4 vija kalimi)
është financuar nga buxheti i shtetit. Po
ashtu edhe ndërtimi i segmentit Rexhepaj-
Kukës-Morin, me gjatësi 23 km (4 vija kalimi)
është financuar nga buxheti i shtetit. Objekt
hetimi i procedimit penal ka qenë procedura
e ndjekur për përzgjedhjen e subjektit që po
ndërton segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash,
pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morin.
Për ndërtimin e këtij segmenti rrugor është
zgjedhur si konsulent i Ministrisë së Punëve
Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
dhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve
shoqëria "Ecorys Group". Një komision
ndërkombëtar ka përzgjedhur me datën 4
gusht 2006 si subjekt ndërtues të këtij segmenti
rrugor shoqërinë ""Bechtel-Enka"".
Me shoqërinë "Bechtel-Enka" është lidhur
kontrata për ndërtimin e segmentit rrugor
Rrëshen-Kalimash. Kontrata është miratuar
nga Këshilli i Ministrave dhe ka hyrë në
fuqi me datën 6 tetor 2006. Bazuar në këtë
kontratë, kosto e synuar për ndërtimin e
këtij segmenti rrugor është 418 333 985 euro.
Në këtë vlerë nuk është përfshirë TVSH-ja.
Kosto e synuar është përcaktuar si rezultat
i shumëzimit të çmimeve për njësi me volumet
e përafërta të punimeve. Kjo metodë
është përdorur, sepse nuk kishte një projekt
të përfunduar të rrugës që do të ndërtohej
dhe punimet e ndërtimit të rrugës do të
bëheshin njëkohësisht me projektimin e
saj. Projektet janë përfunduar në fillim të
vitit 2008, kjo sepse është punuar me metodën
ndërto dhe projekto njëkohësisht. Në
muajin shtator 2007 ka përfunduar procedura
e tenderit ndërkombëtar për
përzgjedhjen e shoqërisë supervizore, duke
përcaktuar si të tillë shoqërinë kroate IGH.
Kontrata me shoqërinë "Bechtel-Enka" është
miratuar më 6 tetor 2006.
Kredia për rrugën
Deri në momentin e dorëzimit të
shesheve të ndërtimit, 10 prill 2007, janë
paguar paradhënie shoqërisë "Bechtel-
Enka" në shumën 95 986 799 euro, si dhe janë
paguar punime të kryera bazuar në situacione
në shumën 20 427 257 euro. Deri më 10
shtator 2008 i janë paguar shoqërisë "Bechtel-
Enka" për punime të kryera 416 548 117
euro (bashkë me TVSH). Bazuar në të dhënat
e projektit përfundimtar, vlera e përgjithshme
që do të paguhet në favor të shoqërisë
"Bechtel-Enka" për përfundimin e punimeve
është 867 695 022 euro (bashkë me
TVSH). Pagesat e kryera deri tani janë përballuar
nga buxheti i shtetit, si dhe nga një
kredi tregtare që ka marrë qeveria shqiptare
për shumën 230 milionë euro për financimin
e projektit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Marrëveshja
e kredisë është miratuar nga Kuvendi
Shqipërisë në prill 2008. Interesat që do
të paguhen për këtë kredi janë 139 916 400
euro, plus tarifa dhe shpenzime të tjera në
shumën 3 270 000 euro.
Rruga mbi 1 miliard
Bazuar në konkluzionet e aktit të ekspertimit
rezulton se vlera e përgjithshme që do
t‘i kushtojë shtetit shqiptar ndërtimi i rrugës
Rrëshen-Kalimash 60.1 km e gjatë, me katër
vija kalimi (përfshirë tunelet) është 1 027 536
635 euro. Vlera e synuar e kontratës së lidhur
me shoqërinë "Bechtel-Enka" pas përfundimit
të projektit ka arritur nga 418 333 985
euro, në shumën 723 079 185 euro. Pra, shtesa
është 304 745 200 euro më shumë, ose
rreth 73% e vlerës së kontratës fillestare. Kjo
shtesë ka ardhur për disa arsye si më poshtë:
1. Nga ndryshimi i disa çmimeve për njësi në
rritje dhe shtimi i dy zërave të paparashikuara
në kontratë në shumën 1 762 641 euro. 2. Nga
ndryshimi i kategorisë së gërmimeve në tunel
dhe shtimi i disa punimeve të paparashikuara
në kontratë (galeri lidhëse të tuneleve)
në shumën 82 791 387 euro. 3. Nga llogaritja
e saktë e volumeve të punës pas përfundimit
të projektit në shumën 220 191 172 euro.
Ekspertët kanë llogaritur koston mesatare për
1 m2 rrugë dhe për 1 m2 ura, duke përjashtuar
koston e tunelit dhe TVSH-në, për rrugët
Rrëshen-Kalimash dhe Kalimash-Morin. Rezulton
se në segmentin Rrëshen-Kalimash
kosto mesatare për 1 m2 rrugë është 266.4
euro/m2, ndërsa kosto mesatare për 1 m2 ura
është 1293 euro/m2. Ndërsa në segmentin
Kalimash-Morin kosto mesatare për 1 m2
rrugë është 140 euro/m2 dhe për 1 m2 ura
është 720 euro. Duke shumëzuar diferencën
e kostos për m2 rrugë dhe m2 ura me sipërfaqen
e përgjithshme të rrugës dhe urave sipas
projektit të miratuar për segmentin rrugor
Rrëshen-Kalimash, ekspertët kanë llogaritur
një diferencë për rrugën 177 075 500 euro dhe
për urat 54 934 083 euro. Në total kemi një
diferencë 232 009 583 euro, që kosto e rrugës
dhe urave në segmentin Rrëshen-Kalimash
kanë kushtuar më shumë se kosto e rrugës
Kalimash-Morin. Ekspertët kanë arritur të
krahasojnë 25 zëra punimesh të njëjta, të
parashikuara në kontratën e lidhur me shoqërinë
"Bechtel-Enka" dhe në kontratat e
lidhura me shoqëritë që po ndërtojnë segmentet
rrugore nga Kalimashi në Morin. Rezulton
se çmimet për njësi të aplikuara në
kontratën e lidhur me shoqërinë "Bechtel-
Enka" janë shumë më të larta se ato të aplikuara
me shoqëritë e tjera. Ekspertët, duke
shumëzuar diferencën e çmimeve për njësi
me volumet e punës sipas projektit përfundimtar
të rrugës Rrëshen-Kalimash, kanë
llogaritur një shumë prej 114 851 604 eurosh.
Kjo shumë përbën favorizim dhe pagesë të
kundërligjshme në favor të shoqërisë "Bechtel-
Enka" dhe, nga ana tjetër, dëm financiar
për buxhetin e shtetit shqiptar.
Akuza penale
Vepra penale e shkeljes së barazisë së
pjesëmarrësve në tenderë, apo ankande
publike në bashkëpunim, është kryer nga të
pandehurit Lulzim Basha dhe Andi Toma
gjatë procedurave të ndjekura për
përzgjedhjen e shoqërisë konsulente "Ecorys
Group", në rrethanat e përshkruara më poshtë:
Përzgjedhja e shoqërisë "Ecorys Group"
është bërë drejtpërdrejt nga ministri Lulzim
Basha dhe të gjitha aktet për t‘i dhënë formë
ligjore kësaj përzgjedhje janë hartuar nga
drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Juridike,
Andi Toma. Përzgjedhja e konsulentit "Ecorys
Group" nga shtetasit Lulzim Basha dhe
Andi Toma është bërë në kundërshtim me
ligjin "Për prokurimin publik". Procedurat e
prokurimit janë hapur në datën 24 mars 2006
për tri prokurime të veçanta, bazuar në tri lotet
që ishte ndarë ky segment rrugor. Me datën 4
gusht 2006 të gjithë subjekteve pjesëmarrës
në këto tre tenderë i janë dërguar modifikime
në termat e referencës, të cilat kishin të bënin
me faktin që subjektet në vazhdim nuk do të
përgatisnin dokumentet e tenderit për
ndërtimin e rrugës, sepse kontraktori i punimeve
ishte duke u përzgjedhur në një
mënyrë tjetër. Procedura ka vazhduar me
përcaktimin e subjekteve që do të realizonin
projektin e rrugës Rrëshen-Kalimash.
E-maili në zyrën e Bashës
Me datën 27 qershor 2006, Martin Humphreys,
specialist në departamentin e infrastrukturës
për Evropën dhe Azinë Qendrore në
Bankën Botërore, i dërgon një e-mail ministrit
Lulzim Basha. Në e-mail thuhet se "bazuar në
vizitën time në Tiranë dhe bisedën tonë rreth
seksionit qendror të rrugës Milot-Morinë, unë
kam biseduar me disa kolegë dhe po të dërgoj
emrat e referencat e disa subjekteve". Më poshtë
renditen të dhënat e kontaktit për 5 shoqëri
të ndryshme, njëra nga të cilat është "Ecorys
Nederland BV". Me datën 6 korrik 2006, ministri
i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit,
Lulzim Basha, dërgon për mendim
në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e
Financave dhe Agjencinë e Prokurimit Publik
një projektvendim të Këshillit të Ministrave,
termat e referencës dhe relacionin shoqërues,
me objekt "Për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme
të Rrugëve të përdorë procedurën
prokurim i drejtpërdrejtë, me konsorciumin
ndërkombëtar ‘Ecorys Group‘, për shërbim
konsulence në përgatitjen e termave të
prokurimit/konkurrimit ndërkombëtar, vlerësimin,
përzgjedhjen dhe negocimin e kontratës
për të ndërtuar seksionin qendror të autostradës
Durrës-Kukës-Morin". Vlera që do t‘i
paguhej konsulentit për shërbimin që do të
kryente ishte parashikuar në projektvendim
180 mijë USD. Agjencia e Prokurimit Publik,
me datën 7 korrik 2006 i kthen përgjigje se "në
materialin tuaj mungon relacioni i hollësishëm
i përllogaritjes së fondit limit, arsyet e
përzgjedhjes së këtij konsorciumi dhe dokumentacioni
ligjor i tij. Pas plotësimit të materialit
do të paraqesim mendimin tonë". Me
datën 7 korrik 2006, ministri i Punëve Publike,
Transportit dhe Telekomunikacionit,
Lulzim Basha, dërgon në Këshillin e Ministrave
për miratim projektvendimin e mësipërm,
pa pritur përgjigjet zyrtare nga Agjencia
e Prokurimit Publik dhe Ministria e Financave.
Me datën 10 korrik 2006, Këshilli Ministrave
miraton vendimin qarkullues Nr. 460,
me anë të të cilit lejon Drejtorinë e Përgjithshme
të Rrugëve të përdorë procedurën
"prokurim i drejtpërdrejt" me shoqërinë "Ecorys
Group" me vlerë 180 mijë USD.
Faksi për Bashën
Me datën 10 korrik 2006, ministrit Lulzim
Basha i vjen një faks nga Patricia de Jonge,
punonjëse finance në "Ecorys". Në të, ndër
të tjera, thuhet: "I dashur ministër Lulzim
Basha, bashkëlidhur po ju dërgoj propozimin
tonë financiar, shërbime konsulence për
përzgjedhjen e kontraktorit për punimet
ndërtimore në rrugën Rrëshen-Kalimash".
Në faqen e dytë të faksit, ndër të tjera thuhet:
"I dashur zoti Basha, në vijim të kërkesës tuaj,
siç diskutuam në telefon, po ju paraqes propozimin
tonë financiar për shërbime konsulence
lidhur me përzgjedhjen e kontraktorit
për punimet ndërtimore në rrugën Rrëshen-
Kalimash". Në fund jepet edhe shuma 180
mijë USD, si shumë totale për realizimin e
detyrës. Oferta është firmosur nga Marcel van
den Broek, me detyrë drejtor i Financës së
"Ecorys". Me datën 11.07.2006 Gertjan Veshaj,
drejtori i kabinetit të ministrit Lulzim Basha,
dërgon me porosi të ministrit në Agjencinë e
Prokurimit Publik ofertën financiare të paraqitur
nga "Ecorys" me faksin e datës 10 korrik
2006. Agjencia e Prokurimit Publik, me datën
12 korrik 2006 i kthen përgjigje: "Edhe njëherë
ju sqarojmë se në materialin tuaj mungojnë:
relacion i hollësishëm i përllogaritjes së fondit
limit, në të cilin duhet të trajtohen ofertat
e dhëna nga disa kompani prestigjioze të
fushës së prokurimit; arsyet e përzgjedhjes
së këtij konsorciumi nga kompanitë e tjera, të
cilat kanë dhënë ofertat e tyre; dokumentacioni
ligjor i këtij konsorciumi". Me datën 14
korrik 2006, ministri i Financave i kthen
përgjigje shkresës së datës 6 korrik 2006 të
ministrit Lulzim Basha. Relacioni që shoqëron
projektvendimin është përgatitur nga
Andi Toma e firmosur nga Lulzim Basha dhe
është dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave
së bashku me projektvendimin përkatës.
Në relacion për të argumentuar
nevojën e përzgjedhjes së konsulentit
ndërkombëtar "Ecorys Group", thuhet se:
"Kufizimet në kapacitete të njësive publike
përgjegjëse për sektorin e infrastrukturës
sjellin si domosdoshmëri angazhimin e një
kompanie konsulente, me ekspertë të pavarur
teknikë, financiarë dhe ligjorë për të
asistuar MPPTT/DPRR-në në të gjitha fazat
e këtij procesi specifik. Detyra e këtij grupi
konsulentësh përfshin dhënien e konsulencës
teknike, ligjore dhe financiare për
Ministrinë e Punëve Publike, Transportit
dhe Telekomunikacionit (MPPTT)/ Drejtorinë
e Përgjithshme të Rrugëve (DPRr) në
përgatitjen e termave të prokurimit/
konkurrimit ndërkombëtar, vlerësimin,
përzgjedhjen dhe negocimin e kontratës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›