Durrës-Kukës, Basha 1 orë në Prokurori
Trazhgim Sokolaj
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, u thirr në Prokurorinë e Përgjithshme nga grupi hetimor rrugës Durrës-Kukës, për rreth një orë mbrëmjen e të martës. Ish-kreu i Ministrisë së Transporteve është paraqitur rreth orës 18:10 në organin qendror të akuzës pa avokat, i shoqëruar nga drejtuesi i makinës me targa zyrtare në emër të Ministrisë së Jashtme. Për rreth një orë, ministri Basha qëndroi në zyrën e prokurorëve që po hetojnë abuzimet dhe dëmin ekonomik të shkaktuar shtetit gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme sipas të cilave ish-ministri i Transporteve, aktualisht pa imunitet parlamentar kundrejt akuzës "shpërdorim detyre", është thirrur në Prokurori në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. "Grupi hetimor i ngritur për abuzimet dhe dëmin ekonomik me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës i komunikoi zotit Basha raportin e hartuar nga dy ekspertët kontabël Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana", thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, ministri Basha qëndroi në zyrën e prokurorit Arben Kraja, që po drejton hetimet për rrugën Durrës-Kukës.
Raporti për dëmin
I njëjti prokuror ditët e fundit ka thirrur në prokurori edhe tre persona të tjerë, ish-zv/ministrin e Transporteve Armand Teliti, drejtoreshën e rrugëve Lejla Saraçi dhe ish-drejtorin juridik në Ministrinë e Transporteve Andi Toma. Këta të fundit janë thirrur në Prokurori në cilësinë e personave të pandehur dhe janë njohur me përmbajtjen e raportit të ekspertëve kontabël, që kanë theksuar se kostoja totale e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës është 1 miliard e 23 milionë euro. Ministrit Basha ashtu sikurse të pandehurve të dosjes u është thënë nga Prokuroria, se kanë një afat kohor në dispozicion të paraqesin mbrojtjen e tyre ligjore të argumentuar për provën më të fortë, që tashmë ndodhet në dosjen hetimore të kësaj çështje. Sipas burimeve nga organi i akuzës, ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka qenë krejt i qetë dhe korrekt në orarin e caktuar për t'u paraqitur në prokurori mbrëmjen e të martës, duke rezervuar edhe kohën e nevojshme që të shikonte sfidën e miqësore të futbollit Tirana-Milan. Pasi ka marrë në dorëzim një kopje të raportit të hartuar nga ekspertët kontabël, ministri Basha është larguar nga Prokuroria e Përgjithshme. Burimet zyrtare nga kjo e fundit thanë se vendimmarrja për dosjen e rrugës "Durrës-Kukës", do të jetë e shpejtë madje në varësi të kohës brenda të cilës të akuzuarit dhe ministri po hetohet, do të paraqesin argumentet e tyre në Prokurori.
Durrës-Kukës, hetimet drejt fundit
Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi dje se hetimet penale për rrugën Durrës-Kukës janë drejt fundit. Mësohet se raport-ekspertiza kontabël për vlerën financiare të veprës dhe dëmin ekonomik të shkaktuar shtetit ka qenë një nga veprimet e fundit, në kuadër të këtij procedimi penal. Sipas prokurorisë, së shpejti grupi i hetimit do të propozojë tek kryeprokurorja vendimin përfundimtar lidhur me këtë çështje.