E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Berisha, reflekto nga reagimi i SHBA

 

Ish-Ministri i Jashtëm, deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj i kërkon kryeministrit Sali Berisha të reflektojë mbi mesazhet e lëshuara ditët e fundit nga faktori ndërkombëtar për konfliktin ndërmjet Ekzekutivit dhe Prokurorisë së Përgjithshme. “Partia Demokratike nuk mund të ndjehet e qetë duke parë shqetësimin që ky duel ka ngjallur, si në opinionin publik  të vendit, ashtu edhe te miqtë e mëdhenj të Shqipërisë, që janë SHBA dhe Bashkimi Evropian. Unë kam besim se z.Berisha, si një politikan me përvojë të gjatë do t’i lexojë këto mesazhe të ardhura nga Uashingtoni dhe Brukseli me dashamirësinë që ato meritojnë. Kryerja e reformave kërkon qetësi dhe vetëm qetësi”, deklaroi Mustafaj për median. Kandidati për kreun e PD-së për kryeqytetin, e cilësoi të dëmshëm për partinë që përfaqëson konfliktin e nisur me Prokurorinë e Përgjithshme. “Konflikti i ditëve të fundit mes qeverisë dhe prokurorisë është një ngjarje e rëndë dhe që do analizuar me shumë kujdes, si nga klasa jonë politike, ashtu edhe nga trupa jonë juridike. Një gjë është e sigurt: nga një duel i tillë nuk ka të fituar. Ka vetëm të humbur. Dhe humbësi më i madh është shteti ynë, i cili edhe pa tensione të tilla, mbetet ende i brishtë në raport me standardet e demokracisë”. Sipas tij, PD, si forca politike transformuese e Shqipërisë, dhe themeluesja e shtetit ligjor postkomunist, “nuk mund t’i lejojë vetes të konsumojë energji dhe imazh në beteja absurde dhe, për më keq, kundraproduktive në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, të cilat kjo parti duhet t’i fitojë”. Ish-Ministri i Jashtëm i kërkoi gjithashtu presidentit Topi të ndërhyjë në konfliktin e nisur mes Qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. “E ndjej të arsyeshme t’i drejtohem Presidentit të Republikës me thirrjen që të ushtrojë kompetencat e tij si kryemagjistër i vendit, kryetar i KLD-së, për të siguruar uljen e këtij tensioni, që do të thotë, të mbështesë edhe pavarësinë e prokurorisë, në përputhje me kushtetutën, edhe të ushtrojë kontroll që prokuroria ta kryejë me paanësi detyrën e vet”, deklaroi Mustafaj.               b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›