E Diel, 1 Nëntor 2026

Erion Isufi hap gjyq: Të hiqen sekuestrot

 

Fatos Mahmutaj

Erion Isufi, ortaku i Damir Fazlliçit, i drejtohet gjykatës për heqjen e sekuestros ndaj dy prej kompanive të tij. Kërkesat e Isufit të depozituara pasditen e së martës, iu nënshtruan dje procedurave të shortit elektronik në gjykatë, pas të cilit iu dorëzuan gjyqtarëve Sokol Tona dhe Shefkie Demiraj, që pritet të caktojnë seancat e para në ditët në vazhdim. Në kërkesën e depozituar në gjykatë Isufi, i cili është kunati i ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha, pretendon se organi i akuzës i kryeqytetit ka bllokuar dy kompani, në të cilat ky është ortak, ndërsa biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç, nuk ka lidhje me to. Sipas kërkesë-padisë, organi i akuzës i kryeqytetit pas hetimit të nisur për çështjen “Fazlliç” ka bllokuar dokumentacionin e tetë kompanive, ku biznesmeni serbo-boshnjak është aksioner, ose ortak, ndërkohë mes tjerash ka bllokuar edhe dy kompani, me të cilat Fazlliç nuk ka asnjë lidhje. Në kërkesa thuhet gjithashtu, se gjatë gjykimit do të vihen në dispozicion të gjykatës edhe provat e nevojshme.
Bllokimi
Pas publikimit në Tiranë të lajmit të shoqërimit të Damir Fazlliç në policinë e Sarajevës, Prokuroria e Tiranës nisi çështjen penale në ngarkim të tij për akuzën e “pastrimit të produkteve të krimit”. Çështja penale u regjistrua në prokurori më datë 7 tetor ndërsa pak ditë më vonë u vendos bllokimi i dokumentacionit të shoqërive tregtare të Fazlliçit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve dhe pas saj iu kërkua 24 institucioneve shtetërore dhe private informacione mbi kompanitë në të cilat është përfshirë serbo-boshnjaku, qoftë edhe si anëtar i grupit mbikëqyrës. Paraprakisht, organi i akuzës mendon, se Fazlliçi e ka konsumuar veprën penale, duke kryer veprime fiktive mes kompanive. Sipas prokurorisë, dyshohet se Fazlliç ka kryer shitje të aksioneve të kompanive të tij mes njëra-tjetrës.
Informacioni
Prokuroria pohon se i është drejtuar Hipotekës, ku i kërkon të verifikojë nëse në emër të Fazlliçit, apo kompanive të tij janë regjistruar prona. Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave i është kërkuar nga organi i akuzës i kryeqytetit verifikimi i faktit, nëse kompanitë e Fazlliç kanë eksportuar apo importuar mallra të ndryshme. Ndërsa Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i është kërkuar informacion për të vërtetuar, nëse shoqëritë e biznesmenit serbo-boshnjak kanë kryer apo jo aktivitet të ligjshëm dhe të regjistruar në organet tatimore. Po kështu, Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve i është kërkuar verifikimi i shoqërive të tjera me të cilat ka lidhje biznesmeni Fazlliç, i cili ka edhe shtetësi britanike. Në fund të listës së institucioneve shtetërore qëndron edhe Agjencia e Prokurimeve Publike, ku është kërkuar të shihet, nëse Fazlliç ka marrë apo jo pjesë në tenderë dhe ankande publike të organizuara nga institucionet shtetërore apo private në vend. Po kështu, prokuroria ka kërkuar edhe identifikimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij personi, në të 19 bankat që funksionojnë në vend.

Isufi, hetohen transfertat me Fazlliçin

Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës është duke hetuar pozicionin e Erion Isufit në transaksionet bankare të bëra mes tij e Damir Fazlliçit dhe bizneseve të tyre të përbashkëta. Sipas burimeve nga organi i akuzës, prokurorët dyshojnë se Isufi është përdorur për të kryer veprime të ndryshme financiare përmes bankave në veprimet e bizneseve të Damir Fazlliçit, të cilat po hetohen nga Prokuroria shqiptare. Për këtë shkak, organi i akuzës ka parashikuar që brenda pak ditëve të thërrasë për të dëshmuar para grupit të hetimit vetë Erion Isufin. Atij do t’i kërkohen sqarime nëse ka pasur dhe ka biznese të përbashkëta me Damir Fazlliçin dhe rrethanat në të cilat ai ka bërë administratorin e kompanive në pronësi të 33-vjeçarit nga Bosnja.

Prokuroria kërkon  pyetjen e Fazlliç

TIRANE – Prokuroria shqiptare tha dje, se është në kërkim të mundësisë për të marrë në pyetje biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç, për hetimet e filluara ndaj tij. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se grupi i hetimit e konsideron të nevojshme marrjen e biznesmenit në pyetje, por mungesa e një adrese të tij në Shqipëri, ku mund të dërgohet fletë-thirrja është bërë pengesë. Nga ana tjetër, procedura për ta marrë atë në pyetje jashtë vendit ku edhe qëndron, parashikon një kohëzgjatje e cila duket se nuk është në ndihmë të hetimit. Prokuroria konfirmoi përpjekjet e saj për të marrë dëshminë e Damir Fazlliçit, por tha se avokati që ka marrë përsipër mbrojtjen e tij në Tiranë ende nuk është pajisur me prokurën përkatëse çka e bën të pamundur njoftimin e të hetuarit përmes mbrojtësit të tij ligjor. Nga ana tjetër, pyetja jashtë shtetit e Damir Fazlliçit sipas procedurave, kërkon që Prokuroria shqiptare t’i kërkojë Prokurorisë së Bosnjës kryerjen e këtij veprimi për llogari të palës shqiptare, por kjo procedurë zgjat disa muaj.                t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›