Hetimi i Ina Ramës, PD mbledh firmat, PS: Bojkot
BLEDAR HOTI
Demokratët janë të vendosur për ngritjen e komisionit hetimor për konfliktin me prokurorinë, ndërsa socialistët shprehen se nuk do të marrin pjesë në këtë nismë të maxhorancës. Nisma e PD-së, pritet të kontestohet fuqishëm nga opozita, pasi socialistët duket se do ta refuzojnë pjesëmarrjen e komisionit të ri anti prokurori.
Demokratët
Komisioni hetimor parlamentar i PD-së do ketë objekt hetimi përplasjen institucionale mes prokurorisë dhe ekzekutivit. Kështu ka deklaruar kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, në një prononcim të dhënë për TV Klan. “Unë nuk e lexoj në këtë mënyrë deklaratën e ambasadorëve, unë besoj se ne i kemi dhënë përgjigje edhe këtij shqetësimi me iniciativën tjetër të maxhorancës për ngritjen e një komisioni parlamentar, i cili do të hetojë përplasjen institucionale, e cila është e pakëndshme për këdo në Shqipëri, edhe për ne si maxhorancë”, deklaroi Patozi. Kreu i grupit të maxhorancës bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të mblidhen 28 firmat për të ngritur komisionin hetimor parlamentar. Kryetari i grupit të PD-së thekson se do të ngrihet një komision parlamentar, ku do të përfshihen të gjitha grupet politike të vendit, i cili mund të arrijë në përfundime të kënaqshme, që do të nxjerrin përgjegjësinë, por do të tregojnë dhe me gisht përgjegjësit. Ndërsa të njëjtin qëndrim ka ndarë edhe kreu i grupit të PR-së, Arjan Madhi, i cili ka mbështetur hetimin e nisur nga demokratët për një çështje të tillë. Deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, shprehet kundër krijimit të një komisioni të tillë, pasi nuk ka pse çfarë hetohet pasi gjithçka është përcaktuar në ligj.
Reagimi i PS-së
Ndërsa socialistët kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në komisionin e iniciuar nga ana e maxhorancës për çështjen e këtij konflikti. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, deklaroi se nismat e PD për krijimin e komisionit hetimor janë antikushtetuese. “Natyrisht, që do të doja t’ju referoja deklaratat e z. Berisha, të bërë dy ditë më parë, në konferencën për shtyp me ju, që një komision hetimor për një çështje për të cilën prokuroria ka filluar hetimet, tha z. Berisha është antikushtetues. Kështu që është e tepërt t’ju them nëse ne do të marrim pjesë në një komision antikushtetues apo jo”, theksoi Braçe. Ai theksoi se “do të doja njëherësh t’ju referoja që veprimet e Prokurorisë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk mundet më t’i verifikojë parlamenti. Pra, edhe komisioni tjetër që ju po më pyesni, që do të verifikoj veprimet për çështjen penale të Damir Fazlliçit, apo për ta pyetur si person që ka dijeni për rrethanat e veprës penale nuk mund t’i verifikoj dot parlamenti”. “Pra të dy komisionet parlamentare, janë plotësisht antikushtetuese dhe kjo në bazë të tri vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si në rastin Rakipi apo Sollaku, pastaj pjesa tjetër që ky komision hetimor parlamentar që bëhet si sfidë ndaj nesh dhe jo për të zbardhur hetimin mbetet që mos të ketë asnjë lloj vlerësimi prej nesh. Këtë mund ta thotë vetëm një injorant, askush tjetër”, deklaroi Braçe.