“Durrës-Kukës”, Berisha: Ina Rama ia kaloi edhe diktaturës
“Ministri ka zero implikim personal, është vendim i qeverisë”
“Edi Rama të sqarohet për 30 lejet me Delijorgjin”
Kryeministri Sali Berisha komentoi dje vendimin e Gjykatës së Lartë në lidhje me çështjen “Durrës-Kukës”. Në fillim të fjalës së tij, Berisha theksoi se akti i Prokurorisë së Përgjithshme shënoi një precedent të pashembullt. Sipas kreut të qeverisë, prokurorja e përgjithshme mendoi se mund të gjykonte një akt kolektiv, që sipas tij, edhe diktaturat e nuk e kanë bërë një gjë të tillë. “Një prokurore e papërgjegjshme ndaj ligjit dhe detyrës mori përsipër dhe mendoi se mund të gjykojë aktet kolektive. Por aktet kolektive nuk mund t’i gjykojë askush. Ju duhet të jeni të bindur se kjo nuk do të mund të kapërcehet shumë thjesht. Nuk është Shqipëria një vend ku mund të gjykosh aktet kolektive. As diktaturat nuk e bëjnë këtë gjë. Ndërsa vendimet e gjykatës janë vendime gjykate dhe kanë të bëjnë me ligjshmërinë”, - deklaroi Berisha. Duke qëndruar në këtë çështje, Berisha tha se ministri Basha nuk ka asnjë implikim pasi gjithçka ishte një vendim i Këshillit të Ministrave. “Pra, - shtoi Berisha, - ministri ka zero implikim personal dhe çdo gjë është vendim i Këshillit të Ministrave”. Kreu i qeverisë tha më tej se “një proces gjyqësor i rregullt, është kushti më fondamental për një shtet demokratik”. Duke folur më tej për këtë çështje, Berisha tha se gjykatat e të gjitha niveleve kanë qenë me një mendim unanim për këtë çështje. “Nuk e di se çfarë ju duket ju anormale në një proces ku gjykatat e të gjitha niveleve janë shprehur në unison dhe kanë mbrojtur ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Atëherë më duhet t’ju them se gjendeni ekstremisht e skajuar. Nuk po marr çështjen tjetër që është marrë përsipër në mënyrën më politike dhe më të keqpërdorur; pra të gjykohet akti kolektiv, pasi këtë akt nuk e kanë bërë as në diktaturë, nuk e kanë bërë as prokurorë të sëmurë psikikë, pasi nuk gjykohet akti kolektiv. Ka një dogmë në drejtësi dhe nuk mund të gjykohet kurrë akti kolektiv. Por verbëria politike ka shtyrë prokurorinë të merret me gjykimin e aktit kolektiv, i cili është akt politik”, -deklaroi Berisha. Në fund të fjalës së tij, Berisha tha se kjo çështje do të sqarohet deri në fund. “Nëse dikush mendon se mund të shkruajë të drejtën dhe ligjet e këtij vendi, do t’i bëjmë të qartë që këtë gjë nuk mund ta bëjë dot. Këtu është bërë një shkelje shumë e rëndë. Por ky është një proces në të cilin do të qartësohet çdo gjë”, - tha ai.
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Berisha u pyet edhe në lidhje me shkrimet në mediat sipas të cilave, vajza e Fahri Balliut është bashkaksionere në një kompani me Mihail Delijirgjin, i pandehur për Gërdecin. Berisha tha se “Balliu ka dhënë një deklaratë, ka bërë sqarime”. Sipas tij, Edi Rama është ai që duhet të japë shpjegime, pasi sipas tij, ende nuk i ka bërë, në lidhje me 30 leje ndërtimi që ka marrë nga Bashkia e Tiranës. “Ai që nuk ka bërë sqarime, është Edi Rama. Ai nuk ka bërë, ka nxjerrë Shalsin e vet, por ai duhet të dalë të shprehet. Besoj se ju e patë se si u rreshtuan 30 lejet para bashkisë. Por këto janë 60 kate, duke i llogaritur nga 500 deri në 1 mijë euro metri katror. Ky problem mbetet për t’u zgjidhur, për t’u hetuar”, - deklaroi Kryeministri.
Berisha ironizon “sovranitetin ushqimor” në programin e Ramës
Një tjetër çështje e prekur dje nga Kryeministri Berisha, ishte edhe deklarata e kreut të opozitës për prezantimin e programit. Berisha ironizoi Ramën, pasi kishte dëgjuar termin “sovranitet ushqimor”, që sipas tij, ka qenë pjesë e retorikës së diktaturës. Berisha tha se Rama nuk po shkëputet dot nga e kaluara e tij. “Por, ajo që unë dëgjova sot, nuk ishte program. Ju jeni të rinj, por unë pothuajse nuk u besova veshëve të mi për atë që dëgjova. A e dëgjuat ju zotin Rama kur po fliste për “sovranitet ushqimor”? Ai e mori këtë term nga gjysmë-daja i tij, që na solli nga Meksika çmimin e ushqimit, kur deklaroi atje se Shqipëria ka garantuar “sovranitetin ushqimor”, në një kohë kur këtu vdisnin njerëzit urie. Zoti Rama lexon në arkivat e vjetra si zgjidhje për kohën e sotme sovranitetin ushqimor, ashtu siç ju e dëgjuat. Çmimi për “sovranitetin ushqimor” i është dhënë Shqipërisë në Meksikë rreth viteve 1983-1984, pra imagjinoni, në kohën kur gjysma e vendit ishte në uri”, - tha Berisha. Duke vazhduar më tej, ai tha se një nocion i tillë sot mund të ekzistojë vetëm në Korenë e Veriut. “Futuni në internet dhe kërkoni; nëse gjeni në terminologjinë e pasrënies së Perdes së Hekurt nocionin “sovranitet ushqimor”, mund të më thoni. Kjo mund të ekzistojë ende sot në Korenë e Veriut. Ne sot themi treg i hapur, ne themi mbështetje e prodhimit vendas. Megjithatë, janë rreth 3 muaj para zgjedhjeve dhe unë shpresoj që “sovranitetin ushqimor” ai ta arkivojë dhe ta çojë atje ku e ka marrë”, - komentoi Kryeministri.