E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Programi i qeverisjes së Partisë Socialiste

Programi do të nisë të prezantohet në mënyrë të detajuar, nga sot deri më 20 maj. Socialistët premtojnë se nuk do të rritin taksat.

"Kemi hartuar një plan 100 masash dhe, gjithashtu, jemi gati të prezantojmë strukturën e re të qeverisë së Shqipërisë"

Partia Socialiste starton sot nga Lezha, publikimin e programit të saj elektoral dhe qeverisës. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, ka hedhur dje hapin e parë të këtij procesi, duke prezantuar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, shtyllat kryesore të këtij programi, si baza mbi të cilën do të ngrihet qeverisja e nesërme e socialistëve.

I shoqëruar edhe nga stafi i tij më i ngushtë teknik që e ka shoqëruar gjatë mbledhjes së të dhënave gjatë turit "Dialog me Shqipërinë", Rama ka shpallur alternativën socialiste për këto zgjedhje, duke e vënë theksin tek problemet më jetësore për shqiptarët, siç është papunësia, varfëria, bujqësia apo edhe mjedisi.


Programi


Ashtu siç ka bërë që në ditën e parë kur ky program filloi të konceptohej në bisedat me njerëzit, Partia Socialiste do të vijojë sërish ashtu për të prezantuar produktin e konservuar në pothuajse 18 muajt e shkuar gjatë takimeve në bazë.

"Do të shkojmë përsëri tek njerëzit, në të gjithë Shqipërinë për të prezantuar frytin e një pune që e konsiderojmë punë të përbashkët me dhjetëra mijëra shqiptarë e shqiptare që kanë marrë pjesë në shkrimin e këtij programi", - u shpreh Rama, duke bërë të ditur gjithashtu se, qëllimi i socialistëve nuk ka qenë që të shkruajnë thjesht një program në letër, por të krijojnë një produkt që të zbatohet nesër.

Kështu, Rama ka bërë të ditur se programi i zbërthyer sipas fushave, është rreth 1000 faqe, ndërsa është i fokusuar në 7 drejtimet themelore.

Më konkretisht, shefi i selisë ka renditur synimin e programit për të realizuar një politikë të re për arsimin, për nxitjen e prodhimit vendas, për fshatin, për shëndetin, për turizmin dhe për kohezionin social e territorial të vendit. "Idetë që e kanë plazmuar atë, janë ide të reja. Zgjidhjet që ky program parasheh, janë po ashtu zgjidhje të reja.

Por, mbi të gjitha, vullneti ynë për ta qeverisur ndryshe Shqipërinë dhe për ta ndryshuar vendin tonë në funksion të Bashkimit me Evropën, është një vullnet i ri", - tha kreu socialist.


Kriza


Për të siguruar jetësimin e këtyre politikave, partia socialiste ka parashikuar edhe reformimin e plotë të qeverisjes, duke synuar modernizimin e qeverisë dhe demokratizuar marrëdhëniet mes individit e shtetit, përmes një qasjeje të re ndaj këtij procesi.

Për këtë, PS-ja ka parashikuar në programin e vet një plan prej 100 masash konkrete, nëpërmjet së cilave do të bëhet e mundur përmbysja një herë e mirë e kësaj skeme qeverisjeje, dhe për të bërë të mundur realizimin e një qeverisjeje për shqiptarët.

"Ne kemi edhe një aneks apo një pjesë të dytë të programit, që është vetë reforma e qeverisjes, ku pas një analize shumë të imët të procesit qeverisës të 18 viteve, të strukturave të qeverive në këto 18 viteve, të efikasitetit dhe koordinimit të këtyre strukturave, kemi hartuar një plan 100 masash dhe gjithashtu jemi gati të prezantojmë strukturën e re të qeverisë së Shqipërisë, bazuar në domosdoshmërinë për të jetësuar programin tonë të ri qeverisës", - tha më tej Rama.

Ndërkohë që, ajo që mbetet një sfidë më imediate për këtë qeverisje të re dhe që, sipas Ramës, është konsideruar si thembra e Akilit, është padyshim kriza ekonomike botërore, e cila ka prekur ndjeshëm dhe Shqipërinë.

"Besoj se "thembra e Akilit" sot për Shqipërinë dhe nesër për qeverinë e re, është kriza ekonomike, e cila nga një krizë ekonomike globale, është kthyer dhe po thellohet dita-ditës si një krizë e ekonomisë reale shqiptare, e familjeve shqiptare dhe e sipërmarrjes shqiptare.

Pa asnjë dyshim, kjo krizë ridimensionon dhe rrugën e punën që duhet bërë paralelisht me arritjen e atyre objektivave që ne i kemi vënë vetes. Këtu, sigurisht, ne do të na duhet të reagojmë me shpejtësi maksimale qysh në momentin e parë të punës tone", - tha më tej Rama, duke garantuar në të njëjtën kohë gjithë shqiptarët se, me ardhjen e socialistëve në pushtet, nuk do të ketë rritje të taksave.

---------------------------------------------------------------------------------

Kreu socialist, Edi Rama, ka theksuar se, "nuk ka asnjë projekt të tillë në PS dhe as në sirtarin tim".

PS: Nuk ka asnjë kabinet qeveritar hije


Partia Socialiste nuk ka përcaktuar ende asnjë emër zyrtar si kandidat për deputet. Është Kryetari i kësaj force, Edi Rama, ai që ka mohuar dje në mënyrë kategorike ekzistencën e listave të kandidatëve për deputetë, duke theksuar se kjo mbetet edhe për pak kohë një çështje jashtë rendit të ditës për PS-në.

"Listat e ekipeve që do të përfaqësojnë PS-në, dhe që do të përbëjnë shumicën e Parlamentit të nesërm, janë lista që sot nuk janë ende në rendin e ditës për mua.

Ato do të paraqiten në kohën dhe vendin e duhur, përpara rënies së gongut për fushatën elektorale", - tha Kryetari i PS-së, Edi Rama. Gjithashtu, ai i ka konsideruar spekulime mediatike të gjitha lajmet mbi ekzistencën e një qeverie hije socialiste.

Sipas Ramës, PS-ja e ka deklaruar që në fillim se nuk do të praktikonte një skemë të tillë, për të krijuar një qeveri hije dhe se ajo që mbetet më me interes për këtë forcë, është puna që do të kryhet dhe jo emrat e ministrave.

"Qeveritë hije të PS-së, janë pjesë e fantazisë së shitësve të gazetave dhe do të vazhdojnë të mbeten të tilla. Nuk ka asnjë projekt të tillë në PS dhe as në sirtarin tim", - pohoi Rama.

Ndërkohë, pjesë e planit të veprimit politik për ditët e ardhshme, mbetet krijimi apo zyrtarizimi i koalicionit, me të cilin Partia Socialiste do të dalë në zgjedhjet e ardhshme. Por, sipas shefit të selisë rozë, edhe ky është një hap që do të hidhet në kohën e duhur. "Ky është një aspekt i procesit të përgatitjes së fushatës elektorale.

Ky aspekt i formalizimit të koalicionit që, pas 28 qershorit do të qeverisë Shqipërinë, është pjesë e kalendarit tonë të punës dhe aktivitetit paraelektoral. Në kohën e duhur, edhe ne do të bëjmë formalizimin e koalicionit qeverisës", - tha Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›