E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e pensionet, Berisha tregon rritjen zyrtare



Kryeministri publikon rritjen më 1 maj

Zyrtarët e lartë, asnjë rritje page

Kryeministri Sali Berisha publikoi dje, gjatë një konference për shtyp, rritjen zyrtare të pagave dhe pensioneve që do të ndodhë në datën 1 maj. Në fillim të fjalës së tij, Berisha theksoi se si siç u premtua në vitin 2005, me këtë rritje dyfishohen pensionet në fshat, pagat e mësuesve dhe infermierëve si dhe me 68 për qind të punonjësve të administratës. “Më datën 1 maj dyfishohen pensionet në fshat. Pra, pensionisti që ka marrë 34 mijë lekë të vjetra në datën 1 maj do të marrë 68 mijë lekë të vjetra, madje edhe pak më shumë. Pensionet në qytet aktualisht janë 110 mijë, shkojnë në 122 mijë. Rritje të ndjeshme pësojnë edhe të gjitha llojet e pensioneve të tjera. Me këto rritje qeveria shqiptare i jep përgjigje shumë të vendosur mjerimit dhe varfërisë”, - deklaroi Kryeministri. “Mbi 800 mijë familje shqiptare, - tha Berisha, - të cilat jetonin me 1 dollar në ditë për frymë, pas kësaj rritjeje do të kenë të ardhura dy herë më shumë se katër vite më parë”. Sipas tij, kjo rritje i jep përgjigjen më të mirë varfërisë.

Ndërkohë, zyrtarët e lartë nuk do të mund të gëzohen si qytetarët e tjerë, pasi qeveria këtë vit nuk do të ndërmarrë asnjë rritje page për ta. Kështu, deputetët, ministrat, por edhe vetë Kryeministri e shumë zyrtarë të tjerë nuk do të kenë shtesa në paga. “Kjo bëhet sepse ne, - tha Berisha, - jemi zotuar të ngushtojmë diferencën midis rrogave të ulëta dhe rrogave të larta. Kështu, zbret në një me pesë diferenca midis rrogës minimale dhe rrogës mesatare në administratën publike”. Sipas tij, ky raport ishte dhjetë me një katër vite më parë. Kryeministri bëri të ditur njëkohësisht se do të ngrihet një grup pune, për të evidentuar problemet me familjet në nevojë, për t’i ndihmuar me shtesa të mëtejshme në ndihmat e tyre ekonomike. “Kjo ka qenë dhe një nga qëllimet tona më kryesore në politikën e pensioneve, politikën e ndihmës ekonomike, e cila javën e ardhshme do të adresojë pas përfundimit të grupit të punës disa nga problemet e mprehta të familjeve më në nevojë”, - tha ai. Kreu i qeverisë tha se kjo rritje nuk ka qëllim elektoral, pasi sipas tij, është një program i qeverisë. Berisha tha se një rritje e ngjashme u bë edhe në vitin 2006, madje rritja aktuale po bëhet në maj dhe jo në qershor si zakonisht, për të shmangur zgjedhjet. “Atyre që shprehen se ka qëllim elektoral, u themi se kjo rritje është bërë në vitin 2006, madje rrogat e mësuesve janë rritur me 27%, infermierëve me 27% dhe nuk ka qenë elektorale. Kjo rritje është bërë në vitin 2007, edhe në vitin 2008 dhe për fat të keq në të gjitha këto rritje opozita e vendit ka votuar kundër në Parlament. E kundërta është”, - tha Berisha. Ai tha se kjo rritje pagash dhe pensionesh do të ndihmojë në rritjen e kërkesës dhe fuqisë blerëse të qytetarëve. Duke qëndruar në këtë pikë, Berisha tha se nuk pajtohet me qëndrimin e opozitës, pasi sipas tij, ajo ka pranuar rritjen e taksave nga Bashkia e Tiranës. “Opozita gjatë këtyre dy javëve të fundit, krahas sulmeve që ka bërë ndaj rritjes së rrogave dhe pensioneve, ka mbrojtur rritjen e madhe të taksave që është bërë në Bashkinë e Tiranës dhe jo vetëm pasi është bërë edhe në bashki të tjera. Kjo dukuri është një masë që ndikon në krizën ekonomike. T’i kundërvihesh krizës me rritje taksash dhe mosrritje rrogash, do të thotë t’i kundërvihesh krizës, duke e shndërruar varfërinë në mjerim dhe ata që janë të varfër t’i zhytësh në varfëri të thellë”, - deklaroi Berisha.

Skema e pensioneve

Në krahasim me vitin 2005

Dyfishohen rrogat e ulëta

Dyfishohen rrogat e infermierëve

Dyfishohen rrogat e mësuesve

Dyfishohet ndihma ekonomike

Paga mesatare në administratë, rritet me 68%

Raporti pagë mesatare - pagë e lartë, 1 me 5

Pensioni në fshat bëhet 68 mijë lekë

Pensioni minimal bëhet 122 mijë lekë

Nuk rriten pagat e zyrtarëve të lartë: Kryeministrit, ministrave, deputetëve etj.

Skemat për kartat e identitetit, si do të rimbursohen qytetarët

Kryeministri Sali Berisha bëri dje të ditur gjatë konferencës për shtyp, skemën e re për rimbursimin e qytetarëve për kartat e identitetit. Skema e re do të bëjë të mundur dëmshpërblimin e të gjithë personave në nevojë, si pensionistët, ata me ndihmë ekonomike, studentët etj. Kështu, në datën 1 maj, krahas rritjes së pagave, pensioneve dhe rritjes ekonomike, qytetarët në skemë do të marrin edhe shumën përkatëse që u jep qeveria. Për të gjithë personat me ndihmë ekonomike, pa përjashtim me të drejtë, qeveria do të japë 10 mijë lekë, ndërsa dy mijë lekë do të paguhen nga vetë ata. Gjatë kësaj kohe, komunat do të blejnë të gjitha kuponët dhe do t’ua shpërndajnë qytetarëve në skemë për të bërë sa më shpejt aplikimin. “Personat me ndihmë ekonomike do të marrin kuponin, të cilin do ta blejnë komuna dhe në komunë do të dorëzojmë 10 mijë lekë të vjetra sapo ata të sjellin dokumentacionin përkatës”, - tha Kryeministri. Për sa i përket komunitetit rom dhe atij egjiptian, Berisha përsëriti vendimin për dhënien e kartave falas për këto kategori. Berisha tha se do të ngrihet një komision për të verifikuar të gjithë qytetarët e komunitetit rom dhe egjiptian, që nuk janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe në këtë komision do të ketë përfaqësues nga bashkitë dhe komunat. Ndërkohë, edhe studentët do të duhet të paguajnë vetëm 2 mijë lekë për kartën në sekretarinë e shkollave, për të shmangur kështu parapagimin. “Pensionistët me pension minimal, në datën 1 maj, përveç rritjes së pensionit, qeveria do të vendosë në pensionet e tyre 10 mijë lekë të vjetra shtesë. Ata do të shtojnë 2 mijë lekë nga vetja e tyre për të marrë kartën”, - tha kreu i qeverisë. Pensionistëve do t’u shtohet 10 mijë lekëshi në pension, dhe në këtë mënyrë do t’u mbeten vetëm dy mijë lekë për të paguar. Pensionistët do të kenë vetëm 2 muaj afat për bërë aplikimin, pasi në këtë kundërt, në rast se nuk merret karta, nuk do të jepet pensioni. Studentët do të duhet të paraqesin kartën e identitetit në momentin e hyrjes në provime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›