Basha: Aplikimi në BE, së shpejti
Ministri: Brenda vitit, shqiptarët pa viza në BE
Agjencia “Reuters” flet për fundin e prillit
“Qeveria shqiptare do të aplikojë së shpejti për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”, këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, në bashkëbisedimet me banorë të komunave Gostim, Klos dhe Mollas të Elbasanit. Ai nuk ka folur për një datë të saktë, por agjencia e lajmeve “Reuters” bën të ditur se zyrtarë të lartë të qeverisë flasin për fundin e prillit si mundësi për të bërë aplikimin zyrtar. Ministri Basha ka theksuar se me të njëjtin vullnet që kjo qeveri bëri të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, do të bëjë të mundur afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Basha ka theksuar se brenda një viti qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza nëpër Evropë. “Së shpejti qeveria shqiptare, Kryeministri Sali Berisha, do të paraqesë personalisht aplikimin për statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ju them sot, të rinjve dhe gjithë qytetarëve që brenda 12 muajve, me pasaportë shqiptare, pa vizë, do të mund të lëvizin lirisht nëpër hapësirën “Shengen”. Reforma, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, bënë të mundur dyfishimin e pagave dhe pensioneve dhe shndërrimin e Shqipërisë në një kantier ndërtimi. Me të njëjtin vullnet dhe përkushtim do të vijohet dhe në katër vitet e ardhshme”, - tha Basha.
“Me besimin që na dhatë në katër vitet që shkuan, ne dyfishuam pensionet tuaja me besimin që do të na jepni, në katër vitet që do të vijnë ne do t'i dyfishojmë sërish pensionet e fshatit në mandatin e dytë”. Shefi i diplomacisë shqiptare ka kërkuar që qytetarët shqiptarë, para se të vendosin se kujt do t’i besojnë fatin e tyre në katër vitet e ardhshme, të reflektojnë ku ishin dhe ku janë.