Mandati 2, Berisha: Asnjë pension në fshat nën 100 dollarë
Kryeministri premton dyfishim të pensioneve
“Qeveria, një trajtim të ri familjeve më në nevojë”
Kryeministri Sali Berisha ka bërë premtimin e radhës për të gjithë pensionistët që jetojnë në fshat, duke premtuar se në katërvjeçarin e ardhshëm, pensionet e tyre nuk do të jenë më pak se 100 dollarë. Në vijim në turin “Shqipëria po ndryshon”, Berisha u ndal në disa komuna të qarkut të Fierit, nga ku tha se pensionet do të njohin një dyshim në mandatin e dytë. “Ne gjetëm një pension në fshat 34 mijë lekë dhe ky pension do të dyfishohet më 1 maj të këtij viti. Ne që ju premtuam se do të dyfishonim pensionet tuaja dhe po e bëjmë këtë realitet, ne ju premtojmë se mandatin e ardhshëm, në fshatrat e Shqipërisë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë”, - premtoi Kryeministri. Në komunën e Kumanit, kreu i qeverisë shqiptare bëri edhe një premtim tjetër. Ai tha se lufta ndaj varfërisë është në rendin e parë të punës së qeverisë dhe premtoi një skemë të re për ndihmën e familjeve të varfra. Berisha kërkoi edhe ndihmën e pushtetit lokal për të bashkëpunuar në këtë pikë. “Ne nuk duam, nuk pranojmë që, qoftë edhe një qytetar i vetëm në këtë vend, të qajë me lotët e ftohtë të mjerimit, por të ndiejë dorën tonë, të ndiejë zemrën dhe mbështetjen tonë kudo ku ai ndodhet. Javën që vjen, qeveria do të vendosë për një trajtim të ri të familjeve më në nevojë”, - deklaroi Berisha. Përpara banorëve të fshatrave të Fierit, kreu i mazhorancës së djathtë nuk harroi edhe premtimin për investime në infrastrukturë. Ai premtoi kanalizime, rrugë, ujësjellës, shkolla etj. Berisha premtoi një vëmendje më të madhe ndaj bujqësisë, duke përmendur projektin për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj. “Në 4 vitet që vijnë, ne do të bëjmë që Shqipëria rurale të jetë një Shqipëri me infrastrukturë moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime moderne, rrugë të asfaltuara, do të bëjmë që e gjithë ultësira, nga Konispoli deri në Han të Hotit, të njohë projektin më të madh në historinë kombëtare, atë të ullirit. Ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë do të 5-fishoj rrënjët e ullirit në Shqipëri. Në 4 vitet që vijnë, do të investojmë për bujqësinë shqiptarë më shumë se në 70 vitet që shkuan”, - tha ai. Gjatë vizitës në disa komuna të Fierit, Kryeministri Berisha u ndal në komunën e Kumanit, ku përuroi shkollën e re 9-vjeçare të fshatit Vidhisht, një investim me vlerë 45 milionë lekë, si dhe përfundimin e ndërtimit të rrugës së brendshme të këtij fshati, investim me vlerë 22 milionë lekë. Kryeministri Berisha, në përshëndetjet e tij, tha se ne jemi zotuar që Shqipërisë rurale, fshatrave të saj, t’u ngremë infrastrukturën që kanë qytetet e lagjet e tyre. Vetëm në komunën e Kumanit, në 3 vjet e 8 muaj janë investuar 267.5 milionë lekë. Kryeministri u ndal edhe në Strum, ku përuroi fillimin e punimeve për rrugën Strum-Fier, me gjatësi 24 kilometra dhe vlerë 400 milionë lekë. Kryeministri përuroi gjithashtu fillimin e punimeve për të rrugës Kuz-Strum, me vlerë 50 milionë lekë. Kryeministri tha se qeveria, në më pak se 4 vjet, ka investuar për zhvillimin e zonave rurale 1.6 miliard dollarë dhe se ajo ka mbështetur dhe do të mbështesë çdo projekt që ndryshon për mirë jetën e komunitetit. Berisha përmendi fillimin e disa projekteve të rëndësishme të infrastrukturës së këtyre zonave, ku vetëm në qarkun e Fierit, në këto dy muaj nis ndërtimi i mbi 120 kilometrave rrugë dhe konkretisht Fier-Cakran, Strum-Fier, Pushimi i Shoferit-Divjakë, Lushnjë-Ballagat-Peqin dhe Kosovë-Belsh.