E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jam gati të votoj ligjin për votim të detyrueshëm

Studentët nuk do të futen në provime, nëse s'kanë karta, ndërsa pensionistët nuk do të marrin dot pensionin

Duke mos dashur të pranojë dështimin për të pajisur me karta identiteti të gjithë qytetarët pa pasaportë, kreu i qeverisë, Sali Berisha, i është rikthyer edhe një herë idesë së hedhur gjatë verës së shkuar për të sanksionuar me ligj detyrimin për të votuar për të gjithë shtetasit që deri në datën e zgjedhjeve mbushin 18 vjeç.

Por, i sigurt për ndjeshmërinë negative që mund të ketë një nismë e tillë në elektorat tani dy muaj para zgjedhjeve, Berisha është përpjekur që ta paraqesë këtë propozim duke përdorur pikërisht emrin e opozitës.

Kështu, kreu i qeverisë, pavarësisht se nuk është pyetur për një gjë të tillë nga gazetarët, ka deklaruar gjatë konferencës së djeshme për shtyp, se do të ishte i gatshëm ta miratonte një ligj të tillë, në rast se ai do të vinte nga opozita.

"Opozita, po të donte në funksion të detyrimit, le të sillte ligjin, me të cilin të detyroheshin qytetarët të votonin. Sado që është i diskutueshëm, por disa vende e kanë. Në rast se do të kishim një ligj të tillë, që qytetarët duhet të votojnë dhe kanë këto sanksione, atëherë dhe kartat do t'u jepeshin me detyrim", - u shpreh Berisha.

Ndërkohë, po dje, shefi i qeverisë, duke u shfaqur edhe një herë kundër propozimit të socialistëve për të shpërndarë kartat falas, ka bërë publike një sërë masash që do të ndërmarrë në ditët në vijim qeveria, si në aspektin e krijimit të lehtësirave financiare për të gjitha shtresat sociale, ashtu edhe për të ndërmarrë më pas masat shtrënguese për të mos kryer një sërë shërbimesh publike.

Ai ka deklaruar se të gjithë personat që marrin ndihmë ekonomike, do ta kenë mundësinë që ta marrin kartën vetëm kundrejt 2 mijë lekëve të vjetra, ndërsa 10 mijë lekëshin tjetër do ta marrë përsipër që ta paguajë vet qeveria.

Ndërkohë që, për këtë kategori do të jenë krerët e njësive vendore ata që do të blejnë kuponët. Gjithashtu, pjesë e kësaj skeme të re do të jenë dhe studentët, të cilët do ta marrin kartën po ashtu kundrejt 2 mijë lekëve të vjetra.

Edhe për këtë kategori, marrja e kartës do të jetë e detyrueshme, pasi nuk do të mund të hyjnë në provime, në rast se nuk paraqiten në sekretaritë e fakulteteve me karta identiteti.

Ndërkohë që, fakultetet dhe Ministria e Arsimit do të blejnë kuponët për ta. Kreu i qeverisë ka deklaruar gjithashtu se skema shtrënguese do të përfshijë dhe pensionistët, që nuk do të marrin dot pensionin, në rast se nuk do të paraqesin pranë zyrave të shpërndarjes së pensioneve fotokopjen e kartës së identitetit.

Ashtu siç edhe u deklaruar disa ditë më parë, komuniteti rom dhe ai egjiptian do t'i marrin kartat falas. Gjatë konferencës së djeshme, Berisha është ndalur edhe në procesin ndaj ish-ministrit të tij të Transporteve, Lulzim Basha, duke e konsideruar hetimin ndaj tij si produkt i verbërisë politike, të Kryeprokurores Ina Rama.



Tabela

Individët me ndihmë ekonomike do të paguajnë 200 lekë të rinj. 1 mijë lekë do t'i paguajë qeveria

Drejtuesit vendorë do të blejnë kuponët për të gjithë individët me ndihmë ekonomike në njësinë e tyre

Studentët do t'i marrin kuponët kundrejt 200 lekëve të rinj. 1 mijë lekë do t'i rimbursojë qeveria

Fakultetet dhe Ministria do të blejë kuponët. Studentët që s'kanë kartë nuk do të hyjnë në provime

Pensionistët me pension minimal do ta marrin kartën 200 lekë. 1 mijë lekë do t'i rimbursojë qeveria

Pensionistët nuk do të mund të tërheqin pensionin, në rast se nuk paraqesin fotokopje të kartës

Komuniteti rom dhe ai egjiptian, do t'i marrin kartat falas. Për ta do të ngrihet një grup pune.

Të gjithë studentët, pensionistët dhe ata që janë nën ndihmë ekonomike, që e kanë marrë kartën, do të rimbursohen

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›