E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, Braçe: Qeveria shkeli ligjin, refuzoi KLSH

TIRANË- Partia Socialiste akuzon qeverinë se ka zgjeruar shkeljet e saj në dëm të parave publike me rrugën Durrës-Kukës, duke refuzuar të marrë parasysh rekomandimet e dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, duke iu referuar pikërisht të dhënave që paraqet raporti i KLSH-së, evidenton faktin se ekzekutivi, në shkelje të plotë me detyrimet e veta ligjore, nuk ka reflektuar mbi asnjë prej rekomandimeve që ka paraqitur ky institucion i specializuar, për të riparë disa nga elementët e kontratës të lidhur me kompaninë "Bechtel-Enka".

Për të evituar rritjen e mëtejshme të kostos së ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash, Braçe ka sjellë në vëmendje se KLSH-ja i ka propozuar Këshillit të Ministrave që, pas miratimit të projektit të detajuar të zbatimit në DPRR dhe në KRRTRSH, të gjendeshin mundësitë e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit me shoqërinë "Bechtel&Enka", për të rishikuar disa përcaktime të kontratës dhe veçanërisht rishikimin e çmimeve për njësi, për t'i përshtatur ato me çmimet për njësi të aplikuara deri tani në tregun shqiptar, rishikimin e shtojcës për zërat e punës (volumet) të kontratës, për t'i përshtatur ato me zërat e punës që aplikon DPRR-ja për ndërtimin e rrugëve, si dhe rishikimin e klauzolës për përjashtimin nga detyrimet fiskale të sipërmarrësit "Bechtel&Enka", për të siguruar përputhshmëri me Kushtetutën dhe legjislacionin fiskal shqiptar.

"Ndërsa hesht për një dokument zyrtar të një institucioni kushtetues, Sali Berisha bën faj kur refuzon rekomandimet e KLSH-së, shkon në krim kur rekomandimet e refuzuara synojnë uljen e kostove e mbi të gjitha të dëmeve ndaj parave të shqiptarëve", - tha Braçe.

Gjithashtu, ai ka konsideruar të dështuar edhe qëllimin që qeveria i ka vënë vetes për ta përfunduar këtë rrugë brenda qershorit, pasi sipas tij, ritmi i punës në terren vërteton të kundërtën.

" Qeveria na gënjen kur thotë se rruga nga Miloti në Morinë, mbaron në qershor të këtij viti. Ramiz Alia nuk është më aktiv, Sali Berisha do të jetë jetëplotë, ne dhe ju po ashtu, të gjithë do të shohim se nga Miloti në Morinë, nuk do të ketë rrugë të mbaruara në qershor të 2009-ës. Atë rrugë do ta mbarojmë ne, por me një dallim jetik: PA VJEDHUR!", - tha Braçe.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›