E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, aleancë PD-PAA

Tiranë -Është nënshkruar sot marrëveshja për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, midis Partisë Demokratike dhe i Partisë Agrare Ambientaliste. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i PD SaliBerisha, njëkohësisht Kryeministër i vendit, tha se "marrëveshja elektorale dhe postelektorale me PAA-në shpreh vlerësimin e madh të bashkëpunimit të ngushtë luajal katërvjeçar mes dy partive".

"PD dhe PAA në koalicionin e katër viteve që vijnë nuk bashkojnë vetëm votat dhe besoj se ky koalicion nuk ka qënë një koalicion i diktuar nga votat, por i diktuar nga parimet që këto dy parti ndajnë për dy probleme themelore të vendit, zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe mbrojtjen e mjedisit", tha Berisha. Bashkëpunimi në këtë kuadër, tha ai, ka bërë që Shqipëria të vendoset në klasifikimin e të gjitha vendeve të planetit në pozicionin e 25-të, për sa i takon mbrojtjes mjedisore.

"Koalicioni ka marrë masa drastike në kufizimin e ndotjes së ajrit në mbarë vendin. Me vullnetin e tij, duke i rezistuar edhe presionit të lobeve të fuqishme mediatiko-afariste ai, ia doli të reduktojë nga 400 mijë ton naftë D 2, në 80 mijë ton, lejimin e saj në territorin e vendit, me qëllim bllokimin e saj tërësisht në fundin e 6-mujorit të parë të mandatit të dytë, duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet me standarte të larta të pastërtisë së karburanteve që përdoren në Shqipëri", tha z. Berisha.

Ndërsa kryetari i PAA-së, Xhuveli, aktualisht ministër i Mjedisit, tha se "nënshkrimi i marrëvëshjes me PD-në është rrjedhim logjik i një bashkëpunimi katërvjeçar dypalësh".ipas ministrit "sektorët që mbulohen nga Ministria e Mjedisit në vitin 2005 kanë pasur një buxhet prej 1 miliardë e 100 milion lekësh, ndërsa aktualisht, ata sektorë për vitin 2009 kanë një buxhet të dyfishuar prej 2 miliardë e 50 milion lekë. Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është garancia për të ecur në rrugën e bashkëpunimit dhe vlerave", tha kryetari i PAA-së.

Marrëveshja PD-PAA, është e dyta e nënshkruar nga Partia Demokratike në kuadër të bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme, pas marrëveshjes së nënshkruar me PR-në më 21 mars.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›