E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, propozim për një tunel në Currila

PLANI/ Në qytetin bregdetar u diskutua lidhur me planin rregullues duke përfshirë edhe problemet me TEC-in

DURRËS - Në planet rregulluese të Durrësit, prej disa muajsh nuk po flitet më për zhvillim të resurseve turistike, por për parkun energjitik të Porto Romanos, i cili shkatërron klimën dhe arkeologjinë e zonës. Në takimin e organizuar nga Bashkia e Durrësit në kuadër të përgatitjes së planit rregullues të të gjithë qytetit, u hodhën ide të reja nga specialistet që morën fjalën.

Ish-kryetari i parë i bashkisë së qytetit në periudhën e pluralizmit, Bashkim Kopliku, në fjalën e vet duke bërë një pasqyrë të nevojave të së ardhmes së qytetit theksoi nevojën e përcaktimit të saktë të vijës së juridiksionit të shtrirjes së Durrësit si qytet.

Sipas tij, TEC- i që pretendohet të ndërtohet në Porto Romano, sipas hartës perspektive që është paraqitur, i bie që të jetë pjesë e qytetit dhe kjo do të kishte pasoja të mëdha, pasi bie edhe në kundërshtim me ligjin.

Ai theksoi se TEC-i që pretendohet të ndërtohet në Durrës do të ketë një fuqi prej 1600 megavatësh, i cili do të jetë me kapacitet 16 herë më të madh se TEC-i i Vlorës, por duke qenë se ai do të funksionojë me qymyrguri, kapaciteti ndotës mund të arrijë deri në 200 herë më shumë nivel ndotjeje.

Në planin rregullues të qytetit, krahas portit u theksua se duhet që të ketë përparësi Lungomarja, e cila do të bllokohet nga mbifluksi i makinave, prandaj u bë një propozim që kodra e Currilave të tejshkohet nga një tunel për automjete dhe këmbësorët, duke i dhënë kështu hapësirë qarkullimit të bllokuar që tani.

Në takim është theksuar që planet rregulluese të qytetit nga studiot e huaja duhet të bëhen duke parë nga terreni situatën e rënduar si moseficencën e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza që janë problem prej vitesh.

Projektuesit do të bëjnë mirë që ta studiojnë terrenin në një ditë me shi, kur brenda gjysmë ore rrugët përmbyten tërësisht, u theksua nga të pranishmi.

Po kështu, ata duhet që të shikojnë në stinën e verës në Plazhin e Durrsit se si përmbyten sektorë të këtij plazhi nga shpërthimi i ujërave të zeza. E rëndësishme është që të mos harrohet se Durrësi është qytet që ende e ka furnizimin e ujit me orar.

Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, deklaroi se ky plan rregullues i qytetit
është një plan strategjik për zhvillimin e qytetit që do të shtrihet në një diapazon 25-vjeçar.

Projekti LAMP financohet nga Banka Botërore dhe po aplikohet në katër bashki: Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Kamzë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›