E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, Ministri Basha gjykohet në janar

Nga Klodiana Lala
Burime zyrtare të gjykatës, pohojnë se kolegji penal i kryesuar nga relatori Spiro Spiro, ka caktuar dhe datën kur do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore ndaj ministrit të Jashtëm, Basha 

TIRANE-Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha do të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Lartë në janar të vitit 2009. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të gjykatës, të cilat pohojnë se kolegji penal i kryesuar nga relatori Spiro Spiro, ka caktuar dhe datën kur do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore ndaj ministrit të Jashtëm, Basha, të akuzuar për abuzime me fondet për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Pavarësisht se ish-kreu i dikasterit të Transporteve ka refuzuar akuzuat e prokurorisë, duket se këtë herë nuk do ta ketë aq të lehtë, pasi do t’i duhet t’i përgjigjet fletëthirrjes së gjykatës. Kështu, javën e tretë të janarit, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtori juridik i këtij institucioni do të njihen me akuzat e përgatitura nga institucioni qendror i akuzës, i drejtuar nga Ina Rama. E ndërsa duhen dhe pesë javë derisa të fillojë shqyrtimi i dosjes së shumëpërfolur ‘Durrës-Kukës’, Gjykata e Apelit në seancën që është caktuar të zhvillohet javën që vjen, do të vendosë nëse ishte apo jo i drejtë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë që detyroi prokurorinë të ndërpriste hetimet për abuzimet me fondet e Rrëshen-Kalimash.
Procesi
Shqyrtimi i dosjes së shumëpërfolur Durrës-Kukës do të nisë janarin e vitit të ardhshëm. Për shkak të angazhimeve me procese të tjera penale dhe civile, si dhe pushimeve për festat e fundvitit, kolegji penal ka vendosur që seancën e parë gjyqësore ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtorit juridik të këtij institucioni, Andi Toma, ta zhvillojë pas pesë javësh. Kështu, brenda kësaj kohe gjykata do t’i dërgojë dhe fletëthirrjen për t’u paraqitur në gjyq ministrit të Jashtëm, Basha dhe drejtorit të përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma. Nuk dihet ende nëse Basha do t’i përgjigjet fletëthirrjes për paraqitjen në seancën e parë gjyqësore, duke vlerësuar këtu faktin se ai refuzoi prokurorinë, madje e sfidoi atë duke iu drejtuar gjykatës me kërkesë penale për shpalljen të paligjshme të veprimeve që organi i akuzës kreu në ngarkim të tij.
Dosja
Më 5 dhjetor të këtij viti, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në Gjykatën e Lartë dosjen penale në ngarkim të Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “pabarazi në tendera”. Në fakt, dy të pandehurit nuk kanë pranuar të firmosin akuzat. Pavarësisht se Lulzim Basha iu drejtua Gjykatës së Tiranës me një kërkesë penale për shpalljen e pavlefshme të fletëthirrjes së prokurorisë të datës 24.11.2007 për marrjen të pandehur dhe aktin e njoftimit të akuzës me postë, kjo nuk e pengoi aspak institucionin qendror të akuzës të drejtuar nga Ina Rama, të dorëzojë dosjen për gjykim në Gjykatën e Lartë. Pak ditë më vonë, gjyqtarja Fatmira Hajdari që shqyrtoi kërkesën penale të Lulzim Bashës, e “liroi” këtë të fundit nga akuzat dhe i cilësoi të paligjshme veprimet e prokurorisë. Ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Apelit. Shkalla e dytë e gjyqësorit do të marrë në shqyrtim dhe ankesën e prokurorisë në lidhje me një tjetër vendim të gjyqtarit Sokol Tona, që urdhëroi ndërprerjen e menjëhershme të hetimeve për Durrës-Kukës. Për abuzimet me fondet e Rrëshen-Kalimash u hetuan dhe ish-zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtoresha e përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi, të cilët u liruan nga akuzat për shkak të mungesës së provave.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›