E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: ‘Dosjet’, kemi arsye për ta miratuar në Kuvend

Nga Gilmana Bushati
Dy zëdhënësit e PD-së, njëri i partisë dhe tjetri i grupit parlamentar, e shpjeguan me detaje se pse ligji në fjalë është brenda të gjitha rregullave 

TIRANE-Demokratët sfidojnë ndërkombëtarët duke shprehur dje qëndrimin e tyre se ligji nuk shkel Kushtetutën, bazohet në rezolutën e KE-së dhe për këtë shkak nuk ka asnjë arsye për të mos kaluar në parlament. Dje ishin dy zëdhënësit e PD-së, njëri i partisë dhe tjetri i grupit parlamentar, që e shpjeguan me detaje se pse ligji në fjalë është brenda të gjitha rregullave, megjithëse Bumçi nuk i është përgjigjur pyetjes nëse ligji për dosjet do të jetë të hënën në parlament. Bogdani paradite dhe Bumçi pasdite në bllok kanë shprehur qëndrimin e Berishës sa i takon ligjit, edhe pse ka pasur një angazhim të ndërkombëtarëve që ky ligj të mos kalojë pa ekspertizën ndërkombëtare.
Zëdhënësi i Berishës, Bogdani shpalli dje pesë arsye se pse ligji duhet të kalojë në parlament. “Ligji aktual është kopje e zbutur e ligjit të vitit 1995, variant identik i ligjit çek i ’91-it; ligji i ’95-ës është konsideruar kushtetues në janar të ’96-ës; në ligjin çek parashikohet pastërtia e figurës së njerëzve të drejtësisë dhe gjyqësorit; edhe në draftin e Topit dorëzuar në 2006 është parashikuar një nen i tillë; Gjykata e Strasburgut nuk ka hedhur poshtë asnjë ligj të lustracionit”, - ishin pretendimet e Bogdanit dje. Në një nga arsyet e tij, Bogdani përmend se ligji i ’95-ës u konsiderua kushtetues në ’96-ën, ndërkohë që në
1998-ën u votua Kushtetuta e Shqipërisë, mbi bazën e së cilës merren në konsideratë të gjitha ligjet e hartuara që pas këtij viti.
Në fund të deklaratës së tij Bogdani sulmoi edhe njëherë Edi Ramën dhe Zamir Shtyllën, këtë të fundit duke i përmendur të njëjtën deklaratë si Berisha, ngjarjen e Sarandës.
Për deklaratën e Bogdanit reagoi Besnik Bare, kryetari i PS-së së Tiranës. “Sipas tij (Bogdanit) opozita gënjen, qeveria e SHBA gënjen, OSBE gënjen, Këshilli i Evropës gënjen! Turp i madh për Saliun!”, - tha ai dje në një reagim të menjëhershëm.
Opozita premtoi po dje se nuk do ta bojkotojnë parlamentin të hënën, por nuk do ta votojë ligjin e dosjeve. Sipas sekretares së marrëdhënieve ndërkombëtare, Arta Dade, opozita nuk do të marrë pjesë në votimin e asnjë ligji nëse nuk kalon për miratim Kodi Zgjedhor. “Ne jemi konsistentë në qëndrimet tona politike në respekt të Kushtetutës, në respekt të rregullores së Kuvendit, ne sikurse jemi deklaruar, nuk do të marrim pjesë në asnjë votim ligji pa ardhur në seancë Kodi Zgjedhor”, - u shpreh dje Dade.
Sipas saj, me draftin e dosjeve PS-ja është shprehur gjithnjë kundër, pasi ai ligj jo vetëm shkel Kushtetutën, por nuk ka as ekspertizën ndërkombëtare. “Nuk është faji ynë dhe nuk i jemi imponuar ne ndërkombëtarëve që kërkesat e tyre të vijnë në një linjë me kërkesat që ka grupi i PS-së”, - tha Dade.
Por PD-ja nuk u ndal dje vetëm me deklaratën e Bogdanit duke i shtuar reagimin e Bumçit, i cili e bëri këtë pasditen e djeshme. “Edi Rama nëpërmjet zëdhënëses së tij deklaroi se i thjeshton në pakënaqësi lumenjtë e lotëve, gjakut dhe mjerimit që shkaktoi lufta e klasave në Shqipëri. Grupi parlamentar i PD-së e fton z.Rama të dënojë të shkuarën komuniste në tërësi, të distancohet nga ligjet e tij familjare me krimet e komunizmit dhe të shikojë përpara”, - tha Bumçi. Ai më tej kundërshtoi Daden që e konsideron ligjin e lustracionit si urrejtje kombëtare. “E sqarojmë zotin Rama se ligjet e lustracionit janë ligje, që në të gjitha vendet ish-komuniste kanë pasur një synim madhor, largimin nga urrejtja kombëtare”, - tha zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së. Sipas tij, këtë urrejtje e nxit prania e atyre “që kanë lidhur me tela me gjemba qytetarë”, të tjerët që kanë montuar procese politike, që kanë dënuar për fjalën e lirë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›