E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Rikthehen pronat publike në dy komunat e Fierit

Zv. kryeministri Genc Pollo, njëkohësisht Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, informoi se në përputhje me ligjin, komunave Libofshë dhe Dermenas në rrethin e  Fierit u janë rikthyer pronat publike, duke korrigjuar kështu padrejtësitë e kryera nga zyrtarët abuzues. Pollo, i cili drejton komisionin e ngarkuar për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të ndarë me ligjin 7501, deklaroi në një prononcim për shtyp, se nxënësve të  Libofshës do tu rikthehet oborri i shkollës, i zaptuar prej më shumë se 10 vjetësh, ndërsa banorët e Dermenasit do të mund të ndërtojnë varrezën e fshatit, në truallin e planifikuar, që fatkeqësisht ishte zaptuar prej shumë kohësh. Komisioni Vendor pranë Prefekturës Fier ka marrë vendimet e duhura, duke zbatuar ligjshmërinë, duke ndëshkuar zaptuesit dhe duke i bërë një shërbim të çmuar komuniteteve në Libofshë dhe në Dermenas. Dy rastet e Fierit  janë ndër të parat, por vendime të ngjashme do të vijojnë dhe do të bëhen të njohura, theksoi Pollo. Sipas tij, në këtë mënyrë do të korrigjohen padrejtësitë e kryera nga zyrtarë abuzues dhe nga privatë, në këtë mënyrë i kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish- pronarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›