Topi, keqardhje për mungesën e Sejdiut në Maqedoni
Gjatë vizitës së tij në Maqedoni, presidenti Bamir Topi, i cili mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit Gjorgje Ivanov, ka shprehur keqardhjen e tij për mungesën e presidentit kosovar Fatmir Sejdiu. Të gjithë liderët e Ballkanit duhet të vlerësojnë se realiteti gjeopolitik në Ballkan ka ndryshuar dhe sidomos mbas njohjes nga pjesa më e madhe e vendeve të rajonit të shtetit më të ri të Kosovës dhe në frymën që stimulohet nga partnerët tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë është e nevojshme që në tavolinat rajonale që do të zhvillohen në të ardhmen, patjetër që aty duhet të ketë edhe presidenti Sejdiu.
Pasi kjo do ti kontribuojë rritjes dhe intensifikimit të marrëdhënieve midis vendeve në të gjitha nivelet, theksoi Topi në fjalën e tij. Ndërkaq, nga ana e tij, presidenti i Kosovës ka shuar kureshtjen e mediave duke deklaruar se shkaku i mungesës së tij në ceremoninë e zhvilluar në Shkup për presidentin Ivanov ishte mungesa e një ftese nga ana e autoriteteve Maqedonase. Gjithsesi, kreu i shtetit shqiptar ka zhvilluar një vizitë të ngrohtë dhe është takuar me homologun serb Boris Tadiç, me të cilin ka zhvilluar një bisedë miqësore. Ndër të tjera, kreu i shtetit shqiptar ka zhvilluar edhe një takim me presidentin e ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Duke u ndalur në nivelin e lartë të dialogut politik midis dy vendeve tona, presidenti Topi shprehu gatishmërinë për thellimin e tij, si në funksion të marrëdhënieve dypalëshe, shumëpalëshe e rajonale, nëpërmjet vazhdimësisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të niveleve të larta. Nga ana e tij presidenti maqedonas Ivanov, tha se takime të këtij niveli, japin një mesazh dhe imazh të ri mbështetur mbi parime të përbashkëta mbi aspiratën tonë për tu integruar në Bashkimin Evropian.