Meta: LSI do të sjellë ndryshimin në vend
Kryetari i LSI-së Ilir Meta tha dje gjatë një takimi që zhvilloi me banorët e njësisë bashkiake nr. 8, se LSI është forca politike që sjell ndryshim në vend. Duke risjellë në kujtesë propozimet konkrete të depozituara në Kuvend, si për nxitjen e investimeve në sektorin elektro-energjetik, ashtu dhe për moshën e tretë, Meta tha se maxhoranca nuk ka treguar asnjë vullnet politik për t'i vlerësuar ato. "LSI ka treguar vëmendjen e duhur ndaj moshës së tretë, duke paraqitur prej muajsh një p/ligj për këtë kategori shoqërore. Berisha mos të bëjë sikur jep disa fonde për të moshuarit në prag të festave të fundvitit, por në rast si ai do të kishte vërtetë vullnetin politik për të mbështetur moshën e tretë, nuk e mbante prej kaq muajsh këtë p/ligj në sirtarët e Parlamentit. Ne jemi e vetmja forcë politike që ka paraqitur një p/ligj për nxitjen e investimeve në sektorin elektro-energjetik që në nëntor të 2005, pra që në fillim të këtij Parlamenti, e cila nëse do të ishte marrë parasysh ekzaktësisht, ashtu si e paraqitëm ne nga kjo Qeveri, do të kishim ndërtimin e mjaft veprave energjetike në vend", tha Meta.