E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat zhvlerësojnë bursat,“ngrijnë” akcizën e naftës

 

Fabiola Çela

Kriza ekonomike duket se e ka prekur qartë buxhetin e shtetit. Një ditë më parë, Ministri i Financave la të kuptohej se do të përdoren metodat fiskale për të mos lejuar uljen e çmimeve të konsumit dhe si rrjedhojë deflacionin në Shqipëri. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është ulja e të ardhurave tatimore dhe doganore nga ulja e çmimeve, si rezultat i krizës ekonomike në të gjithë botën. Një ndër zërat më të mëdha të të ardhurave buxhetore është ai i akcizës, shumica e të cilës mblidhet nga karburantet. Ulja e çmimit të karburanteve në të gjithë botën ka sjellë edhe uljen e çmimit në faturat doganore të tregtarëve. Aktualisht akciza e naftës në Shqipëri, e cila furnizon rreth 90 për qind të tregut, është me dy nivele, 27-37 për qind. Në ligj theksohet se për naftën akciza është 75 për qind e çmimit, por jo më pak se 27 lekë për litër dhe jo më shumë se 37 lekë për litër. Pra dy nivelet varen nga çmimi i importit. Kur ulet çmimi, normalisht doganat duhet të përdorin akcizë të ulët dhe e kundërta kur çmimi rritet. Por ulja e çmimit sjell edhe uljen e të ardhurave doganore. Dy ditë më parë Bode e pranoi këtë efekt të krizës, kur i pyetur në ndikimin që ka në të ardhurat e buxhetit ulja e çmimeve në tregjet botërore, tha se: sigurisht që ndikojnë dhe tani janë ndjerë pak, por sigurisht në një anë i humbet si të ardhura në buxhetin e shtetit por nga ana tjetër i fiton si të ardhura në buxhetin e konsumatorëve". Në fakt Projekti i ri i Financave, ka të bëjë më shumë te të ardhurat e buxhetit të shtetit se sa te të ardhurat e konsumatorëve. Gazeta ka zbuluar një vendim të Ministrisë së Financave që do të heqë dy nivelet e akcizës dhe do të vendosë një akcizë fiskale prej 37 lekë/litër për karburantet. Pra në një litër eurodiezel, që kushton 115 deri në 120 lekë/litri, importuesit duhet t'i paguajnë arkës së shtetit 37 lekë vetëm për akcizë, edhe pse çmimi i arit të zi në bursa ka pësuar rënie drastike. E thënë më thjesht, me këtë vendim të qeverisë, importuesve nuk u lejohet të ulin më çmimin e karburanteve në treg, pasi nuk ul taksat sipas çmimit. Kjo pohohet edhe në shpjegimin që financat i bëjnë ligjit, kur theksojnë se ky ndryshim do të sjellë rreth 15 milionë dollarë më shumë buxhetit të shtetit gjatë vitit të ardhshëm. "Me çmimet ekzistuese në tregun botëror të karburanteve, impakti në buxhetin e shtetit nga rishikimi i masës së akcizës për vitin 2009-ë përllogaritet rreth 1.5 miliardë lekë efekt pozitiv". Dy janë faktorët që ndikojnë në çmimin e karburanteve, i pari ka të bëjë me çmimin e arit të zi në bursat ndërkombëtare dhe i dyti janë taksat. Aktualisht kuotimi arit të në zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar rënie të ndjeshme, gati 75 për qind më pak se disa muaj më parë. Por, heqja e referencës prej 75 për qind të çmimit për matjen e akcizës, i zhvlerëson efektet e bursave ndërkombëtare. Sado të ulet çmimi në bursa i naftës, akciza e saj do të jetë fikse, 37 lekë/litër dhe sigurisht ulja e çmimit do të jetë më e vogël se sa ajo e bursave. Një vendim që shkon qartë në kundërshtim me deklaratën se ulja e të ardhurave buxhetore nga ulja e çmimeve ndërkombëtare, shkon në të mirë të qytetarëve. Vendimi, i propozuar nga financat do të thotë e kundërta, çmime më të larta për qytetarët dhe më shumë para për buxhetin e shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›