Durrës-Kukës, Rama: Problemi i vetëm, abuzimi me rrugën
Rama premtoi se do të jetë PS-ja ajo që do të mbarojë rrugën Durrës-Kukës, me të gjitha parametrat që i duhen
Kukës - Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë dje në qytetin e Kukësit, në një takim me elektoratin. Pjesën më të madhe të fjalimit, lideri i selisë rozë e ka përdorur për t'u shpjeguar përkrahësve të tij, por edhe mbarë popullit të Kukësit, se partia që ai drejton, por as edhe ndonjë socialist në mbarë Shqipërinë, nuk është kundër projektit të rrugës Durrës-Kukës, por kundër abuzimeve me fondet e kësaj rruge. Vetëm një ditë pas përfundimit të gjyqit ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, të akuzuar për "shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë", në rrugën Rrëshen-Kalimash, lideri socialist foli pikërisht nga Kukësi për këtë rrugë të shumëpritur për këta banorë, por jo vetëm. Sipas Ramës, oborri kryeministror ka vjedhur simbolin e kombit, pasi kjo rrugë bashkon dy shtete shqiptare. Paratë e shpenzuara, përpos punimeve, kanë shkuar edhe në xhepat e oborrit kryeministror dhe këto borxhe shqiptarët do t'i lajnë brez pas brezi. Ky ka qenë thelbi i idesë së liderit socialist mbi këtë vepër publike, që ai vetë e quajti rruga strategjike. "Kuksianët dhe gjithë shqiptarët nuk e meritojnë që, në emër të rrugës strategjike, të abuzohet me fondet e tyre. Kush mendon, qoftë socialist apo demokrat, që rruga të bëhet duke abuzuar me fondet, gabon rëndë. Këto fonde nuk janë të Kryeministrit apo oborrit kryeministror. "As unë dhe askush nga ne socialistët nuk ka thënë dhe as nuk mendon që rruga Durrës-Kukës të mos bëhet, për më tepër që ideatori i kësaj rruge është Pandeli Majko", - u është drejtuar dje Edi Rama, qytetarëve të Kukësit. Me pas, kreu i selisë rozë tha se, i vetmi problem i socialistëve me rrugën Durrës-Kukës-Morinë, është abuzimi me fondet e saj. "Nuk besoj se ka shqiptar të vetëm që të mos thotë se kjo rrugë është strategjike për vendin tonë e për Kosovën. Ashtu siç kam edhe bindjen se çdo shqiptar andej e këndej kufirit, nuk do të dëshironte që flamuri i kombit dhe rëndësia që ka kjo rrugë për kombin, të përdoren si thes për të hequr paratë e kësaj rruge mënjanë, në favor të oborrit kryeministror. Ky është problemi i vetëm që ne kemi me këtë projekt", - tha Edi Rama. Në vazhdim të fjalës së tij, Rama ka shprehur sigurinë se do të jenë socialistët ato që do të përfundojnë rrugën Durrës-Kukës-Morinë, duke saktësuar njëherësh se rruga nuk do të përfundojë në qershor, ashtu siç premton Berisha". Sot po ua them këtu, me plot gojën, se ne do ta mbarojmë rrugën Durrës-Kukës me të gjitha parametrat që i duhen kësaj rruge që do të lidhë shqiptarët nga jugu në veri e nga veriu në Kosovë, në kohën më të shpejtë",- garantoi numri një i socialistëve. Duke folur edhe një herë për shpërdorimet në këtë investim madhor, Rama ka shtuar: "Rruga Durrës-Kukës nuk po bëhet me paratë e Sali Berishës apo oborrit tij kryeministror, por me paratë e popullit socialist e demokrat. Borxhet e marra për këtë rrugë nuk do t'i shlyejë Sali Berisha e familja e tij, por do t'i shlyejnë shqiptarët dhe fëmijët e tyre". Në Kukës, lideri i opozitës tha në vazhdim se Shqipëria është e kërcënuar nga kriza, si pasojë e krizës botërore