“Durrës-Kukës”, Topalli: Rruga e ka emrin Sali Berisha
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e shoqëruar nga dhjetëra gra dhe të rinj, vizitoi dje rrugën Durrës-Kukës, nga ku deklaroi se kjo rrugë e ka emrin Sali Berisha. Pasi u njoh me të dhënat e kësaj rruge, Topalli tha se ajo do të mbarojë në muajin qershor. “Kjo rrugë e ka emrin Sali Berisha. Kjo është një vepër unike që mendohej se mund të bëhej pas 20 viteve. Ndërkohë që është realizuar në një periudhë kaq të shkurtër dhe me një intensitet kaq të lartë për t’u të bërë e mundur që të mbyllet në qershor”, - tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit shoqërohej në këtë vizitë me të rinj e me gra nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora. Kryetarja e Kuvendit së bashku me grupin e grave dhe vajzave kanë parë nga afër punimet e bëra në këtë aks rrugor. Topalli tha më tej se kjo rrugë së bashku me boshtin e Jugut, përfaqësojnë piketat domethënëse të një Shqipërie që po ndryshon. Drejtuesit e projektit pohuan se janë 3800 punonjës, 60 për qind e të cilëve shqiptarë që punojnë 24 orë në 24 dhe vlerësuan se pa mbështetjen dhe këmbënguljen e qeverisë, kjo vepër gjigande nuk do të mund të realizohej në një kohë kaq të shkurtër. Rruga Durrës-Kukës, 170 kilometra autostradë, me 2 tunele me nga 5.5 kilometra secili, 27 ura, më e gjata 360 metra dhe më e larta 80 metra. Punohet me ritmin maksimal, ashtu siç punohet me ritmin e ndërtimit të të gjitha rrugëve në Shqipërinë e shndërruar në një kantier gjigand ndërtimi. Kjo rrugë është një arterie qendrore që do t’i japë frymëmarrje të gjithë tregut rajonal. Inxhinierët e firmës “Bektel-Enka” pohojnë se kanë përfunduar gërmimet në 96% të rrugës, pa përfshirë tunelin. Ritmet e punimeve në segmentin e fundit të autostradës Morinë-Kukës-Durrës, që shtrihet në territorin e komunës së Kolshit me gjatësi 5,6 km, vetëm rreth 4 km larg qytetit të Kukësit, janë përshpejtuar dukshëm. Përfaqësues të kompanisë "Alb Building", që po kryen punimet në këtë segment, thonë se “punimet në këtë aks do të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar, që është muaji qershor 2009”. Projekti madhor i qeverisë shqiptare, që lidh Shqipërinë me Kosovën siç e njohin të gjithë, ka bërë të marrin jetë shumë fshatra që rruga i përshkon.