Tërheqja e kandidatëve, Ristani: Partitë mund t’i zëvendësojnë
Kandidatët për deputetë që shpallin dorëheqjen nga kandidimi mund të zëvendësohen. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, tha dje për “standard” se kur një kandidat vetëtërhiqet, “partitë kanë të drejtë ta zëvendësojnë atë”. Çdo kandidat firmos një dokument të lëshuar nga KQZ, ku ai shpreh vullnetin për të garuar, por në rast se ndonjë kandidat që ndodhet në listën shumëemërore, por nuk firmos dokumentin që pranon kandidimin, ai zëvendësohet. Në bazë të udhëzimit numër 9 të datës 25 mars të KQZ-së, në rast parregullsish në lista, partitë kanë vetëm 5 ditë kohë ta korrigjojnë atë. Pra lista finale miratohet nga KQZ-ja jo më vonë se 35 ditë nga data e zgjedhjeve. Por kjo bëhet vetëm për kandidatët që nuk lejohen nga ligji dhe Kushtetuta të kandidojnë, si dhe për ata që shpallin tërheqjen. Një fakt të tillë e konfirmoi edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Klement Zguro, i cili tha se “procedura e verifikimit të listës së kandidatëve është e përcaktuar në udhëzimin e KQZ-së”.
Nisur nga rasti konkret, ku kandidati i PD-së, Sami Gjergji, në qarkun e Durrësit, i nënti në renditje, shpalli dorëheqjen nga kandidimi, Partia Demokratike ka të drejtën ligjore që Gjergjin ta zëvendësojë me një tjetër kandidat. Një mundësi e tillë është edhe për partitë e tjera, të cilat kanë të pakënaqur dhe që shpallin largimin nga gara. Kështu, në rast se në një qark të caktuar tërhiqet ndonjë kandidat nga gara, partia tërheq edhe njëherë listën e kandidatëve të qarkut, e riplotëson atë dhe e dërgon përsëri në KQZ brenda afatit. Në rast se në ndonjë qark tjetër lista është e rregullt, ajo nuk preket nga partitë.
Gjithsesi, sot KQZ-ja do të bëjë mbledhjen ku do të shqyrtojë listën e kandidatëve për deputetë. Puna e KQZ-së është pikërisht verifikimi ligjor i çdo kandidati. Nga ana tjetër, çdo kandidat nënshkruan një akt të miratuar nga KQZ-ja, që ai është dakord me kandidimin. Krahas listave të partive politike me emrat e të gjithë kandidatëve, do të jetë edhe dokumenti i firmosur nga çdo kandidat që pranon të jetë pjesë e listës.
Me mbledhjen e KQZ-së nis edhe procesi i verifikimit të dokumentacionit të kandidimit. Tri drejtori në KQZ verifikojnë çdo aspekt ligjor që lidhet me kandidatët, që nga Kushtetuta dhe ligji, emri në Gjendjen Civile, si dhe nënshkrimin e tij për të qenë pjesë e listës.
Pas verifikimit të dokumentacionit të kandidimit sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor dhe të këtij udhëzimi, grupi i punës përgatit një relacion në lidhje me dokumentacionin e paraqitur. Nëse dokumentacioni vlerësohet i plotë dhe në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor, së bashku me relacionin e grupit të punës i kalon për miratim KQZ-së. Nëse grupi i punës vëren parregullsi, jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e dokumentacionit, i paraqet një relacion KQZ-së, në të cilin parashtrohen parregullsitë e konstatuara. KQZ-ja shprehet me vendim për kthimin për korrigjim të parregullsive të konstatuara në dokumentacionin e paraqitur. Vendimi i kthimit për korrigjim të dokumentacionit merret jo më vonë se 35 ditë nga data e zgjedhjeve. Pas mbarimit të afatit të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor, por jo më vonë se data 13 qershor 2009, KQZ-ja publikon listën e plotë të kandidatëve në tri gazetat me tirazh më të madh në shkallë vendi, në mediat elektronike, si dhe në faqen zyrtare të saj në internet.