E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, edhe Toma e Teliti në Gjykatën e Lartë

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do të vendosë nëse kërkesa e të pandehurve të rrugës Durrës-Kukës, që pretendojnë se prokuroria nuk ka fakte për shtyrjen e afateve të hetimit edhe një muaj, është e saktë apo e gabuar. Dje, në Gjykatën e Tiranës prokurori Arben Kraja kërkoi që kjo gjykatë të shpallë moskompetencën për kërkesën e dy të pandehurve për dosjen "Durrës-Kukës, Armand Teliti dhe Andi Toma. Prokurori deklaroi se kërkesa e dy të pandehurve duhet t‘i kalojë Gjykatës së Lartë. Kraja theksoi se dy ish-zyrtarët janë të akuzuar për shpërdorim detyre njësoj si ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, gjyqtari Sokol Tona shtyu seancën gjyqësore deri në një përcaktim të kompetencave se ku do të shqyrtohet kërkesa e Tomës dhe Telitit. Këta të fundit kanë kërkuar anulimin e zgjatjes së hetimit për çështjen e rrugës Durrës-Kukës, duke e konsideruar këtë akt me prapavijë politike.

Padia në Gjykatën e Lartë

Të pandehurit e dosjes "Durrës-Kukës", Armand Teliti dhe Andi Toma, dorëzuan disa ditë më parë në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën e Tiranës padinë për prokurorin Arben Kraja. Objekti i ankimit në gjykatë nga ish-zyrtarët e pandehur të Ministrisë të Transporteve është kundërshtimi i vendimit të prokurorit Arben Kraja, për zgjatjen e hetimeve të dosjes "Durrës-Kukës" edhe me një muaj tjetër, deri më 6 dhjetor 2008. Ata iu drejtuan gjykatës një ditë pasi prokurori i çështjes, Arben Kraja, i thirri në zyrën e tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe u komunikoi se ata do të ishin të pandehur edhe për një muaj tjetër. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se shkak për shtyrjen e hetimeve është bërë nevoja për kryerjen e disa veprimeve teknike në dosjen penale dhe përkthimi i shifrave financiare në kuadër të dispozitës penale për "shpërdorim detyre", për të cilën akuzohen të pandehurit e kësaj çështjeje. "I jam drejtuar Gjykatës së Tiranës dhe Gjykatës së Lartë, në mënyrë që hetimet të ndërpriten dhe çështja të marrë zgjidhje", është shprehur kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Armand Teliti, njëri nga tre të pandehurve të dosjes "Durrës-Kukës". Ai tha se prokuroria nuk ka realizuar asnjë akt procedural dhe po kërkon ta shtyjë një muaj procesin. Disa ditë më parë seanca gjyqësore është shtyrë, pasi prokurori i çështjes mungonte. Ndërsa dje gjyqtari Sokol Tona vendosi që më parë duhet të shprehet Gjykata e Lartë në lidhje me kompetencën se kujt organi gjyqësor i takonte shqyrtimi i kërkesë-padisë.

Hetimet për Durrës-Kukës

Në fillim të këtij muaji, me kërkesë të prokurorit të çështjes, Arben Kraja, Kryeprokurorja Ina Rama vendosi të shtyjë afatet hetimore edhe 30 ditë ndaj personit nën hetim, Lulëzim Basha, dhe të pandehurve Armand Teliti e Andi Toma, dy ish-zyrtarë të Ministrisë së Transporteve në kohën e projektimit dhe tenderimit të kësaj rruge. Sipas burimeve zyrtare të akuzës, thuhet se pas marrjes së akt-ekspertimit të ekspertëve kontabël, të cilët kanë vlerësuar dëmin e shtetit në ndërtimin e kësaj rruge, prokurori Kraja ka kërkuar edhe një muaj, deri më 6 nëntor, për t‘i dhënë drejtim dosjes hetimore. "Dy ekspertët kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, pas analizimit të dokumenteve të sekuestruara pranë Ministrisë së Transporteve, që organi i akuzës i ka bërë pjesë të fashikullit të hetimit, rezulton se kostoja totale e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës kap shifrën e 1 miliard e 23 milionë eurove. Kosto kjo e cila, sipas ekspertëve, është shumë e madhe për një ndërtim të tillë", thuhet nga burimet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›