E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, gjykata rrëzon përsëri Ina Ramën

Prokuroria ka marrë një
tjetër "shuplakë" për dosjen
Durrës-Kukës. Kësaj herë,
Gjykata e Lartë ka vendosur dje
që ankimi i shtetasve Andi Toma
dhe Armand Teliti, për zgjatjen
e afateve të hetimit nga Prokuroria
e Përgjithshme në datat
6 nëntor-6 dhjetor 2008 është i
paligjshëm. Për rrjedhojë, çdo
veprim i organit të akuzës pas
datës 6 nëntor i vitit të kaluar
është i pavlefshëm. Por, organi
i prokurorisë, pas kësaj date, i
ka komunikuar ish-ministrit të
Transporteve, Lulzim Basha,
statusin e personit të pandehur.
Relatorja e çështjes, Majlinda
Andrea, ka lexuar dje vendimin
e shumicës dhe i ka komunikuar
prokurorit Arben Kraja se
dosja Durrës-Kukës duhet të
ishte mbyllur në datën 6 nëntor.
Burimet nga gjykata deklaruan se
për këtë vendim u shpreh edhe
pakica, sipas së cilës, Gjykata
e Apelit nuk ka vepruar drejt.
Ndërkohë, organi i prokurorisë
deklaroi dje se vendimi nuk prek
të pandehurin Lulzim Basha. Relatorja
tha se vendimi i gjyqtarit
të Shkallës së Parë, Sokol Tona,
është i bazuar në ligj. Gjyqtari në
fjalë do të vendoste se "organi i
prokurorisë, midis veprimeve
hetimore të kryera, rezulton të
ketë marrë edhe vendimin datë
06.11.2008, në lidhje me zgjatjen
e afatit të hetimeve të procedimit
penal, nr. 1 të vitit 2007, nga
data 06.11.2008, deri në datën
06.12.2008". Sipas vendimit, duke
qenë se midis subjekteve që hetohen
për sa më sipër janë edhe
shtetasit Armand Teliti dhe Andi
Toma, të cilët me vendimin datë
06.09.2007 të Prokurorisë së Rrethit
Gjyqësor Tiranë, janë marrë
si të pandehur duke u akuzuar
për kryerjen e veprës penale
të "shpërdorimit të detyrës, në
bashkëpunim". Këta të fundit,
duke mos qenë dakord, me vendimin
e sipërcituar të zgjatjes së
afatit të hetimeve, i janë drejtuar
kësaj gjykate me një kërkesë ankimore
për shfuqizimin e vendimit
të sipërcituar. Gjykata e Shkallës
së Parë, në vështrim të provave që
administroi, si edhe duke dëgjuar
pretendimet e palëve, vlerëson se
kërkesa është e drejtë, e bazuar
në ligj dhe si e tillë ajo duhet të
pranohet.
Vendimi
"Hetimet e këtij procedimi
penal nuk janë bërë të mundura
të përfundojnë brenda këtij afati,
për arsye objektive. Konkluzionet
e aktit të ekspertimit të
datës 29.09.2008 i janë vënë në
dispozicion të pandehurve dhe
personit nën hetim për të paraqitur
pretendimet e tyre. Në vazhdim
është e nevojshme për të
kryer edhe disa veprime të tjera
hetimore, që lidhen me konkluzionet
e këtij akti ekspertimi",
thuhet në vendim e Gjykatës
së Lartë, referuar vendimit të
Shkallës së Parë. Në vështrim të
sa më sipër, gjykata konstaton
se arsyeja e zgjatjes së afatit të
hetimeve ka të bëjë dhe lidhet
me faktin e kryerjes së veprimeve
hetimore rreth konkluzioneve
të aktit të ekspertimit, i cili siç u
sipërcitua daton më 29.09.2008
dhe ndërkohë pretendohet që
hetimet të vazhdohen deri më
06.12.2008. Përfaqësuesi i organit
të prokurorisë parashtroi argumentet
në funksion të nevojës së
afateve kohore, për kryerje të veprimeve
hetimore. Ndërsa duke
pretenduar krejt të kundërtën,
gjykata administroi në seancë
pohimet e ankuesve, si edhe të
avokatit të tyre, sipas të cilëve,
nga ana e organit të Prokurorisë
së Përgjithshme kanë qenë të
gjitha mundësitë dhe afatet ko-
hore për përfundimin e hetimeve
të çështjes në fjalë. Në analizë
të provave të administruara,
gjykata u bind përfundimisht në
vërtetësinë e pretendimeve dhe
argumentin juridik të parashtruar
nga ankuesit Armand Teliti
dhe Andi Toma.
Toma dhe Teliti
Gjykata thotë se këta dy
shtetas janë marrë si të pandehur
në datën 06.09.2007, duke u
akuzuar për kryerjen e veprës penale
të "Shpërdorimit të detyrës,
në bashkëpunim". Pikërisht,
rreth nevojës për kryerjen e një
akti ekspertimi, të konsideruar
si të tillë, nga ana e organit të
prokurorisë, shtetasit Armand
Teliti dhe Andi Toma (jo vetëm
këta të dy) i kanë parashtruar
atij organi një memorie, e cila
mban datën 12.05.2008, në të
cilën për shkaqet e parashtruara
në të, ata e konsiderojnë, sipas
tyre, vendimin për kryerjen e një
akti ekspertimi, si të paarsyetuar
dhe joligjor. Ndonëse në dijeni
të një qëndrimi të tillë, organi i
prokurorisë, në datën 06.10.2008,
ka marrë në pyetje të pandehurit
(në atë proces), Armand Teliti dhe
Andi Toma, duke mbajtur edhe
procesverbalet përkatëse. Pavarësisht
se qëndrimet e të pandehurve
Armand Teliti dhe Andi Toma,
në lidhje me aktin e ekspertimit,
janë evidente dhe të dokumentuara,
në aktet e sipërcituara
(Memoria e datës 28.05.2008, si
edhe procesverbali i pyetjes së
tyre i datës 06.10.2008), përsëri
nga ana e organit të prokurorisë,
shtetasit Armand Teliti dhe Andi
Toma janë marrë në mënyrë të
përsëritur në pyetje, pas një
muaji, për të njëjtin fakt, për
të parashtruar opinionet e tyre
rreth të njëjtit akt ekspertimi,
atij të datës 29.09.2008. Teliti
dhe Toma jo vetëm kanë shprehur
qëndrimin e tyre konstant,
por madje ata kanë kërkuar
edhe përfundimin e hetimeve,
që, sipas tyre, po zgjaten pa
shkak. Pikërisht në këtë datë,
ndonëse përballë argumenteve
të sipërcituara, prokurori i
çështjes, me vendimin e tij të
së njëjtës datë (06.11.2008) ka
vendosur zgjatjen e afatit të
hetimeve, me argumentin e
vetëm, të kryerjes së veprimeve
hetimore, rreth konkluzioneve
të aktit të ekspertimit. Pikërisht,
një vendim të tillë, kjo gjykatë
me provat që u sipërcituan e
konsideron të pa justifikuar,
pasi e gjen të pamotivuar dhe
të pa argumentuar faktin që
organi i prokurorisë, në funksion
të hetimeve të tij, e aq më
shumë në një çështje të tillë,
të shfrytëzojë një hapësirë kohore,
që vetëm për veprimet
rreth konkluzioneve të aktit të
ekspertimit të kërkojë një kohë
në limitet e datave 29 shtator-06
dhjetor 2008. Kjo gjykatë gjen
të drejtë pretendimin e ankuesve
në këtë proces, se zgjatja e
afatit të mëtejshëm të hetimeve,
rreth aktit të ekspertimit, është
e pajustifikuar.

Basha, dy dosje në Gjykatën e Lartë

Ish-ministri i Transporteve, Lulzim
Basha, nuk ka asnjë akuzë mbi
shpatulla, madje veprimi i prokurorisë
për marrjen e tij të pandehur
është i paligjshëm. Kjo rezulton
të paktën sipas një vendimi të
gjykatëses Fatmira Hajdari, e veja e
ish-liderit të dhjetorit Azem Hajdari,
e cila ka pranuar kërkesën e Bashës
se veprimi i akuzës për fl etëthirrjen
e tij dhe komunikimin e akuzës është
kryer jashtë afateve ligjore. Një tjetër
vendim gjykate është shënuar pro
Bashës, pas vendimit të gjyqtarit
Sokol Tona të datës 18 nëntor 2008,
i cili urdhëroi që prokuroria të
mbyllë hetimet në datën 6 nëntor
dhe dosjen ta dërgojë në gjykatë,
duke mos kryer asnjë veprim tjetër.
Por, pas kësaj, prokuroria i ka komunikuar
dy akuza ish-ministrit të
Transporteve, duke e akuzuar për
dëmin prej 232 milionë eurosh gjatë
ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.
Veprimin e prokurorisë e ka kundërshtuar
mbrojtja e Bashës, e cila ka
depozituar në Gjykatën e Tiranës
një padi për shfuqizim të akteve të
prokurorisë. Vendimi i gjykatëses
Fatmira Hajdari është lënë në fuqi
nga Gjykata e Apelit, ndërsa pritet
që edhe kjo çështje të mbërrijë në
Gjykatën e Lartë. Në këtë gjykatë,
ish-ministri i Transporteve po gjykohet
për abuzimet gjatë ndërtimit të
segmentit Rrëshen-Kalimash. Tri
seancat e para janë shtyrë pa asnjë
motiv, duke vënë në pikëpyetje procesin
gjyqësor, i cili pas vendimit
të djeshëm duket se do të jetë në
favor të deputetit Basha, aktualisht
ministër i Jashtëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›