E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e dy policëve, zbardhet dosja

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka
zbardhur në kohë rekord ekzekutimin
e dy punonjësve të Policisë
së Shtetit në Kukës, duke vënë para
përgjegjësisë ligjore autorin Afrim
Hasanaj. Madje, burimet nga akuza
deklaruan se në kohë rekord do të
përfundojnë dosjen dhe do ta dërgojnë
në gjykatë, ku nuk përjashtohet as
gjykimi i pandërprerë. Kështu, sërish
me një shpejtësi të madhe autori do
të marrë një dënim maksimal. Burimet
nga Prokuroria e Përgjithshme thanë
se gjykimi mund të jetë i pandërprerë,
njësoj siç u zhvillua me pengmarrësit
e autobusit në qytetin e Mirditës, disa
vite më parë, kur u dënuan në një kohë
rekord nga ngjarja e kryer. Ndërkohë,
hetuesit e çështjes deklaruan se kanë
zbardhur edhe motivin e vrasjes, teksa
kanë marrë në pyetje dhjetëra persona,
të cilët do të paraqiten në gjykatë.
Ndërkohë, sot hetuesit e çështjes do
t‘i realizojnë një "vizitë" në qeli autorit
Afrim Hasanaj, i cili para arrestimit
është shfaqur i penduar, teksa ka komunikuar
me familjarët, duke i thënë
se "do të vriste veten". Sipas hetuesve të
çështjes, pas vrasjes së dy punonjësve
të policëve Shkëlzen Dobrushi dhe
Ramadan Hila, autori Afrim Hasanaj ka
komunikuar fillimisht me vjehrrin e tij,
duke i thënë se duhet të merrte gruan
e tij së bashku me dy fëmijët. "Kam
vrarë dy punonjës policie dhe do të
vras veten. Shko në shtëpinë time dhe
merr gruan time e fëmijët, pasi nuk do
të jem më në këtë botë", ka deklaruar
Hasanaj. Por, gjatë gjithë kohës vjehrri
i tij i është lutur që të dorëzohet dhe të
pranojë krimin e rëndë. Pas telefonatës
me vjehrrin, autori ka komunikuar me
motrën e tij, duke i përsëritur të njëjtat
gjëra. "Amanet familjen. Kam vrarë dy
punonjës policie, do të vras veten",
mësohet se i ka deklaruar Afrimi asaj.
Sipas hetuesve, familjarët e tij kanë
këmbëngulur që ai të dorëzohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›