E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës "gllabëron" ARMO-n

Gati gjysma e parave që do të vijnë nga privatizimi i shoqërisë publike të përpunimit të naftës, ARMO, do të shkojnë për të financuar projektin e shumëpërfolur të rrugës Durrës-Kukës. Paratë e marra nga shitja e ARMO-s do të futen në buxhetin shtesë që qeveria ka parashikuar të paraqesë në korrik të këtij viti. Në tenderin që u zhvillua pak ditë më parë, oferta maksimale për shitjen e ARMO-s ishte 125 milionë euro. "Gjysma e këtyre parave do të shkojë për të ulur borxhin e jashtëm, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për investime publike, kryesisht për të financuar segmentin Kalimash-Rrëshen", thotë Shehu. Por në total investimet e parashikuara për këtë vit nuk do të rriten. Kjo për shkak se në pamundësi për të thithur financimet e huaja, qeveria ka zgjeruar edhe më manovrën e saj për të zëvendësuar paratë e parashikuara për t‘u marrë nga kreditë e huaja me të ardhurat shtesë. Ministria e Financave kishte parashikuar të përdorte më shumë se 12 miliardë lekë nga buxheti suplementar për të financuar investimet, që në fillim të vitit ishin parashikuar për t‘u financuar me burime nga jashtë. Këtyre u shtohen dhe gati 6 miliardë lekë të tjera nga privatizimi i ARMO-s.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›