Para në dorë për të varfrit
Qeveria deklaroi se do të caktojë një fond të veçantë për shtresat në nevojë, përmes të cilit do të kompensojë rritjen e çmimeve. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, deklaroi se Ministria e Financave është duke përgatitur skemën, nga e cila do të përfitojnë të gjitha shtresat në nevojë. Ndonëse nuk ka bërë të ditur detajet për madhësinë e fondit dhe numrin e përfituesve, Shehu tha se skema e kompensimit do të jetë gati në fillim të muajit korrik dhe menjëherë pas kësaj do të nisë shpërndarja e parave. "Mbeten për t‘u përcaktuar akoma hollësitë, por është e sigurt se ky fond do të jetë përveç atij për rritjen e pagave dhe pensioneve", tha Shehu. Sipas tij, qëllimi i kësaj skeme është të kompensojë efektet negative që kanë prekur qytetarët si pasojë e rritjes së çmimeve. Kjo ishte skema që institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar dhe Banka Botërore i kishin sugjeruar qeverisë për të kompensuar rritjen e çmimeve. Ndërkohë, zëvendësministri ka vijuar të premtojë rritje reale të pagave, ose e thënë ndryshe, rritjen e tyre më shumë se niveli i inflacionit. Shehu tha se për këtë vit rritja mesatare do të jetë 9 për qind, nga e cila do të përfitojnë më shumë buxhetorët me pagat e ulëta. "Pensionet do të rriten nga 5 deri në 15 për qind, ku edhe për këtë vit prioritet do të kenë pensionet e ulëta", tha Shehu.