E Diel, 1 Nëntor 2026

“Durrës-Kukës”, hetimi i aferës kthehet në “pingpong” procedurash

Kryeprokurorja Ina Rama konfirmoi apelimin e vendimit të fundit gjyqësor. Prokuroria është e paqartë se çfarë do të hetojë gjatë muajit shtesë

Habjon Hasani

Tiranë - Kryeprokurorja Ina Rama ka konfirmuar dje se Prokuroria do të tentojë hetimin e dosjes “Rrëshen-Kalimash”, ndonëse përkohësisht hetimi është pezulluar, në respekt të vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë në Tiranë. Numri një i akuzës shqiptare nuk bëri asnjë koment lidhur me statusin e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, ndonëse kjo është pika më nevralgjike dhe më delikate e këtij hetimi. Rreth 2 muaj më parë “Albania” bëri të ditur se prokurori Arben Kraja kishte dorëzuar dosjen e kompletuar, sipas tij, pranë kryeprokurores, ndërsa një ndër të pandehurit ishte klasifikuar dhe Lulzim Basha. Pritej vetëm firma e Ramës, por pak më vonë u vendos të rishikoheshin dhe disa procedura vlerësimi për disa probleme teknike që lidhen me këtë investim. Tashmë dy muaj më vonë, çdo gjë është e paqartë lidhur me statusin e zotit Basha në këtë histori.
Kryeprokurorja
“Gjykata e Tiranës para pak ditësh ka vendosur të shfuqizojë vendimin tonë për zgjatje të afatin e hetimeve. Ky është një vendim gjykate, por ne nuk jemi dakord për këtë vendim dhe këtë e kemi apeluar në Gjykatën e Apelimeve. Gjithsesi, ky është një vendim që do të merret në konsideratë nga ana jonë për t’u dhënë rrugë hetimeve për çështjen ‘Durrës-Kukës’”. Kështu u shpreh dje paradite kryeprokurorja Ina Rama, ndërsa pretendimi i Prokurorisë nuk ka mundur të bindë gjykatësin e Shkallës së Parë, Sokol Tona, i cili vetëm pesë ditë më parë urdhëroi Prokurorinë të ndërpriste hetimet dhe të anulonte afatin e dytë shtesë. Në sallën e gjyqit Tona iu drejtua shumë thjeshtësisht prokurorit të çështjes dhe e pyeti se çfarë hetimesh ishin kryer gjatë muajit të parë shtesë që iu akordua prokurorisë. Prokurori Kraja pranoi në sallë të gjyqit se bëhej fjalë për disa procedura që kryesisht hidheshin me kthimin e përgjigjeve nga subjekte të marra në pyetje apo subjekte të cilave u është kërkuar mendim. Gjykatësi Tona i komunikoi prokurorit se në këtë rast nuk bëhet fjalë për hetime, pasi kthimi i përgjigjeve nga subjektet ka tejkaluar afatet ligjore dhe prokuroria ka të drejtë ta konsiderojë si një mospranim të tyre për t’iu përgjigjur interesimit të prokurorit. Kësisoj, gjykatësi Tona është shprehur se nuk ka nevojë për asnjë sekondë më tepër, pasi prokuroria nuk ka se ç’të hetojë më shumë.
Dritëhijet
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ende mbetet i pacaktuar statusi i ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht person në hetim, pavarësisht se pak javë më parë, ashtu si edhe tre zyrtarët e pandehur, edhe atij i është vënë në dispozicion një kopje e akt-ekspertizës së kryer përgjatë aksit “Durrës-Kukës”. Burimet u treguan të rezervuara të shpjegonin fatin e mëtejshëm të ish-ministrit të Transporteve në këtë dosje, pavarësisht se shtuan se mbyllja e hetimeve për këtë dosje tashmë është çështje orësh. Mënyra se si është vepruar me hetimin e kësaj çështjeje ka dritëhijet e veta. Kjo pasi, pa hyrë në detajet teknike të dosjes, që në relacionin e prokurorit të Tiranës Ervin Karanxha, roli i Bashës u argumentua në mënyrë të qartë, ndërsa ish-ministri rezultonte kudo protagonist dhe nxitës i thuajse të gjitha procedurave të paligjshme për ndërtimin e kësaj rruge. Kjo dosje u mbështet më tej dhe nga raporti special i KLSH-së. Por ndonëse dhe dy muaj më parë prokurori tjetër, Arben Kraja, i propozoi kryeprokurores të firmoste për dërgimin e Bashës si të pandehur, ende nuk ka një përgjigje afirmative për atë që po ndodh brenda mureve gri të Prokurorisë së Përgjithshme dhe atë që do të ndodhë zyrtarisht me zotin Basha.

Raporti i KLSH-së, në hetim katër tatimorë dhe tre doganierë

Në filtër dhe disa shkelje të gjetura në prokurimet publike

Raporti i fundit konfirmoi dëme deri në 30 milionë euro

Tiranë - Ekspertët ligjorë të Task-Forcës në prokurori kanë në shqyrtim raportin e KLSH-së për vitet 2005-2007 dhe për një pjesë të vitit 2008, ndërsa nga ekspertimi i raportit paraprakisht po hetohen katër punonjës të degës së Tatim-Taksave të Tiranës dhe tre zyrtarë të Doganës së Durrësit. Burime nga ky organ nuk përjashtuan zgjerimin e numrit të zyrtarëve që do të kalojnë në hetim. Zyrtarët e lartpërmendur janë marrë në pyetje nga prokurorët për të dhënë shpjegimet, pasi vetë prokurorët ishin koordinuar me ekspertë të KLSH-së për të specifikuar shkeljet e tyre. Nga viti 2005 në vitin 2007 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur shkelje financiare me vlerë prej 27 miliardë lekësh, ose rreth 30 milionë dollarë nëpër disa prej agjencive më të rëndësishme të qeverisë shqiptare.
Kontrollet
Këto shkelje të mëdha financiare janë kapur vetëm 107 kontrolle të kryera, çka do të thotë se këto shkelje mund të jenë shumë larg vlerës së vërtetë të shkeljeve që ka kryer administrata shqiptare gjatë këtyre dy viteve. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në administratën e Tatimeve kanë humbur mbi 11 milionë dollarë gjatë këtyre dy viteve. Degët e tatimeve në Elbasan, Tiranë dhe Pogradec janë shpërdorueset kryesore të parave të taksapaguesve. Më pas nuk mbeten edhe degët e tatimeve në Vlorë apo në Korçë, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Shkeljet financiare në Tatime janë kryer duke mos mbledhur sipas vlerave reale disa prej tatimeve, çka do të thotë se për biznese të caktuara administrata ka bërë lëshime dhe ka dëmtuar buxhetin. Në anën tjetër, këto lëshime kanë dëmtuar edhe konkurrencën duke favorizuar dikë.
Prokurimet
Në filtrin e ekipit Task-Forcë kanë kaluar dhe prokurimet e kryera gjatë kësaj periudhe. Prokurimet publike kanë qenë një zë i rëndësishëm abuzimesh për administratën gjatë këtyre dy viteve, thotë KLSH, dhe kanë shkaktuar një dëm financiar prej rreth 10 milionë dollarësh. Drejtoria e Rrugëve, Spitali “Nënë Tereza”, Mirëmbajtja e Rrugëve, Drejtoria e Hekurudhave, një numër i lartë këshillash të qarqeve të rëndësishme të vendit janë ndër abuzuesit me paratë publike, thotë raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Shkeljet kanë qenë të pranishme thuajse në të gjitha prokurimet që ka kontrolluar Kontrolli i Lartë i Shtetit, çka dëshmon se kësisoj ka ngjarë edhe në të gjitha prokurimet që nuk janë kontrolluar; shkelje procedurash, shtyrje afatesh, largim apo reduktim të numrit të pjesëmarrësve në prokurime nga një raund në tjetrin etj.

OX
Ekspertë të huaj për të “pajtuar” prokurorët me oficerët e Policisë

Tiranë - Marrëdhëniet shpesh të acaruara mes Ekzekutivit dhe Prokurorisë duket se kanë sjellë nevojën e një ekipi ndërkombëtar që do të “trajnojë” ekspertët e Prokurorisë dhe të Policisë Gjyqësore që të punojnë sa më profesionalisht. Bëhet fjalë për një projekt në vlerën e 800 mijë eurove të Bashkimit Europian. Projekti ka formën e një Binjakëzimi mes Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Prokurorisë së Përgjithshme të Spanjës dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor të Italisë. “Projekti do të asistojë Prokurorinë e Përgjithshme në përmirësimin e sistemeve të veta profesionale të menaxhimit dhe praktikave të punës në mënyrë që të rrisë eficencën, transparencën dhe drejtësinë e funksioneve të Prokurorisë në Shqipëri. Në veçanti, ekspertë spanjollë dhe italianë do të punojnë me Prokurorinë e Përgjithshme për zhvillimin dhe zbatimin e sistemeve moderne profesionale për inspektimin dhe vlerësimin e prokurorëve; për qartësimin e përgjegjësive të Policisë Gjyqësore në raport me ato të prokurorëve; për menaxhimin e burimeve njerëzore; dhe për teknikat dhe procedurat e hetimit”, - njoftoi dje zyra e shtypit të delegacionit europian në Tiranë.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›