FMN-ja paralajmëron: “Rrezikohemi nga një tjetër katastrofë”
Bota financiare mund të përballet me një katastrofë tjetër, që do të ndalë rritjen ekonomike në fund të vitit 2009. Hipoteza është hedhur nga drejtori i Përgjithshëm i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, në një deklaratë për të përditshmen franceze "Le Parisien". Sipas Strauss-Kahn: “Rritja ekonomike mund të nisë në fund të vitit 2009, por nuk përjashtohet ekzistenca e përballjes me një katastrofë tjetër financiare”. Megjithatë, sipas tij, është e ligjshme që të nxiten bankierët që të japin hua.
SHBA, shitja e aksioneve në rënie
Shitja e aksioneve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësoi rënie, pasi u njoftua se nuk kishte një marrëveshje mbi plan-shpëtimin për industrinë automobilistike. Deklaratat e liderëve të Kongresit përhapën panik tek investitorët. Treguesi industrial i Down Jones në New York ra me 5.46 për qind, që shënon edhe një rekord për pesë vjetët e fundit. Kjo ndodhi dy ditë më parë me mbylljen e Wall Street. Dje, në hapjen e tyre, tregjet europiane filluan ngritjen, pas shenjave pozitive që kishin shfaqur më parë edhe bursat aziatike pas lajmeve se Kina mund të reduktojë taksat. Në Paris, kuotimi i aksioneve në bursë shënoi rritje me 0,83 për qind dhe në Frankfurt 0,19 për qind. Monedha euro ka fituar terren ndërkaq përkundrejt dollarit amerikan. 1 euro shkëmbehet me 1.25 dollarë. Ndërsa nafta ka rifilluar ngritjen pasi zbriti nën kuotën e 50 dollarëve për fuçi.
22 Nentor 2008