E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin kufizimet e energjisë, OSSH-ja pretendon për remonte në linja



Në vend kanë nisur ditët e fundit ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike, prej të cilave nuk është përjashtuar as kryeqyteti. Vetëm në Tiranë, në disa lagje, si "Ali Demi", zona e Tregut Elektrik, Qytetit Studenti dhe të tjera zona, prej disa ditësh qytetarët ankohen për ndërprerjen e energjisë 4-6 orë në ditë. Më e rëndë është situata në zonat më në periferi të kryeqytetit, ku ndërprerjet e energjisë elektrike zgjasin 11 orë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kufizime të tilla të gjata të energjisë elektrike ka thuajse në të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit. Ato variojnë nga 4 deri në 6 orë në ditë. Madje, edhe gjatë natës, ku konsumi i energjisë është i ulët, OSSH-ja ka nisur aplikimin e kufizimeve që zgjasin deri në mëngjes. Një ndërprerje kaq e gjatë e energjisë elektrike dhe kaq e përhapur gjeografikisht ka qenë karakteristikë në kohën kur vendi ishte përfshirë në kulmet e krizës, si ato të dy viteve të fundit, 2006-2008. Burimet zyrtare nga OSSH-ja e kanë mohuar faktin se ka kufizime të planifikuara, edhe pse banorët janë dëshmitarë të tyre prej disa ditësh.

Italia, mbështetje Shqipërisë në fushën e turizmit

Italia do ta ndihmojë Shqipërinë me eksperiencën e saj në fushën e turizmit. Përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë diskutuar dhe shkëmbyer ide me ekspertët italianë të këtij sektori, duke e vlerësuar shumë të rëndësishme përvojën e vendit fqinj. Por, përveç eksperiencës, përfaqësuesit e palës italiane do të ndihmojnë Shqipërinë edhe me projekte konkrete në fushën e turizmit. Ekspertët nga vendi fqinj e kanë vlerësuar shumë të rëndësishme për zhvillimin e një vendi sektorin e turizmit. Pasi, sipas tyre, është e vetmja fushë që garanton rritje ekonomike, edhe në periudha krizash.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›