E Diel, 1 Nëntor 2026

Masat antikrizë, BSH-ja i propozon qeverisë skemën e Bankës Qendrore Europiane

BQE ka nisur me uljen e normës bazë të interesit për euron. BSH-ja, në shembullin e BE-së për paketën antikrizë

Ervin Koçi

Banka Qendrore Europiane është duke ndërmarrë një paketë masash antikrizë, të propozuara muajin e kaluar nga Parlamenti Europian, për të ndihmuar vendet anëtare të BE-së që të përballojnë pasojat e krizës financiare globale. Ashtu siç pritej, BQE-ja uli dy javë më parë normën bazë të interesit nga 3.75 për qind në 3.25 për qind, për herë të dytë në më pak se një muaj. Vendimi i BQE-së synon të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë europiane, duke ulur koston e parasë. Kjo është pjesë e një strategjie të koordinuar me bankat qendrore të fuqive më të mëdha ekonomike botërore, që gjatë muajit të fundit ka sjellë uljen e normës bazë edhe për dollarin amerikan, jenin japonez dhe paundin britanik. Pritshmëria e uljes së normës bazë ka dhëne efektin e vet në uljen e euriborit, që brenda 10 ditëve të fundit ra nga 5 për qind në 4.7 për qind. Një skemë të tillë ka nisur të ndjekë por në një formë më të ngadalësuar edhe Banka e Shqipërisë, e cila ka filluar tashmë nga rritja e kontrollit dhe marrja e masave për të mbrojtur nga kriza ekonomike sistemin bankar vendas. Nisur nga kjo, edhe BSH-ja parashikoi që në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës të saj të merrte vendimin për uljen e normës bazë të interesit të lekut, por nuk u nxitua në një vendim të tillë. Megjithatë, BSH-ja pritet t’i propozojë qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Financave javën e ardhshme marrjen e më shumë masave efektive antikrizë, ashtu siç kanë nisur që të bëjnë vendet e BE-së dhe BQE-ja. Kjo gjë pritet të ndodhë pas mbledhjes së radhës të Këshillit Mbikëqyrës e cila do të mbahet javën që vjen dhe do të ketë si objektiv parësor ecurinë e politikës monetare në muajt e fundit.

Masat në Europë

Masat e ndryshimit të normës bazë të interesit të euros që ndodhën në Europë kanë patur padyshim edhe ndikimet e tyre në tregun tonë bankar. Ulja e normës së euriborit do t’i bëjë më të lira huatë edhe për ata që kanë marrë kredi në euro deri tani. Ky tregues sigurisht që i intereson shumë edhe huamarrësve shqiptarë, sidomos atyre që kanë planifikuar të marrin kredi nga bankat private në monedhën europiane. Kurse përsa u takon huave të reja, ulja e euriborit pritet të sjellë një ekuilibrim të tendencës në huadhënie. Në një kohë që bankat rrisin marzhin e tyre të interesit, euribori ulet, çka në teori mund të bëjë që çmimi i huave për konsumatorët të ngelet në nivele të ngjashme apo më të ulëta. E ardhmja e huave në euro mbetet kështu një parashikim i vështirë. Sipas ekspertëve, “BQE mund të vazhdojë uljen e normës bazë të interesit edhe më tej, për të arritur ndoshta në 2 për qind në mesin e vitit të ardhshëm”. Nga ana tjetër, bankat shqiptare po rrisin marzhin e tyre për huatë në euro, të shtyra qoftë nga vështirësitë në sigurimin e fondeve, qoftë nga presioni i Bankës së Shqipërisë, që po përpiqet ta orientojë tregun e huasë nga leku. Nëse BQE do ta ulë normën bazë të interesit në 2 për qind, ashtu siç parashikojnë ekspertët, beteja e BSH-së për ta kthyer kreditimin nga leku do të bëhet shumë e vështirë.

Tregu bankar

Depozitat në euro deri në muajin qershor të këtij viti zinin 42 për qind të totalit të depozitave, nga rreth 39 për qind që zinin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithëse bankat ndoshta do të rrisin marzhin e tyre të interesit, rënia e euriborit, si rrjedhojë e uljes së normës bazë, me shumë mundësi do t’i bëjë huatë në euro më të lira se sot. Norma mesatare e interesit për kreditë në lek, e publikuar nga Banka e Shqipërisë, është rreth 12 për qind. BSH-ja nuk publikon të dhëna për normat mesatare të interesit të kredisë në euro, por duke parë çmimet e huave që ofrojnë bankat mund të thuhet se kreditë në euro janë mesatarisht 3 – 4 për qind më të lira. Siguria e euros mbështetet edhe në një tregues tjetër. Po të shohësh tendencën e depozitave bankare, duket se publiku shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë besim te monedha e përbashkët europiane. Së fundi, edhe ecuria e kursit të këmbimit mes euros dhe lekut, të paktën deri sot, nuk e përligj shumë shqetësimin e BSH-së për një rrezik nga kursi i këmbimit valutor. Euro gjatë viteve të fundit është karakterizuar nga një ecuri shumë e qëndrueshme dhe ka qëndruar gjithnjë në intervalin 120-125 lekë.

Kriza ekonomike, ekspertët apel: “Të mbrohen të varfrit”

Përfaqësuesit e qeverisë pranojnë se efektet e krizës financiare globale, e shndërruar tashmë në ekonomike, do të ndihen edhe në vendin tonë. Ata shpjegojnë se është i pritshëm një reaksion zinxhir efektesh që do të shoqërohen edhe me shtrenjtësim të çmimeve në treg. Në këto kushte, ekspertët i sugjerojnë ekzekutivit që të marrë masa për të mbrojtur shtresat e varfra. Arben Imami, shef i kabinetit të kryeministrit, shprehet: ”Shqipëria nuk është e pandikuar nga efektet e krizës globale. Ndaj ne duhet të jemi të përgatitur për të pritur uljen e investimeve dhe pasjen e më pak parave në qarkullim”.
Ndërsa ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha: “Në rekomandimet që jepen për vendet me të ardhura të ulëta, konkretisht për grupimet shoqërore të varfra në ambjentin ekonomik shqiptar, duhet të mos braktisen, por t’u krijohet mundësia e një asistence”.
Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë të drejtë vendimin e Bankës së Shqipërisë për të mos ulur koston e lekut. Ndërkohë që kërkojnë marrjen e masave shtesë nga ana e qeverisë, mes të cilave është rritja e investimeve dhe ulja e mëtejshme e taksave.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›