Masakrohet nga plumbat emigranti
SHKODER / RITVAN DIBRA
Ekzekutohet me breshëri plumbash emigranti 23-vjeçar. Mesditën e djeshme, trupi i pajetë i Frederik Qerthaçit u gjet i masakruar buzë lumit Buna, në fshatin Mushan të komunës Dajç në Shkodër. Sipas policisë, në vendngjarje u gjetën gëzhoja pistolete dhe automatiku, çka tregon se të paktën dy persona e kanë qëlluar për vdekje të riun. Dyshohet se ata mund ta kenë dërguar me makinë deri aty, në një zonë të largët nga shtëpitë e fshatit, duke u larguar më pas në drejtim të paditur. Viktima ishte kthyer pas kohë më parë nga Italia dhe policia po heton për ndonjë sherr të tij të përtej detit, ose një grindje e ndodhur ditët e fundit, që çoi në masakrën e djeshme.
Ngjarja
Nuk dihet ora e saktë se kur mund të jetë kryer krimi, por ai është zbuluar nga një banor i zonës rreth orës 13:00 të mesditës. Ndërsa po ecte pranë vendit të njohur si "Lisi i Vorrit", me qëllim të shkonte te pronat e tij pranë bregut të lumit Buna, në një rrugicë qorre dëshmitari ka parë të shtrirë trupin e një njeriu. Fillimisht ai ka menduar se mos ishte ndonjë person i mbytur dhe që lumi e kishte nxjerrë në breg të tij. Por, këtë mendim e ka ndryshuar shpejt, duke parë se bëhej fjalë për një distancë më të madhe. Ai i është afruar trupit për të parë se për kë bëhej fjalë, por kur i ka shkuar pranë ka zbuluar trupin e mbuluar në gjak, ku dalloheshin qartë shenjat e disa plumbave. Viktima ishte i panjohur nga dëshmitari ndaj dhe ai nuk ka ngurruar për të njoftuar policinë për çfarë po shihte. Me të marrë informacionin për ngjarjen, forca të shumta policie janë nisur në drejtim të fshatit Mushan, ku kishte ndodhur ngjarja e rëndë. Uniformat blu kanë bërë rrethimin e plotë të zonës në një distancë relativisht të madhe, duke mos i lënë mundësi asnjë personi tjetër që të futej në këtë sipërfaqe, me qëllim mbajtjen nën kontroll të lëvizjeve, këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe sigurimin e provave të mjaftueshme materiale që mund të hedhin sadopak dritë mbi këtë ngjarje. Më tej është bërë identifikimi i trupit të gjetur, ku është mësuar se ai i përkiste 23-vjeçarit Frederik Qerthaçi. Pas ekspertizës së parë është zbuluar se krimi mund të kishte ndodhur gjatë paradites, i qëlluar me mbi 10 plumba.
Hetimet
Për policinë nuk ka dyshim se i riu është masakruar nga një plan i përgatitur për të. Ai banonte në të njëjtin fshat, por në anën tjetër të Mushanit dhe dyshohet se ai mund të jetë tërhequr me dhunë, në makinë, ose mashtruar për të shkuar deri në zonën e veçuar, ku nuk mund të kishte dëshmitarë. Më shumë se 1 person ka marrë pjesë në krim, pasi plumbat e gjetur në trupin e viktimës dhe gëzhojat përreth tregonin se ishin përdorur 2 armë: 1 pistoletë dhe 1 kallashnikov. Forca të shumta policie kanë ngritur postblloqe në akset rrugore, që lidhin këtë komunë me pjesët e tjera të rrethit Shkodër, të cilat po zhvillojnë kontrolle të rrepta si dhe kanë shoqëruar deri në mbrëmje mbi 10 persona. Ende për hetuesit nuk dihet motivi i krimit, që të çojë deri në emra konkretë autorësh. Disa muaj më parë, Qerthaçi ishte kthyer nga Italia, ku prej vitesh kishte emigruar, duke e mbuluar me mister jetën e tij në shtetin fqinj. Për policinë ekziston dhe dyshimi për ngatërresa të mundshme ditët e fundit.
Dajçi, zona e krimeve
Brenda 2 javësh, komuna e Dajçit ka dëgjuar vrasjen e dytë të ndodhur në zonën e saj. Krimi ndaj 23-vjeçarit Qerthaçi pasoi atë ndaj 50-vjeçarit Enver Hyseni. Ky i fundit u ekzekutua pranë fshatit Shirq, ndërsa udhëtonte me makinë drejt shtëpisë së tij. Ndaj Hysenit ishte organizuar një pritë dhe sapo ai ka qenë në zonën e thellë, të pabanuar, autorët i kanë qëlluar. Ashtu si dhe në rastin e të riut, edhe krimi ndaj Hysenit është ende i pazbardhur. Vrasja e djeshme e çon në 18 numrin e ngjarjeve të rënda të ndodhura në qarkun e Shkodrës që nga fillimi i vitit. Në katër prej tyre autorët janë ende të pazbuluar, ashtu si dhe motivet që i shtynë. Një prej tyre është krimi ndaj biznesmenit të njohur, Esat Valbona, i ekzekutuar në mënyrë mafioze në pranverë. Më pas, në një lagje të Shkodrës u qëlluan dy persona, prej të cilëve vdiq Nail Grezda. Më 20 shtator u krye atentati ndaj Enver Hysenit, ndërsa mëngjesin e djeshëm ai ndaj emigrantit 23-vjeçar. Megjithë hetimet e dëshmitë e personave të afërt me viktimat, asnjë prej tyre nuk u arrit të zbardhej, për të çuar para drejtësisë ekzekutorët.