Qëllohet me armë 24-vjeçari, refuzon t'i rrëfehet policisë
VLORE - Një 24-vjeçar në Vlorë përfundoi rëndë në spital me dy plumba, njëri prej të cilëve i ka prekur mushkërinë. Ai ka refuzuar të rrëfejë për policinë ndodhinë, duke hedhur dyshime në disa pista. Mjekët e urgjencës në spitalin e Vlorës bënë të ditur për policinë, se rreth orës 23:00 të së dielës, Olgert Mustafaj u paraqit me dy plagë të një arme zjarri. Një automjet tip BMË X5, që drejtohej nga një person ende i paidentifikuar, mësohet të ketë transportuar 24-vjeçarin në spital. Por ai është larguar pa deklaruar se kush ishte dhe se çfarë kishte ndodhur. Bluzat e bardha e futën të riun menjëherë në sallën e operacionit. Sipas mjekëve, një nga plumbat që viktima kishte marrë në gjoks i ka prekur dhe mushkërinë. Policia, e njoftuar nga punonjësit e spitalit, shkoi në vend dhe nisi hetimet. Pasi u përmirësua gjendja shëndetësore e të plagosurit, ekspertë të grupit të hetimit e morën atë në pyetje, por i riu ka refuzuar të japë shpjegime mbi atë se çfarë kishte ndodhur. Në komisariatin e policisë u shoqëruan disa persona, mes të cilëve shokë të të plagosurit. Por ende nuk është identifikuar atentatori dhe lidhja e personit që transportoi në spital të riun e plagosur me ngjarjen. Sipas policisë, dyshohet se ngjarja të ketë ndodhur në afërsi të "Ujit të Ftohtë", pranë vendit të quajtur "Marina". Të njëjtat burime pohuan se pas hetimeve është bërë i mundur identifikimi i autorit, por për efekt të hetimeve, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me të. Dyshohet që autori i plagosjes ka qenë duke udhëtuar me një "Benz" ngjyrë gri.