E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet leja e importit për ilaçet

 

zirina llambro

Liberalizohet tregu i ilaçeve. Projektligji i kundërshtuar nga grosistët farmaceutikë, kaloi dje në komisionin parlamentar të Shëndetësisë. Ministrja Godo prezantoi ndryshimet duke theksuar se janë mekanizma, që do të ndihmojnë në vendosjen e balancave në treg. Me ligjin e ri hiqet leja e importit për barnat dhe kompetenca për regjistrimin e tyre u kalon zyrave doganore të hyrjes. Deri tani kjo procedurë është kryer nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave. Në bazë të kushteve të vendosura prej saj importuesit e merrnin lejen dhe më pas sillnin në vend medikamentet, direkt nga firmat prodhuese. "Barnat e regjistruara në Republikën e Shqipërisë importohen nga importuesit e autorizuar në bazë të regjistrit të botuar të barnave", përcakton neni 47 i ndryshuar. Do të jetë QKKB-ja, e cila do të përgatisë  dhe botojë, periodikisht, çdo vit, regjistrin e barnave me çmimet përkatëse dhe emrin e importuesve të autorizuar nga kompanitë. "QKKB-ja është e detyruar të depozitojë regjistrin e barnave dhe përditësimet e tij pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Ajo është detyruar të njoftojë menjëherë subjektet farmaceutike dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për çdo bar të ri që regjistrohet ose çregjistrohet dhe për çdo bar të paregjistruar, që importohet me autorizim të veçantë", përcakton ligji i ri. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është edhe shfuqizimi i neneve, që përcaktojnë punësimin e nënfarmacistëve pa pasur nevojë për licencë. "Veprimtaria e farmacisë mund të ushtrohet nga të gjithë personat, fizike dhe juridikë, të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë", përcakton ligji. Për të lehtësuar marrjen e licencës është vënë në jetë procesi i vetë deklarimit nga subjektet e interesuar.
Farmacistët
"Farmacisti është figurë profesionale e diplomuar në farmaci me një cikël unik të paktën 5 (pesë) vjeçar (Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë). Njihen në të njëjtën masë diplomat e lëshuara nga Universiteti Tiranës, dega farmaci sipas programit të mëparshëm të miratuar nga Ministria e Arsimit.", këtë sanksionin ligji i ri. Pra, nëse një student mbaron në këtë degë vetëm ciklin e parë të studimeve e ka të pamundur të ushtrojë profesionin. Ai duhet të plotësojë sistemin 3+2 sipas Kartës së Bolonjës. Gjithashtu përcaktohet se drejtuesi teknik i importuesit, eksportuesit dhe shpërndarësit farmaceutik është farmacisti, anëtar i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, me një përvojë pune mbi 2 vjet në sektorin farmaceutik, i cili përgjigjet për të gjithë veprimtarinë, teknike dhe profesionale, që zhvillon subjekti në fjalë.
Tregtimi me shumicë
Për të ushtruar veprimtarinë e tregtisë me shumicë të barnave personat juridikë, vendas ose të huaj, duhet të pajisen me  licencë nga Ministria e Shëndetësisë. "Për fillimin e veprimtarisë së mësipërme, subjekti i interesuar deklaron, në përgjegjësinë e vet, se përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për këtë qëllim. Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal bën verifikimin e deklarimeve të dhëna nga subjekti brenda 20 ditëve pune.", përcakton neni 24. Subjekti i licencuar për veprimtarinë e tregtimit me shumicë të barnave, mund të tregtojë me shumicë edhe materiale mjekimi, aksesorë si dhe artikuj higjieno- kozmetikë dhe dietetikë.

Ndryshimet Kryesore

Importi i barnave të regjistruara
Neni 47 ndryshohet:
Barnat e regjistruara në Republikën e Shqipërisë importohen nga importuesit e autorizuar në bazë të regjistrit të botuar të barnave sipas nenit 18.

Procedura e importit bëhet pranë zyrave doganore të hyrjes.

Neni 18 ndryshohet si më poshtë:
QKKB përgatit dhe boton, periodikisht, çdo vit, regjistrin e barnave me çmimet përkatëse dhe emrin e importuesve të autorizuar nga kompanitë dhe bën përditësimin e tij çdo muaj.

QKKB është e detyruar të depozitojë regjistrin e barnave dhe përditësimet e tij pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

QKKB është e detyruar të njoftojë menjëherë subjektet farmaceutike dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për çdo bar të ri që regjistrohet ose çregjistrohet dhe për çdo bar të paregjistruar që importohet me autorizim të veçantë.

Neni 32, riformulohet:
Veprimtaria e farmacisë mund të ushtrohet nga të gjithë personat, fizikë dhe juridikë, të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Për fillimin e veprimtarisë së mësipërme, subjekti i interesuar deklaron, në përgjegjësinë e vet, se përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për këtë qëllim.

Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal bën verifikimin e deklarimeve të dhëna nga subjekti brenda 20 ditëve punë.

Nëse deri në përfundim të këtij afati, ky autoritet nuk shprehet, Drejtoria Farmaceutike pranë Ministrisë së Shëndetësisë mund të delegojë këtë kompetencë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, e cila duhet të shprehet për 10 ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›