E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri, Civici:Urgjente reforma e sistemit të diplomave



"Emergjente është reforma e sistemit të diplomave. Universiteti publik ka nevojë për autonomi, universitetet private të mos diskriminohen në konkurrencë”. Kështu shprehet Adrian Civili, Rektor i Universitetit Europian të Tiranës, i cili analizon ndryshimet në ligjin për Arsimin e lartë.
Zoti Civici, ka mbërritur në Kuvend projekt-ligji me ndryshime për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, që ka të bëjë kryesisht me ndryshimet në sistemin e diplomave dhe ndryshime të tjera. Ju si Rektor dhe përgjithësisht si mjedis universitar, a jeni në dijeni dhe a jeni konsultuar për to?
Ndryshimet dhe shtesat e propozuara për ligjin 9741 "Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë", mendoj se janë të rëndësishme dhe të ardhura në kohën e duhur, po t'i referohemi problematikës aktuale dhe perspektivës së zhvillimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri. Ndryshimet dhe plotësimet që pritet të aprovohen në Kuvend kanë të bëjnë me elemente të tilla, si riorganizimin më funksional e efektiv të departamenteve, organizimin e fakulteteve të mjekësisë dhe stomatologjisë nëpërmjet shërbimeve si njësi bazë të tyre, përmirësimi i kompozimit dhe funksionimit të mjaft strukturave drejtuese të universiteteve, përcaktimit më thjesht dhe më afër kërkesave të "Kartës së Bolonjës" i strukturës së cikleve të studimit në Shqipëri, lehtësohet procedura e hapjes apo mbylljes së programeve të studimeve në të gjitha ciklet, etj. Në të gjitha mjediset universitare shqiptare ka disa muaj që diskutohet e debatohet për këto ndryshime. Ne jemi njohur me disa variante draft të ndryshimeve aktuale dhe kemi pasur mundësi që të dërgojmë pranë MASH sugjerimet dhe vërejtjet tona për këtë. Besoj se në këtë projekt-ligj gjejnë pasqyrim mjaft nga kërkesat apo propozimet e rektorateve dhe strukturave të tjera drejtuese e përfaqësuese të universitete shqiptare, ashtu siç mund të ketë akoma ndonjë çështje që mund të shtohet e plotësohet gjatë miratimit në Kuvend.
Sakaq, për sistemin universitar publik ose privat është emergjente për fillimin e vitit të ri akademik, të kalojë reforma e sistemit të diplomave, kurse ato elementë të ndryshimeve apo problematikave të tjerë që kanë të bëjnë me autonominë universitare të sistemit publik, ndoshta do të rrinin më mirë nesër në kuadrin e ndryshimeve të plota, në një kohë të dytë duke shkuar paketë me ndryshimet e pritshme të sistemit të financimit të arsimit të lartë në Shqipëri.
Ku kishte defekt sistemi aktual i diplomave dhe pse duhej të vinim tek këto ndryshime në sistemin e diplomave?
Ashtu si në mjaft vende të tjera me sistem arsimor edhe më të zhvilluar se Shqipëria, aplikimi i "Kartës së Bolonjës" kërkonte kohë e njësim të interpretimeve mbi sistemin e krediteve, sistemin e diplomave, ciklet e studimit, etj. Në këtë këndvështrim, mendoj se edhe në Shqipëri, me gjithë vullnetin e plotë politik e akademik për zbatimin e "Kartës së Bolonjës", ne u përpoqëm jo gjithmonë me konsensusin dhe efiçencën e duhur që ta modifikonim atë në mënyrë të qëndrueshme. Debate u bënë për kohëzgjatjen në vite dhe numrin e krediteve për ciklet e studimit, titullimin e diplomave, zhvendosjen në cikle të ndryshme të masterave, duke mos qenë shumë të qartë në diferencat, filozofinë dhe objektivat e tyre. Nga ana tjetër, meqenëse pothuajse të gjithë universitetet europiane u përfshinë në këtë cikël ndryshimesh, secili me specifikat dhe objektivat e tij, në Europë u krijua një mozaik shembujsh e eksperiencash. Ne, duke pasur preferenca apo orientime në raport me këto universitete, aplikuam forma jo fort të qëndrueshme dhe në koherencë me njëra tjetrën. Kjo është dhe arsyeja kryesore, përse erdhëm tek këto ndryshime në sistemin e diplomave dhe përmbajtjen e cikleve të studimeve, të cilat janë shumë afër me formatin standard e dominues europian, janë të thjeshta e të njehsueshme në nivel ndërkombëtar, i krijojnë mjaft hapësira zgjedhjeje e kombinimesh studentëve, etj.
Universiteti publik, përfaqësues të tij kanë propozuar që të bëhen tani vetëm ndryshimet lidhur me sistemin e diplomave dhe të lihen për një moment të dytë, bashkë me reformën e financimit ndryshime të tjera, që sipas tyre prekin autonominë. Ju si mendoni?
Kërkesa e universiteteve publike për një autonomi sa më të gjerë e substanciale është më se e drejtë, dhe më shumë se kaq, është një faktor që ndikon dukshëm në performancën dhe menaxhimin e tyre. Duhet bërë gjithçka që është e mundur për t'i dhënë një dimension real autonomisë së universiteteve publike, aq më tepër që kjo është një temë tashmë mjaft e debatuar dhe nuk duhet të vazhdojmë të humbasim kohë e të hezitojmë për ta realizuar. Niveli i autonomisë financiare të tyre është ende i brishtë dhe i limituar, ndaj ka nevojë urgjente që universitetet publike të menaxhohen përmes mekanizmash bashkëkohorë duke futur në to mekanizmat e tregut, të cilat e kanë provuar epërsinë e tyre në të gjithë sektorët dhe po ashtu në sistemet universitare më të avancuara në botë. Kërkesa jonë si universitete jo-publike shkon veç të tjerave dhe në favor të çdo ndryshimi që e bën sektorin e Arsimit të Lartë sa më konkurrencial, që shkon drejt parimit "të barazisë" ndërmjet dy sistemeve të Arsimit të Lartë në Shqipëri. Vendosja në kushte të barabarta e të gjithë universiteteve shqiptare, publike ose jo-publike, vetëm në raport me standardet cilësore dhe zbatimin rigoroz si të kërkesave të "ligjit të Arsimit të Lartë" dhe të "Kartës së Bolonjës". Kujdes kërkon trajtimi e vlerësimi i universiteteve si "pasuri publike" apo si "të mira publike" me interes të lartë kombëtar, pa i diferencuar ato thjesht nga forma e pronësisë apo financimit.
Përveç diplomave, për çfarë ndërhyrjesh të tjera të mëdha ka nevojë sistemi i edukimit të lartë dhe ky ligj në tërësi?
Do veçoja dy drejtime si më të rëndësishmet për të cilat ka nevojë për ndërhyrje thelbësore e përmirësime në gjithë sistemin e arsimit tonë të lartë. Së pari, realizimi i reformës së financimit, një reformë që pritet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e financimit të universiteteve, format dhe metodat e administrimit dhe vendimmarrjes në to, hierarkinë e kompetencave dhe shkallën e autonomisë së tyre. Sa më e plotë të konceptohet dhe aplikohet kjo reformë, ndoshta më e rëndësishmja në Arsimin e Lartë shqiptar në këto 20 vitet e fundit, aq më efiçente pritet të jenë efektet e saj. Ka ardhur koha të largohemi nga qëndrimi se "kaq janë mundësitë për financimin e universiteteve", se "nga viti në vit po rritet përqindja e financimeve në arsim në raport me PBB",etj. Ky është një këndvështrim pjesor. Ajo që bën diferencën është fakti se në vendet më të zhvilluara universitetet nuk financohen tërësisht dhe vetëm nga fondet publike apo tërësisht nga ato private. Së dyti, realizimi i procesit të renditjes dhe klasifikimit të universiteteve tona në raport me një set standardesh cilësie e efiçence të pranuara e zbatuara gjerësisht në sistemet universitare në botë. Kjo do t'i bënte reale "pretendimet" e çdo universiteti për cilësinë e diplomave të tij, do t'i orientonte më mirë studentët dhe prindërit në zgjedhjen e tyre, do t'i çonte mesazhe të drejta e bindëse tregut dhe punëmarrësve për standardet e studentëve dhe diplomave, do t'i vendoste të gjithë përballë vetëm një "pengese" apo kufiri që duhet kaluar, asaj të cilësisë dhe standardeve.
Dhe së fundi, ju jeni në grupin e punës për reformën e financimit dhe keni prezantuar herën e fundit në konferencën e rektorëve një material lidhur me konceptet bazë të kësaj reforme. Cilat janë realisht shanset e realizimit të një reforme të financimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri?
Kjo reformë duhet të synojë gjetjen e një mënyre të re të përdorimit të parave publike në Arsimin e Lartë, stimulimi i një sistemi që krijon dhe gjeneron burime të reja dhe shumë më të mëdha financiare se sa thjesht dhe vetëm buxhetin e shtetit, si dhe një mekanizëm që mënyrën e financimit e kthen edhe në një instrument nxitës të fuqishëm për cilësinë dhe performancën e universiteteve. Thelbi i saj është kalimi nga financimi vetëm i ofertës, d.m.th., vetëm i universiteteve publike, në financimin e kërkesës, pra studentëve, pavarësisht se cilin lloj universiteti, publik apo jo-publik zgjedhin. Do të jenë studentët që duke preferuar fakultetet apo universitetet, do të bëhen faktor nxitës për rritjen e cilësisë dhe standardeve të ofertës universitare. Kjo skemë identifikohet me "kuponin e edukimit" (voucher), pasi është studenti ai që e përfiton dhe mbart me vete këtë kupon të financuar nga fondet publike. Gara për të thithur sa më shumë studentë, dhe për pasojë sa më shumë financime, do të ketë vetëm një "rrugë": cilësinë e studimeve universitare dhe përshtatjen maksimale të programeve të studimit e diplomave me kërkesat e tregut të punës.

Kule: Ndryshimet në ligj asgjësojnë autonominë

Drafti i ligjit të Arsimit të Lartë, i hartuar nga Ministria e Arsimit, asgjëson autonominë e universiteteve publike. Në një deklaratë të bërë dy ditë më parë, Rektori i Universitetit të Tiranës ka sqaruar se ky draft është hartuar pa u konsultuar me ta dhe i detyron universitetet të marrin leje në ministri për çdo kriter apo veprim që ata vendosin të ndërmarrin. "Nëse projekti do të kalonte, atëherë nuk diskutohet më autonomia e universiteteve publike. Ato vendosen në një situatë që nuk kanë qenë as në kohën e diktaturës", u shpreh Kule. Rektori i Universitetit të Tiranës tha se autonomia akademike dhe financiare e universiteteve cenohet tërësisht nga ky draft, i cili prish edhe skemën e Arsimit të Lartë. Universiteti i Tiranës ka kërkuar që të ndryshohet pjesa e ligjit, ku saktësohet cikli i diplomave, pasi ende ministria nuk është shprehur se si do të kategorizohen diplomat për studentët që kanë mbaruar ciklin e vjetër të studimeve dhe kanë vazhduar masterin e nivelit të dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›