Skena e vrasjes së Franc Konomit u filmua, flet e ëma: Djalin e lanë të lirë qëllimisht që ta vrisnin
Etleva Delia
Franc Konimi është ndjekur këmba-këmbës dhe është mbajtur në vëzhgim gjatë gjithë kohës nga dy personat me motorr që i bënë atentatin vrasës dy ditë më parë, pranë sheshit "Avni Rustemi", në qendër të Tiranës. Skema e ngjarjes është filmuar nga kamerat e sigurisë, të vendosura në të dy krahët e rrugës që lidh "Ushtarin e Panjohur" me sheshin "Avni Rustemi". Pamjet filmike janë sekuestruar menjëherë pas ngjarjes nga grupi hetimor i Policisë së Tiranës dhe sipas hetuesve, lëvizjet e motorrit, itinerari i "Mercedezit" të Franc Konomit, manovrimet, momenti i ekzekutimit dhe largimi i atentatorëve duken qartë, edhe pse të regjistruara në një distancë e largët. Largësia e vendosjes së kamerave duket se e ka bërë të pamundur fokusimin e qartë të autorëve të ngjarjes, të cilët mbanin skafandra në kokë, duke i shpëtuar kështu identifikimit të mundshëm. Sipas grupit hetimor, pamjet filmike tregojnë se që prej momentit kur 42-vjeçari Franc Konomi ka dalë nga shtëpia e tij, pranë "Shkollës së Kuqe", ai ka qenë në vëzhgim nga atentatorët që e ndiqnin për ta vrarë. Ai është ndjekur deri në momentin kur është futur për të pirë kafe, në lokalin para të cilit u vra, pasi kishte hipur në makinën e tij Mercedes, me targa TR 0626 S. Gjatë kohës që Franc Konomi ka qëndruar në lokal, motorri i atentatit, me ngjyrë të zezë dhe targa të huaja, ka lëvizur në atë zonë të paktën pesë herë, duke e pritur që shënjestra e ngjarjes të dilte nga bari ku ishte ulur.
ATENTATI
Imazhet e marra nga kamerat e sigurisë të dy subjekteve private që ndodhen pranw vendit të ngjarjes, tregojnë se motorri i vrasësve ishte në xhiron e pestë në zonë kur ndodhi atentati. Franc Konomi ka dalë nga lokali dhe ka hipur në makinën tip Mercedez, me targë TR 0626 S. Në këtë kohë, motorri në të cilin ndodheshin dy persona, ka zbritur nga sheshi "Avni Rustemi" dhe ka ndaluar përballë makinës së 42-vjeçarit. Pasi motorri i madh me targa të huaja ka ndaluar, të dy personat që ndodheshin mbi të kanë nxjerrë dy pistoletat duke qëlluar drejt makinës dhjetë herë me radhë. Fillimisht Franc Konomi ka ecur mbrapsht me makinë, duke tentuar t'i shpëtonte plumbave, por më pas ka ndaluar duke u goditur nga predhat e fundit, të cilat i morën jetën. Pas atentatit, motori është kthyer pas nga kishte ardhur, duke marrë drejtim sërish nga sheshi "Avni Rustemi" dhe rrugës "Hoxha Tahsim", nga ku është zhdukur me shpejtësi.
VERIFIKIMET
Policia ka sekuestruar në makinën tip Mercedez, me targë TR 0626 S, në pronësi të Franc Konomit, vetëm celularin e tij dhe dokumentet e makinës, por asgjë të kundraligjshme. Gjatë verifikimeve të bëra, në celularin e viktimës u gjetën disa mesazhe, tekstet e të cilave flisnin qartë se ai kishte pasur konflikte apo paralajmërime nga persona të ndryshëm. Pavarësisht kërcënimeve, policia tha se Franc Konomi lëvizte lirshëm në Tiranë, i paarmatosur, pasi në makinën apo në banesën e tij nuk u gjet armë zjarri. Në vendin e ngjarjes, veç dhjetë gëzhojave të pistoletave që u përdorën në vrasje, nuk janë gjetur prova apo gjurmë të atentatorëve. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, janë shoqëruar të gjithë miqtë dhe fqinjët e tij, të cilët janë marrë në pyetje përgjatë gjithë natës. Asnjë prej miqve të tij nuk ka pranuar ta ketë takuar kohët e fundit, madje duke u shprehur që kishin muaj pa e parë. Dëshmitarët nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim të rëndësishëm, rreth ndonjë konflikti të mundshëm që shpie në zbardhjen e vrasjes së Franc Konomit.
INTERPOLI
Në shërbim të grupit hetimor të policisë së Tiranës është vënë edhe zyra e Interpolit, të cilës i është kërkuar informacion në lidhje me precedentë të mundshëm penalë të Franc Konomit jashtë Shqipërisë. Sipas burimeve nga policia, përmes Interpolit është duke u verifikuar e kaluara e 42-vjeçarit gjatë qëndrimit disa vjeçar jashtë Shqipërisë.
Konomi ndryshoi emrin, quhej “Franc Pojana”
TIRANE - Personazhi i njohur në Tiran,ë si një nga djemtë e grupit të rrugës "Bardhyl", kishte ndryshuar emrin e tij vitet e fundit, nga Franc Konomi në Franc Pojana. Në një certifikatë personale të vitit 2006, thuhet se shtetasi 42-vjeçar kishte ndryshuar mbiemrin e tij duke u quajtur Franc Pojana. Dokumenti i muajit maj 2006, tregon se të paktën për katër viteve Franc Konomi ka lëvizur brenda dhe jashtë Shqipërisë me një emër tjetër, nga ai me të cilin njihet të paktën në Tiranë. Nuk është e qartë përse ka ndodhur ky ndryshim, megjithatë policia dyshon se gjithçka është kryer për të mos lënë shumë gjurmë dhe për të mos u ekspozuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe pse familjarët kanë pohuar dje se Franc Konomi nuk ruhej dhe nuk qëndronte me frikë së paku në Tiranë.
TARGAT E MAKINES
Deri pak ditë më parë, sipas policisë, automjeti tip Mercedes Benz, prodhim i viteve të fundit, në të cilin u vra Franc Konomi, kishte qenë i pajisur me targa të Kosovës. Dy apo tri javë më parë, automjeti i cili ishte bërë i njohur në zonën e rrugës "Bardhyl" dhe te "Brryli" në Tiranë, ishte pajisur me targa të Tiranës. Makina njihej se ishte e Franc Konomit, pasi gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Tiranë, personazhi i njohur lëvizte me këtë automjet për të dalë nga banesa e tij si dhe për t'u kthyer sërish aty. I gjithë dokumentacioni i automjetit, së bashku me makinën, është sekuestruar nga policia për llogari të hetimit të ngjarjes.
Telefonatat e fundit
Për shkak të mungesës së sqarimeve të nevojshme nga dëshmitarët e ngjarjes, prokuroria i është drejtuar dje kompanive celulare me një kërkesë për zbardhjen e tabulateve të 42-vjeçarit, Franc Konomi. Nga zbardhja e listës së telefonatave që ka pasur viktima e atentatit që ndodhi pranë sheshit "Avni Rrustemi" në Tiranë, hetuesit presin të mësojnë emrat e personave që kanë kontaktuar me Franc Konomin ditën e fundit, pak orë para se të qëllohej me armë zjarri në makinën e tij. Grupi i hetimit ka thënë se derisa të zbardhen tabulatet, nga dëshmitë e deritanishme nuk ka asnjë të dhënë konkrete për personat që kanë pasur kontakt me viktimën ditën e ngjarjes.
Familja: Djalin e lanë të lirë qëllimisht që ta vrisnin një ditë
Etleva delia
Franc Konomi u përcoll dje për në banesën e fundit me një ceremoni mortore modeste, ku merrnin pjesë familjarët e tij, një grup miqsh të afërt si dhe disa fqinjë. Kortezhi mortor që u drejtua tek varrezat e Sharrës në orën 16:00, përbëhej nga rreth 40 veta. Të lajmëruar për ngjarjen e rëndë, nga Greqia kishin mbërritur nëna dhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, ndërsa nga Gjermania mbërritën bashkëshortja, djali dhe vajza. Lamtumira e fundit 42-vjeçarit, Franc Konomi, iu dha tek shtëpia e tij, në rrugën "Haxhi Sina", pranë Shkollës së Kuqe, aty ku qëndronte sa herë që kthehej nga Gjermania, dhe qëndronte me periudha të shkurtra në Tiranë. Para se të nisnin djalin e tyre drejt banesës së fundit, babai dhe nëna e Franc Konomit edhe dje fajësonin policinë dhe shtetin për gjithçka që i ndodhi djalit të tyre. "Nëse nuk do e linin gjysmë orë pa e dërguar në spital, duke e mbuluar vetëm me një batanije, ai sot mbase do të ishte gjallë. Por ata vonuan", shprehen prindërit e Franc Konomit, duke mos reshtur së fajësuari forcat e rendit dhe drejtësinë. Sipas tyre, Franc Konomi nuk qëndronte me ndonjë frikë, apo i mbyllur në shtëpi. Sa herë që vinte në Tiranë dilte me shokët, madje lëvizte rrugëve edhe vetëm. Një ditë para se të vritej, Franc Konomi kishte ngrënë drekë me dy miq të tij në një kompleks me lokale e pishina, pranë Liqenit Artificial të Tiranës.
FAMILJARET
Stefan Konomi vendosi që djali i tij Franci, i cili u vra dy ditë më parë, të dilte për herë të fundit nga shtëpia e tij përdhese, ku qëndronte sa herë që kthehej nga jashtë shtetit. Edhe pse një ambient i vogël, në atë shtëpi u mblodhën për ngushëllime e për t'i dhënë lamtumirën e fundit 42-vjeçarit, të gjithë të afërmit dhe miqtë e tij. Ajo që përsëritet nën zë nga të gjithë të afërmit e tij është fraza, "Franc Konomi ishte i pafajshëm, sot mund të ishte gjallë". Të gjithë janë të përlotur, por ata që e vuajnë më së tepërmi humbjen e tij dhe që ende nuk e besojnë se i biri u ka vdekur, janë prindërit e moshuar të 42-vjeçarit. Për babanë dhe nënën e personazhit të njohur për policinë, fajtore për vrasjen e Konomit është policia, por edhe drejtësia shqiptare. "Po ta kishin dërguar më me shpejtësi në spital, mbase ai do të ishte gjallë sot, por nuk ia dhanë mundësinë që të mjekohej, shprehen prindërit e Franc Konomit, nëna Kristina dhe babai Stefani. Më pas ata fajësojnë edhe drejtësinë, duke kundërshtuar edhe ato dyshime që i faturohen lart e poshtë të birit, duke e akuzuar për vrasje, e ngjarje të tjera të rënda, në një kohë që sipas tyre ai ishte i lirë. "Nëse Franci ishte vërtetë kriminel, ashtu siç thonë, përse nuk e dënuan? Përse e lanë të rrinte i lirë? Por gjithmonë e kapnin dhe më pas e lironin se nuk kishin prova. Po nuk diskutohej që nuk do kishin prova, se djali nuk kishte bërë asgjë", shprehen familjarët. Ata çojnë më tej akuzat e tyre, duke thënë se drejtësia e donte të vdekur Franc Konomin. "Edhe e fajësonin për gjëra që nuk i kishte bërë, edhe nuk e arrestonin. Pse e bënin këtë? Që dikush ta vriste...".
Nëna e Gaz Muçës: Zoti i shoi vrasësit e dy djemve të mi
TIRANE - "Më lini qetë tani, kush më mbylli derën mua, ja, po e shuan Zoti". Këto janë të paktat fjalë që Liri Muça, e ëma e Gazmend Muçës, ish-të fortit të Tiranës, pohoi pasditen e së enjtes, pak orë pas ekzekutimit të Franc Konomit. Muça, e cila jeton në një apartament në rrugën "Qemal Stafa", u tregua e rezervuar në pohimet për mediat duke i rënë shkurt: "Kam 20 vjet që i kam mbyllur ato plagë. Tani më lini rehat se po jetoj e sëmurë. Dera m'u mbyll. Ndaj më kuptoni që çdo fjalë që unë mund të them është e kotë. Ata që shuan djemtë, ja shihini si po shuhen njëri pas tjetrit. Janë punë që i rregullon Zoti ato". Gazmend Muça është ekzekutuar më 7 prill 1992 në Tiranë në një atentat të përgatitur nga tre shokët e tij: Franc Konomi, Naim Zyberi dhe Fatos Keta, nga të cilët i fundit u ekzekutua paraditen e së enjtes. Shkak për krimin e atëhershëm u bë rrëmbimi i motorit të Konomit, nga vëllai më i vogël i Gazmendit, Taulant Muça. Të arrestuar pas krimit, këta rifituan lirinë në vitin 1997, gjatë kohës së trazirave, ndërsa pas rivendosjes së shtetit, Zyberi dhe Keta ishin eliminuar, ndërsa Konomi nuk u mor sërish nën akuzë. Hasmëritë mes tyre vazhduan edhe disa vite më pas, kur u eliminuan Keta dhe Zyberi, ndërsa mendohet se të afërm të tyre, vranë për hakmarrje edhe Taulant Muçën, djalin tjetër të familjes Muça. Me këtë krim mori fund legjenda e krimit e familjes Muça. Tashmë, Liri Muça jeton në të njëjtën banesë që ka pasur që nga koha e komunizmit, me nuset e dy djemve dhe fëmijët e tyre. fa.ma
Atentati, përcaktohen tri pistat e hetimit
Policia heton hakmarrjen, trafikun e drogës e “gjobat”
TIRANE - Tri pista po hetohen nga policia e kryeqytetit si shkaqe të mundshme për atentatin që i mori jetën Franc Konomit, personazh i njohur në Tiranë që prej viteve 1990. Burimet nga policia pohojnë se ngjarjet e vjetra, duke nisur që nga akuzat që iu bënë për pjesëmarrje në vrasjen e Gazmend Muçës në vitin 1992, janë njëra prej pistave kryesore që po hetohen në lidhje me ngjarjen. Kjo pistë flet për mundësinë që atentati i tri ditëve më parë të ketë qenë një hakmarrje për ngjarjet në të cilat 42-vjeçari ishte implikuar në të shkuarën e tij të largët. Pista e dytë e hetimit është ajo që lidhet me konflikte apo mosmarrëveshje për çështje të trafiqeve të paligjshme. Prej vitesh, Franc Konomi ishte vendosur në Gjermani ndërsa gjurmimet e policisë tregojnë se në mënyrë të vazhdueshme, 42-vjeçari kryente lëvizje Shqipëri-Itali-Spanjë, të cilat janë bërë objekt hetimi për ndonjë aktivitet të paligjshëm në fushën e trafikut të narkotikëve. Përkundër ekzistencës së kësaj piste, në policinë shqiptare nuk ka asnjë dosje në emër të Franc Konomit për një veprimtari të tillë, megjithë informacionet e pa konfirmuara që qarkullojnë në polici. Versioni i tretë i cili po hetohet si shkak i mundshëm i ngjarjes, është eliminimi i Franc Konimit për shkak të disa gjobëvënieve në të cilat dyshohet se ai ishte implikuar gjatë viteve të fundit në Tiranë. Me profilin e një njeriu të fuqishëm, 42-vjeçari besohet se u është imponuar disa biznesmenëve dhe personazheve të njohur në kërkim të shumave të mëdha të parave, deri në 100 mijë euro. Në bashkëpunim me një person tjetër, në vitin 2000 Franc Konomi ishte akuzuar për vendosjen e një gjobe ndaj pronarit të një bingoje, ndërsa u arrestua për këtë akuzë në vitin 2001 e madje kreu edhe dënimin për shtrëngim me dhunë për dhënie të pasurisë. Në funksion të këtyre tri pistave, policia dhe prokuroria thanë se po kryejnë verifikimet e nevojshme ndaj të paktën 20 personave të dyshuar me qëllim zbardhjen e ngjarjes.