E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet Franc Konomi,i ati: Një mik e futi në kurth



Etleva Delia

Dhjetë plumba të derdhur mbi automjetin e tij, i kanë marrë jetën dje në mes të Tiranës, Franc Kon-omit, i fundmi i mbetur gjallë, nga grupet e të “fortëve” të Tiranës të viteve ’90. Personazhi i njohur për policinë, u qëllua me armë në rrugën kryesore mes “Ushtarit të Panjohur” dhe sheshit “Avni Rrustemi”, tek 9-katëshet, ndërsa po nxirrte automjetin e tij nga parkimi në anë të rrugës. Atentati ndodhi në ora 11:40. Franc Konomi, 42 vjeç, sapo kishte dalë nga një lokal aty pranë dhe kishte hipur në makinë, një autoveturë tip Benz me targa të Tiranës. Ndërsa po manovronte me makinën për të dalë në rrugë, Franc Konomi është përballur me një motorr, në të cilin ndodheshin dy persona me skafandra në kokë. Pasi është afruar në krahun e drejtuesit të automjetit, motorri ka ndaluar dhe personi i dytë që ndodhej në të, ka shkrehur armën në drejtim të makinës ku ndodhej Franc Konomi duke qëlluar pesë herë. Instiktivisht 42-vjeçari drejton makinën në ikje, duke tentuar të ecë pas, por motorri e ndjek. Vrasësit qëllojnë edhe pesë herë të tjera ndërsa Franc Konomi merr katër plumba në trup. Menjëherë motorri ndryshon drejtim duke u kthyer pas e duke u ngjitur në drejtim të sheshit “Avni Rrustemi”, e më pas duke u drejtuar në rrugicat që të çojnë në rrugën “Bardhyl”, aty ku dy dhjetëvjeçarë më parë filluan edhe historitë kriminale në të cilat dyshohet se ishte përfshirë edhe viktima e atentatit të djeshëm. Në një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen, Policia e Tiranës tha dje se po heton disa pista të lidhura me precedentët penalë të Franc Konomit, njëri prej të dyshuarve për vrasjen e Gazmend Muçës, ish-i forti i rrugës Bardhyl deri në vitin 1992.
Vrasja “mafioze”
Tri ditë më parë, Franc Konomi ishte kthyer në Shqipëri nga Greqia. Prej kohësh ai jetonte në Gjermani ndërsa javët e fundit kishte udhëtuar për në Greqi ku ndodhej me pushime me disa familjarë të tij. Për shkaqe ende të paqarta, 42-vjeçari ka mbërritur në Tiranë tri ditë më parë. Prania e Franc Konomit në kryeqytet është marrë vesh prej një rrethi të ngushtë miqsh e familjarësh. Për dy ditë me radhë 42-vjeçari ka lëvizur i pa shqetësuar derisa dje, rreth orës 11:00, ka shkuar në një kafe në krah të rrugës kryesore ku ndodhi krimi. Ai ka lënë makinën në krah të mjeteve të parkuara në rrugë dhe ka qëndruar në një lokal në shoqërinë e dy apo tre të njohurve. Më pas është ngritur dhe është drejtuar tek makina. Në këtë kohë, sipas policisë, një motorr i madh i ka zënë rrugën përpara automjetit ku ndodhej viktima. Policia u informua se një person që ndodhej në makinën tip “Mercedez”, me targë TR 0626 S, ishte qëlluar me armë. Pak minuta më pas u konfirmua se shënjestra e atentatit kishte qenë Franc Konomi, emër i njohur prej vitesh për policinë. Mekanizmi i krimit sugjeron se në momentet e para edhe vetë atentatorët kanë qenë të pasigurt, pasi besohet se nga pesë të shtënat e para, asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në objektiv. Ndaj motorri ka ndjekur lëvizjen indietro të makinës së Franc Konomit dhe nga xhami në anën e shoferit është qëlluar edhe pesë herë të tjera. Motorri i zhurmshëm është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa dëshmitarët përshkruajnë se vrasësit kanë qenë në moshë të re. Asnjë detaj më shumë nuk dihet në lidhje me vrasësit, ata kanë qenë të maskuar dhe nuk kanë prekur asgjë në vendin e ngjarjes, por janë larguar duke lënë pas vetëm dhjetë gëzhoja pistolete. Motorri është larguar në drejtim të rrugës “Hoxha Tahsim” dhe ka marrë drejt rrugës “Bardhyl”. Në këtë kohë Franc Konomi luftonte me vdekjen brenda në makinë, të cilës xhami i derës së majtë i ishte thërrmuar si të mos kishte ekzistuar kurrë më parë. Policia mbërrin në vendin e ngjarjes në kohën kur 42-vjeçari ishte në sekondat e fundit të jetës. Franc Konomi gjen vdekjen rrugës për në spital ndërsa mjekëve u mbetet vetëm të konfirmojnë ndarjen e tij nga jeta.

Konomi mbahej në vëzhgim
Një burim i rezervuar nga policia tha se Franc Konomi prej kohësh mbahej në vëzhgim dhe të gjitha hyrje-daljet e tij në Shqipëri, kur vinte nga Gjermania, verifikoheshin me imtësi nga pikat e kalimit kufitar. Me gjithë këtë pretendim, policia mesa duket nuk mundi as këtë herë që të siguronte prova të mjaftueshme për arrestimin e Franc Konimit, pavarësisht ngjarjeve të rënda që i faturoheshin 42-vjeçarit. Vitet e fundit, sipas policisë, Franc Konomi dyshohej se po merrej me çështje droge, por policia nuk mundi ta verifikonte dot një dyshim të tillë për të kërkuar më pas arrestimin e personazhit të njohur për precedentët penalë të tij.

10 PLUMBA
pistolete goditën makinën me të cilën po tentonte të lëvizte Franc Konomi, katër prej tyre e prekën në trup dhe i morën jetën rrugës teksa po shkonte në spital

U arratis nga burgu në 1997 gjatë trazirave
Hesapet e Konomit me drejtësinë, vrasje, gjobëvënie e pengmarrje

TIRANE - Franc Konomi, 42-vjeçari kryeqytetas i ekzekutuar mesditën e djeshme njihet në Tiranë si një nga anëtarët e rrjetit kriminal “Djemtë e Rrugës Bardhyl”. Megjithëse ka pasur një CV të mbushur me precedentë të shumtë kriminalë, Konomi ka përfunduar vetëm dy herë në qeli, në vitin 1992 për vrasje dhe 8 vjet më vonë, në vitin 2000 për gjobëvënie dhe pengmarrje. Më 7 prill të vitit 1992, Konomi së bashku me ish-të fortin e kryeqytetit Naim Zyberi, dhe Fatos Ketën ekzekutuan pas një sherri banal shokun e tyre Gazmend Muça. Viktima Muça, atëherë vetëm 23 vjeç, njihej si një nga të fortët e kryeqytetit. Në lidhje me këtë krim Konomi, së bashku me shokët e tij Zyberi dhe Keta përfunduan në burg, por që rifituan lirinë pas rrëmujave të vitit 1997. Në gusht ’97 Zyberi u ekzekutua në një spital në Milano nga hasmët e tij që e kishin ndjekur nga Tirana, ndërsa Keta u vra një vit më vonë në një atentat të mirëorganizuar. Ndryshe nga këta dy, Konomi mundi të mbijetojë, ndërsa pas rivendosjes së shtetit ndaj tij nuk u ngrit sërish akuza e vrasjes së Muçës, për mungesë provash. Konomi do të bëhej sërish protagonist i botës së krimit në kryeqytet, pasi u prangos për gjobëvënie dhe pengmarrje ndaj një biznesmeni, por që ndërhyrja e policisë bëri që të mbetej në tentativë. Pranimi i fajësisë, dhe sjellja e mirë në burg bëri që ai të kalonte në qeli më pak se dy vjet, nga 5 vite që u dënua nga gjykata. fa.ma.

Babai: Ai që e kërkoi në telefon, çoi në kurth Franc Konomin

Etleva Delia

Kur kthehej në Tiranë, pasi jetonte jashtë Shqipërisë, Franc Konomi parapëlqente të qëndronte në shtëpinë e tij, aty ku tashmë nuk jeton askush. Në atë shtëpi të vjetër përdhese, gati të harruar, muret e të cilës duket sikur mezi qëndrojnë, babai i Francit, Stefan Konomi, vendosi të priste njerëzit për ngushëllim pas vrasjes së djalit. “Edhe pse shtëpia ime është këtu ngjitur, dua që për herë të fundit Franci të dalë nga kjo shtëpi, që e donte shumë”, shprehet mes lotësh babai i 42-vjeçarit të ekzekutuar dje në Tiranë. I përlotur shprehet se ende nuk i beson syve për ato që ka parë në titrat e televizioneve të ndryshme, por nuk harron të fajësojë autoritetet e policisë që vonuan për të dërguar trupin në spital. “Nëse nuk do e kishin lënë gjysmë orë në makinë, të sharruar nga plumbat, mbase tani do ishte gjallë”, thotë Stefani, babai i Franc Konomit. Ai ka dyshimet e tij për të gjithë këtë ngjarje të rëndë që i ndodhi të birit. “Dikush ia ka përgatitur gjithë këtë”, thotë i ati i 42-vjeçarit. Nuk e mohon në asnjë moment që shumë njerëz nuk e donin djalin e tij, por shton edhe faktin që shumë të tjerë i qëndronin pranë, edhe pse ndoshta nuk ishin të sinqertë e madje dikush prej tyre mund t’i ketë bërë kurth. Babai i Franc Konimit ka folur dje në lidhje me ngjarjen.
Si u njoftuat për ngjarjen që i ndodhi djalit tuaj?
E kush mund të më njoftonte. E pashë në televizor dhe ende nuk iu besoj dot syve. Kam ardhur me nxitim në këtë shtëpi, duke shpresuar se Franci do të ishte këtu dhe televizori mund të kishte bërë ndonjë ngatërresë. Por në fakt nuk paska qenë ngatërresë. Ai që u qëllua atje për vdekje, është im bir.
Sa kohë kishte Franc Konomi që ndodhej në Tiranë?
Vetëm 3 ditë kishte që kishte ardhur. Franci jeton prej vitesh në Gjermani, me gruan dhe dy fëmijët, vajzën dhe djalin. Ndërsa para se të vinte këtu ndodhej në Greqi me pushime, ku ishin edhe e ëma dhe dy vëllezërit. Para 3 ditësh erdhi nga Greqia dhe as unë nuk kisha arritur dot të çmallesha me të.
Me çfarë e lidhni ju ngjarjen e sotme dhe a keni ndonjë dyshim konkret?
Ngjarja e sotme dihet se me çfarë është e lidhur dhe nuk kam çfarë të shtoj për të, por dikush e spiunoi tim bir. Patjetër që e keqja sot (dje) do i ketë ardhur nga brenda. Brenda rrethit të atyre njerëzve që i qëndronin si besnikë, por që për mendimin tim nuk ishin të sinqertë dhe unë këtë ia kisha thënë disa herë, po ai nuk më dëgjonte. Dikush e mori në telefon në mëngjes dhe i kërkoi ta takonte. Më thanë që ai kishte pirë një kafe me dikë, tek një lokal këtu në lagje pranë shtëpisë dhe sapo është ndarë nga ai, shkoi në atë vend, ku edhe e vranë.

Franc Konomi, “miti” i të fortit të Tiranës

TIRANE - Kur u arrestua në fund të dhjetorit 2001, me akuzën për gjobëvënie një biznesmeni, emri i Franc Konomit, të ekzekutuarit të djeshëm, u risoll në mendjen e shqiptarëve me përmasat e emrit të një personazhi mitik. Edhe pse jo shumë i lakuar në kronikat e zeza, edhe pse pothuaj pa asnjë rekord kriminal të njohur në të dhënat operative të viteve të fundit të policisë, emri i tij renditej mes emrave të frikshëm të keqbërësve më të mëdhenj të njohur të Tiranës. Dhe kjo vetëm për shkak të një ngjarjeje të vetme. Të akuzës se ishte një prej ekzekutorëve të Gazmend Muçës, një tjetër emri legjendar të krimit, vrasja e të cilit, më 7 prill 1992, cilësohet edhe si e para e një seriali të gjatë krimesh mes grupeve rivale në kryeqytet.
Të vrisje Gaz Muçën
Përpara se të ishte në të njëjtën makinë me ekzekutorët e Gazmend Muçës, duke tërhequr këmbëzën, ose jo, apo thjesht si organizator i këtij atentati, Franc Konomin, në Tiranë, mbase e njihnin vetëm për pasionin e tij ndaj motoçikletave. Nga ana tjetër, Gazmend Muça, apo Gaz Muça, siç njihej, me bëmat e tij kishte mundur të bënte emër në gjithë vendin. Ai ishte bërë i famshëm fillimisht në vitin 1991 nga mediat italiane gjatë protestës së rreth 20 mijë emigrantëve shqiptarë, të mbyllur pas eksodit të dytë me anije, në stadiumin e futbollit të qytetit të Barit. Të dhëna jo shumë të konfirmuara flisnin për aksione dhune të tij dhe miqve të tij, të përfshirë në një grupim, jo vetëm ndaj policisë italiane, por edhe ndaj bashkatdhetarëve. Fama e keqe e ndjek Gaz Muçën edhe pas kthimit në Tiranë, më 1992. Ku ai riorganizon grupin e vet dhe shpejt bëhet i njohur në gjithë vendin si njeri që nuk ta përtonte plumbin. Për çudi fama e tij përhapet aq shumë, sa edhe një kushëri i largët mund të bënte shantazh e të përfitonte duke përmendur emrin e tij. Pak kohë para se të vritej, ai ishte shndërruar në një shqetësim krejt serioz për policinë. Një fenomen që duket detyroi deputetin e PD-së, Azem Hajdari, ti përmendë emrin në Parlament duke thënë pak a shumë: “Pse nuk arrestohet Gaz Muça, që ka vrarë disa njerëz?”.
Pas ekzekutimit të Gaz Muçës, më 7 prill 1992, te vendi i quajtur “Xhamlliku”, në Tiranë, pati edhe një zhvillim pak të lexueshëm. U mbyll një gazetë e përditshme që lajmëroi se në numrin tjetër do të publikonte përse e vranë Gazmend Muçën.
Pas vrasjes, me shpejtësinë më të madhe opinioni mësoi edhe emrat e ekzekutorëve që ishin të paktën dy, Franc Konomi dhe Naim Zyberi. I pari kishte vepruar vetëm sepse Taulant Muça, i vëllai i Gaz Muçës, e kishte fyer, ndërsa i dyti vetëm për shoqëri. Gjithsesi kaq mjaftoi që emri i Franc Konomit të kapte përmasat e një emri mitik. fe.de

Policia shoqëron dëshmitarët
Menjëherë pas vrasjes së 42-vjeçarit, Franc Konomi, oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit dhe të Komisariatit nr.1 kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe kanë bllokuar të gjitha lëvizjet përgjatë rrugës që lidh “Ushtarin e Panjohur” me sheshin “Avni Rustemi”. Në polici janë shoqëruar dhjetëra persona, dëshmitarë të ngjarjes dhe persona që kanë dijeni rreth ngjarjes, në mënyrë që të japin sa më shumë ndihmë për zbardhjen e ngjarjes.

Emigrimi në Gjermani
Prej rreth shtatë vitesh, Franc Konomi ishte larguar nga Tirana dhe bashkë me familjen, gruan, vajzën 15-vjeçare dhe djalin 13 vjeç, jetonin në Gjermani. Ai kishte arritur të ndërtonte jetën atje, për të harruar edhe ato çfarë kishin ndodhur vite më parë në Shqipëri. Por herë pas herë udhëtonte drejt Tiranës, për të takuar babanë, nënën dhe dy vëllezërit, por edhe miqtë e tij më të ngushtë. Në këto lëvizje mësohet se 42-vjeçari tregohej i kujdesshëm, për të shmangur ndonjë ngjarje të papritur.

Policia: Në vendngjarje u gjetën gjurmë

Drejtoria e Policisë së Tiranës në një deklaratë lidhur me vrasjen e Franc Konimit, pohoi dje se në vendin e vrasjes janë gjetur gjurmë të vlefshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Megjithatë dëshmitarët kanë dhënë vetëm një përshkrim të përgjithshëm, sipas të cilit, vrasësit kanë qenë në moshë të re, por skafandrat në kokën e tyre duket se kanë maskuar fare mirë identitetin e vrasësve të 42-vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›