FMN paralajmëron: Do përfundoni si Greqia
Deputetët e vjetër të Komisionit të Ekonomisë, ndoshta kanë ngelur të habitur nga diskutimi me FMN. Edhe pse me dyer të mbyllura, disa prej tyre i pohuan gazetës, se përfaqësuesit e Fondit i kishin hequr dorezat, teksa paralajmëruan se në rast mos rishikimi të parametrave të buxhetit, në një periudhë afatmesme, kriza buxhetore shqiptare mund të jetë njësoj si ajo e Greqisë. Dhe argumentet që FMN dha dje para deputetëve, edhe pse me dyer të mbyllura, kanë bërë një jehonë jo pak të frikshme.
Synimi kryesor i "kontrollit" financiar të Fondit, janë parametrat makro të ekonomisë. Sipas përfaqësuesve të FMN, shkurtimi i buxhetit të shtetit, që ka votuar para dy ditësh Qeveria, nuk është real. Kështu, FMN parashikon se është shumë optimiste, që në krahasim me vitin 2009, edhe pse të shkurtuara, të ardhurat të jenë sërish 10 për qind më të larta. Qeveria vendosi të shkurtojë 163 milionë USD nga të ardhurat tatimore, por sërish vlera e tyre për FMN është shumë optimiste. Për këtë arsye, FMN parashikon që ky shkurtim nuk do të jetë real, dhe në fund të vitit sërish deficiti buxhetor do të jetë rreth 6 për qind e GDP. Qeveria në buxhetin e rishikuar parashikon uljen e deficitit në 3.1 për qind të GDP. Me pak fjalë, FMN parashikon që të ardhurat nuk do të jenë sa parashikimi i Qeverisë dhe kjo e fundit do detyrohet të rrisë borxhin. Këtu është edhe pika tjetër, ku FMN është skeptike. Qeveria parashikon që ta ulë borxhin publik në 54 për qind të GDP deri në vitin 2013. Në fakt, buxheti i ri e parashikon atë në 59.5 për qind. Pra shumë larg parashikimit. Por më të rëndë situatën e bën edhe maturimi i borxhit. Sipas Ministrisë së Financave, treguesi i riskut të borxhit, gjatë vitit 2010 është përkeqësuar. Kështu afati i maturimit është 382 ditë, nga 406 ditë që ishte një vit më parë. Pra, borxhi që po merr Qeveria është afatshkurtër, dhe me risk të lartë për buxhetin, që duhet të gjejë paratë për shlyerjen e tij. Këtu, përfaqësuesit e fondit kanë përmendur edhe bonon në euro, me afat 9 mujor, që sipas tyre është shumë e shkurtër. Një tjetër parametër që tregon qartë krizën e financave, është deficiti i llogarisë korente. FMN, në takimin me deputetët i mëshoi shumë faktit që ky deficit po përkeqësohet. Sipas burimeve, FMN theksoi se vlera e deficitit është më e larta e të gjithë rajonit. Më e keqja është se kjo vlerë, sipas saj, duke parë edhe kushtet ekonomike të Greqisë apo Italisë, pritet të përkeqësohet edhe më tej. Përfaqësuesit e FMN parashikojnë më pak të ardhura nga emigrantët dhe më pak investime nga jashtë. Gjë që do të thellojë edhe më shumë këtë deficit dhe do të përkeqësojë edhe më shumë situatën financiare. Për këtë arsye, fondi këshilloi që të gjenden burime financimi të deficitit nga jashtë vendit. Një ndër këto ishte eurobondi, por duket se parametrat fiskalë të buxhetit dhe situata ndërkombëtare, e bënë të pamundur për këtë vit. "Deficiti i llogarisë korente arriti 15% në 2009, një nivel përtej burimeve të parashikuara të ardhme të financimit. Këto prirje rrezikojnë të kufizojnë hapësirën për investime private dhe qëndrueshmërinë e borxhit", theksoi FMN vetëm tre muaj më parë. Dje përfaqësuesit e fondit, treguan se kjo situatë nuk është përmirësuar, më keq akoma deficiti është më i larti në rajon. Këto arsye, e bëjnë të besueshme, deklaratën e përsëritur të FMN, se në një periudhë afatmesme, Shqipëria mund të jetë Greqia tjetër e Ballkanit. Megjithatë, FMN, të paktën vlerësoi se ekonomia reale ka rritje dhe është optimiste. Një lajm i mirë ky për shqiptarët, të paktën deri në vërtetimin ose jo të tezave të FMN.