E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përzgjidhet pacientja e dytë që do bëjë ndërhyrjen

10/04/2009  Transplanti i veshkës

Përzgjidhet pacientja e dytë që do t’i nënshtrohet transplantim të veshkës në mbyllje të muajit prill në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Vajza 21-vjeçare që do t’i nënshtrohet ndërhyrjes do të ketë dhuruese nënën e saj, me të cilën ngjashmëria e organit ka rezultuar të jetë në parametrat e kërkuar. Drejtori i përgjithshëm për palën shqiptare në programin “Interreg-3”, që mundëson dhe realizimin e ndërhyrjeve Bardhi Spahia ka pohuar gjatë ditës së djeshme se “deri tani kemi 4 çifte, prej të cilëve njëri është ai që ka probabilitetin më të madh për të bërë transplantin e dytë në Shqipëri. Bëhet fjalë për një vajzë 21-vjeçe, ku donatore e veshkës do të jetë nëna e saj. Besoj ai do të jetë edhe çifti i dytë i përzgjedhur”, - ka deklaruar Spahia. Edhe kësaj radhe ndërhyrja do të realizohet me ndihmën e mjekëve të specializuar italianë. Aktualisht pacientja e parë që iu nënshtrua transplantim është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka lënë spitalin. “Nga fundi i muajit prill ose në fillim të muajit maj do të bëjmë të mundur realizimin e ndërhyrjes së dytë. Gjithsesi, puna nuk do të ndalojë këtu, ne shpresojmë të arrijmë rreth 15 transplante në vit”, - tha Spahia. Përfituesit do të jenë pacientët që kanë humbur tërësisht funksionin e organit të veshkës, duke shfaqur probleme serioze me shëndetin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›