E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja te PDK, akuza mes Ndokës e Gurakuqit

Sulmet mes dy krerëve të PDK-së, Nard Ndoka dhe Anton Gurakuqi, janë rikthyer sërish pas një "paqe" prej disa javësh. 

Kreu i PDK-së, i cili është edhe ministër i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka deklaruar dje nga qyteti i Shkodrës, teksa ndodhej me zyrtarë të lartë të UDC-së italiane, se dy zv.ministrat Anton Gurakuqi dhe Zef Bushati u përdorën për të përçarë PDK-në. "Ishte një plan i bërë për të krijuar incidente brenda Partisë Demokristiane. Për këtë u përdoren zëvendësministra, por që nuk ia arritën dot qëllimit. Arsyeja që u hartua ky skenar për Partinë Demokristiane është fakti se ajo është një parti në rritje dhe që në zgjedhjet e ardhshme synon të trefishojmë rezultatet. Ata që u munduan të dëmtonin Partinë Demokristiane, tashmë janë ushqim për peshqit", deklaroi Ndoka. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë dje edhe reagimi i Anton Gurakuqit, i cili mban edhe postin e zv.ministrit të Jashtëm. "Nard Ndoka ka shkelur parimet demokristiane. Ne i kërkojmë Kryeministrit Sali Berisha që të shkarkojë Ndokën nga posti i ministrit të Shëndetësisë, pasi ai nuk përfaqëson më Partinë Demokristiane", ka deklaruar Gurakuqi. Prej kohësh Kryeministri Berisha ka në tryezë dy kërkesa, një të Ndokës për shkarkimin e dy zv.ministrave Gurakuqi e Bushati dhe një kërkesë të Gurakuqit për shkarkimin e Ndokës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›