E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi e Bogdani komentojnë raportin sipas pozicionit të tyre

Partia Demokratike përshëndet raportin e Bankës Botërore për qeverisjen. 

Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, tha në një konferencë për shtyp se raporti i këtij institucioni është tregues i qeverisjes së mirë në drejtim të zhvillimit dhe shërben si monitorues për performancën e qeverisjes. "Indikatorët e qeverisjes së mirë, të cilët në këtë raport përfshijnë zërin dhe përgjegjshmërinë, stabilititetin politik, efektivitetin e qeverisjes, cilësitë rregullatore, shtetin ligjor dhe kontrollin e korrupsionit. Ky raport i Bankës Botërore tregon se qeverisja në Shqipëri ka pasur rritje në secilin prej indikatorëve dhe është duke bërë progres të rëndësishëm, sidomos në kontrollin e korrupsionit dhe në efektivitetin e qeverisjes", theksoi dje zëdhënësi i PD-së. Sipas Gerti Bogdanit, "po të krahasohen vlerat e indikatorëve mes viteve, vihet re qartë trendi pozitiv i rritjes së tyre, nga viti në vit, dhe sidomos në krahasim me qeverisjen e mëparshme. Kështu, në krahasim me qeverisjen e vitit 2004, 2005 rritja në këto indikatorë është deri në rendet +10. Ky është një tregues i qartë i punës së qeverisë dhe arritjeve të saj në përmbushjen e një sërë objektivash, duke përfshirë këtu edhe prioritetet si lufta ndaj korrupsionit, vendosja e shtetit ligjor dhe rritja e efikasitetit të qeverisë". Ndërsa Partia Socialiste e konsideroi shqetësues raportin e Bankës Botërore në lidhje me zhvillimet në vend. Sekretari organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Klosi, ka denoncuar demagogjinë e qeverisë. "Duke marrë shkas nga raporti i fundit i Bankës Botërore, raport që Partia Socialiste gjykon se pasqyron në mënyrë realiste situatën aktuale në Shqipëri, ne shprehim shqetësimin e vazhdueshëm se qeveria aktuale dhe maxhoranca qeverisëse në vend që të përqendrohen në realizimin e reformave konkrete në këto fusha, përdor demagogjinë për të mbuluar këtë hendek të identifikuar qartë në raportet e institucioneve prestigjioze të lartpërmendura", tha Klosi. Sipas tij, shteti i së drejtës mbetet problematik dhe në raportin e Bankës Botërore. "Dëshirojmë të veçojmë faktin se në vlerësimin që i bëhet Shqipërisë sa i përket stabilitetit politik, falë politikës konsensuale dhe mbështetëse për reformat madhore të vendit që ka ofruar opozita e sotme, Shqipëria vlerësohet më pozitivisht, ndonëse edhe këtu "mbetet shumë më mbrapa se mesatarja rajonale e Evropës Lindore dhe Balltikut", tha Klosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›