E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, Topalli, mbështetje te gratë dhe të rinjtë



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi dje qytetin e Durrësit, ku u prit nga mijëra gra dhe të rinj në pallatin e sportit të qytetit. Përpara banorëve durrsakë, Topalli kërkoi mbështetjen e tyre për një Shqipëri më të begatë. Ajo tha se sot ne gëzojmë të gjithë NATO-n dhe sigurinë e saj. “Ne gratë, ne nënat, me hyrjen e Shqipërisë në NATO, në këtë aleancë të madhe të lirisë, ndihemi më të forta. Ndihemi më të forta, jo thjesht për ne sesa për fëmijët tanë, ndihemi më të sigurta dhe më dinjitoze, jo thjesht për ne sesa për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë”, - tha Topalli. Ajo tha më tej se qeveria aktuale ka mbajtur premtimet e dhëna në vitin 2005, duke dhënë garanci përpara elektoratit. Duke qëndruar tek reforma në shëndetësi, Topalli tha se Durrësi ka sot një spital modern, si dhe premtoi një reformë të thellë në këtë sektor në mbarë vendin. “Përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore do të thotë rritje e cilësisë së shërbimit për qytetarët. Kjo është edhe arsyeja përse ne kemi vendosur që reforma e plotë në shëndetësi të jetë prioriteti ynë kryesor, gjatë mandatit të ardhshëm, duke dëshmuar se vëmendja jonë është te ju dhe te shëndeti juaj”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit. Gratë durrsake shprehën vlerësimin për ngjarjen historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si një mesazh shprese, inkurajimi dhe mbështetjes ndaj reformave të mazhorancës së djathtë. Kryetarja e Kuvendit, duke iu drejtuar mijëra grave e studente durrsake, u shprehu atyre mirënjohjen për besimin që ato dhe gjithë gratë shqiptare i dhanë rrugëtimit të vështirë të ndryshimit të Shqipërisë, reformave në ngjitjen e vendit tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›