E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, hapet Ambasada Shqiptare në selinë e NATO-s



Nuk ka humbur kohë qeveria shqiptare, por fill pas anëtarësimit në NATO, ka marrë vendimin për ngritjen e përfaqësisë diplomatike në Bruksel, ku është edhe selia rezidente e kësaj organizate. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos që misioni diplomatik pranë NATO-s të kthehet në përfaqësi diplomatike të përhershme. Në mbështetje të ligjit “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi që fjala “Misioni” zëvendësohet me “Përfaqësia e përhershme” dhe më tej, fjala “Ambasadori” zëvendësohet me “Përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Atlantikut të Veriut”. Kështu që nga sot, Shqipëria do të jetë e përfaqësuar diplomatikisht njësoj si vendet e tjera anëtare të kësaj Aleance. Si pasojë e këtij vendimi, do të ketë rritje të personelit diplomatik në Bruksel, gjë që është më se normale në kushtet e një vendi anëtar. Deri më tani ne jemi përfaqësuar me një ambasador, aktualisht ai është Artur Kuko, i cili po e mban këtë detyrë prej shumë vitesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›