Organizim në fshatra për pajisjen me karta identiteti
Kur kanë mbetur dhe pak më shumë se dy muaj nga zgjedhjet parlamentare, qeveria ka vendosur të marrë masa të reja për të pajisur qytetarët me karta identiteti, të domosdoshme për votimin. Vëmendja është fokusuar tek zonat rurale, që përbëjnë dhe përqindjen më të madhe të popullsisë. Banorët e fshatrave do të organizohen nga komunat me transport falas drejt qendrave të aplikimit, për të bërë kartat e identitetit. Ndërkohë për masa të tjera të ngjashme do të punojë një Task-Forcë e ngritur nga qeveria për këtë qëllim. Këtë vendim e bëri të ditur para mbledhjes së djeshme të qeverisë Kryeministri Berisha, i cili tha se kjo Task-Forcë ngrihet për përshpejtimin e mëtejshëm të procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik. “Task-Forca do të parashikojë lehtësi për transportin e organizuar të banorëve të fshatrave, që ndodhen larg nga qendra e komunës”, - tha ai. Gjithashtu, Kryeministri informoi se qendrat e aplikimit do të funksionojnë edhe në ditët e shtuna dhe të diela.
Kryeministri Berisha njoftoi dje në mbledhjen e qeverisë, krijimin e një Task-Force për përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik. “Procesi po ecën me ritme të shpejta, por, për ta përshpejtuar më tej, sot do të krijohet një Task-Forcë, e kryesuar nga zëvendëskryeministri”, - u shpreh Kryeministri. Ai e ka cilësuar si një hap cilësor qëndrimin hapur në fundjavë të qendrave të aplikimit për të përballuar aplikimet. “Tani që qendrat e aplikimit fillojnë aktivitetin edhe në ditët e shtuna dhe të diela, kërkon që edhe kryetarët e komunave, këshillat e komunave të përcaktojnë edhe krijimin e lehtësirave të transportit, me autobusë, apo me mikrobusë kur janë lagje të shkëputura, në mënyrë që t’i krijojmë lehtësi çdo qytetari shqiptar, i cili do të marrë pjesë në votime, të aplikojë”, - vlerësoi shefi i qeverisë. Në kuadër të lehtësimit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik, Kryeministri Berisha tha se edhe komuniteti rom, që është shtresa më e varfër, do ta marrë letërnjoftimin elektronik njëlloj si kategoria e paraplegjikëve dhe të verbërve.
Apeli
Por nuk mjaftojnë vetëm masat lehtësuese për të përshpejtuar procesin e pajisjes me karta, ndaj Kryeministri Berisha u ka bërë apel qytetarëve shqiptarë që të pajisjen me letërnjoftimin elektronik, një dokument tepër i rëndësishëm për një infrastrukturë moderne për zgjedhjet. “Shfrytëzoj rastin t’u bëj edhe një herë thirrje qytetarëve shqiptarë që, më shumë se në çdo rast tjetër, duke marrë letërnjoftimet, kanë mundësi të dëshmojnë të gjithë peshën dhe rolin e tyre në dy drejtime jashtëzakonisht të rëndësishme për ta, për fëmijët e tyre dhe vendin në tërësi. Drejtimi i parë është pjesëmarrja në votime me dokumentet më të sigurta të identitetit dhe dëshmia para 28 vendeve anëtare të NATO-s, para 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, para të gjithë miqve tanë, të atyre që vendosën një besim të paprecedentë mbi ne, shqiptarët dhe Shqipërinë, të dëshmojmë se këto zgjedhje do t’i bëjmë të standardeve më të mira dhe çdo qytetar, duke marrë letërnjoftimin, firmos për një infrastrukturë moderne të zgjedhjeve të ardhshme”, - u shpreh Kryeministri Berisha.