Flamuri i NATO-s ngrihet në Tiranë
Dje në orën 11:00 u zhvillua në selinë e Këshillit të Ministrave, në prezencë të Kryeministrit Berisha dhe anëtarëve të qeverisë, ceremonia e ngritjes së flamurit të NATO-s në Shqipëri. Duke folur me këtë rast, Kryeministri Berisha ka risjellë në vëmendje deklaratat e ditëve të fundit, duke treguar rëndësinë e anëtarësimit të vendit tonë në këtë Aleancë. “Në këtë ditë, të zotohemi se qeveria e këtij vendi, institucionet, shoqëria shqiptare, shqiptarët kudo që janë, do të konsolidojnë me vendosmëri vlerat e mëdha që Aleanca ka mbrojtur, parimet e mëdha mbi të cilat Aleanca është ngritur e ndërtuar. Le të zotohemi se për t’iu përgjigjur kërkesave të saj, do të votojmë çdo ligj, do të marrim çdo vendim, do të programojmë çdo reformë dhe ne, shqiptarët, gjithnjë do të ndodhemi në lartësitë e flamurit tonë kombëtar, në lartësitë e flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë”, - tha kreu i qeverisë. Ai ka vlerësuar rolin e ushtarëve të Forcave të Armatosura shqiptare që janë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Çad etj. Duke vënë në dukje vlerat e NATO-s, Berisha tha se “ne, qytetarët shqiptarë, por edhe të të gjitha diktaturave të tjera ish-komuniste, i detyrojmë shembjen e sistemit, çlirimin nga barbaritë e tij, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Por, në dallim nga mbarë popujt e tjerë, për ne, flamuri i NATO-s, krahas flamurit kombëtar, është flamuri i shenjtë i shqiptarëve”. Më tej, ai ka përmendur ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, gjë që bëri të mundjen zmbrapsjen e ushtrisë serbe. Berisha vërejti se “ky ishte flamuri, i cili, 10 vite më parë, çliroi së bashku me flamurin kombëtar, 2 milionë shqiptarët që po përjetonin barbaritë, mizoritë më të egra në Kosovë”.