E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, Topi dekreton ndryshimet në ligj



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje ndryshimin në ligjin e legalizimeve. Ndonëse i kontestuar nga opozita, kreu i shtetit u tha “po” ndryshimeve në ligj, të miratuara vetëm me votat e mazhorancës në Kuvend. Ndryshimet në ligjin e legalizimeve konsistojnë në përshpejtimin e procesit të dokumentacionit, duke i lënë vetëm pak kohë afat bashkive dhe komunave të veprojnë. Sipas ndryshimeve, në momentin që pushteti lokal nuk vepron në bazë të kërkesave të Agjencisë së Legalizimeve, atëherë ALUIZNI ndërhyn duke bërë punën me specialistët e vetë. Kjo pjesë u cilësua si shkelje e kompetencave të pushtetit lokal nga ana e opozitës. Nenet në fjalë u kthyen nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa mazhoranca amendoi nenet, duke vendosur kushtet për pushtetin lokal. Sipas mazhorancës, pushtetit lokal nuk i preken kompetencat, por i vendoset një kusht për moszvarritjen e procesit.

E njëjta pikë ishte edhe në ndryshimet e para të ligjit të legalizimeve dhe kreu i shtetit e ktheu atë ligj, madje duke shënuar në pjesën shpjeguese në dekret se mund të preken kompetencat e vendorëve. Kësaj here, Topi duket se ka mbështetur mazhorancën. Presidenti dekretoi edhe ligjin “Për sigurimin e depozitave” si dhe disa ndryshime në ligjin e legalizimeve.

Ekspertët e ALUIZNI-t thonë se me këto ndryshime përshpejtohet procesi i legalizimit të ndërtimeve informale. Nga ana tjetër, bashkitë dhe komunat do të përfitojnë të gjitha tarifat e tyre nga procesi. Pas miratimit të ndërtimit që bën ALUIZNI, nis menjëherë procesi për regjistrimin e plotë të objektit. ALUIZNI ka përcaktuar tre formularë, të cilët duhet të plotësohen nga pronarët e ndërtimeve pa leje, pas miratimit të ndërtimit. Pagesa për plotësimin e tyre do të kushtojë 4 mijë lekë të reja, që banorët do të paguajnë, nëse duhet të përfshihen në procesin e pagesës së banesave. Formulari i parë është i lidhur me tarifën e shërbimit për legalizim. Kjo vlerë që paguhet, është e pandryshueshme, pavarësisht nga sipërfaqja e ndërtimit, numrit të kateve apo destinacionit të përdorimit të objektit apo shtesës informale. Formulari i penaliteteve parashikon pagesa për ato familje që kanë bërë shtesa të tjera, duke bërë që kjo shumë të llogaritet nga ALUIZNI. Likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes, brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e penalitetit për legalizim. Ndërsa për subjektet apo dhe shoqëritë ndërtuese, të cilat kanë paguar sanksione të mëparshme për shkelje të lejes së ndërtimit, nga vlera totale do të zbritet vlera e paguar më parë. Taksa tjetër, që do të përfshihet në një formular të veçantë, është ajo e ndikimit në infrastrukturë. Afati për pagimin e kësaj takse është 30-ditor. Sipas ligjit, ndërtimet jashtë vijës së verdhë do të paguajnë maksimumi deri në 400 mijë lekë. ALUIZNI ka përcaktuar se ata qytetarë që do të paguajnë brenda 1 viti vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, do të kenë 10 për qind ulje në çmim, ndërsa ata që do ta paguajnë menjëherë vlerën, do të kenë një zbritje 20 për qind të çmimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›