Durrës; Ulja e çmimeve në bursë mbush portin me skrap hekuri
Ulja e ndjeshme e çmimeve në bursat ndërkombëtare duket se ka pasur ndikimin e saj edhe në tregun e hekurishteve. Skrapi si dhe anije të copëtuara të lëna përgjysmë, kanë mbushur prej disa javësh mjediset e zonës lindore të portit detar të Durrësit. Kriza ekonomike ka prekur edhe këtë artikull, i cili deri vonë zinte vendin e parë në kolonën e eksporteve dhe mbante të punësuar një rrjet të madh punëtorësh. Një situatë e tillë ka bllokuar, edhe pse përkohësisht, grumbullues të vegjël skrapi, shoferë e saldatorë, pasi tregtarët e mëdhenj nuk kanë asnjë leverdi që të merren me këtë biznes për shkak të çmimit fare të ulët me të cilin blihet ky artikull në tregjet e huaja. Sipas statistikave më të fundit, rezulton se çmimi i skrapit i krahasuar me atë një viti më parë, është ulur mesatarisht me 450 dollarë toni. Ndërsa i krahasuar me 3 apo 4 muaj të shkuara, ulja ka qenë 150 dollarë për ton. Biznesmenët e mëdhenj nga ana e tyre kanë ulur edhe ata çmimin e blerjes së skrapit nga grumbulluesit e vegjël të cilët vijnë në Durrës nga të katër anët e vendit. Punonjës të agjencive detare, të cilët merren me përpunimin e anijeve të mallrave, deklaruan dje për “standard” se “gjatë katër muajve të fundit çmimi i skrapit në bursë ka pësuar ulje të ndjeshme, ndërsa me një vit më parë, ulja është drastike. Sot një ton skrap shitet me 175 dollarë deri 180 dollarë toni e po të llogaritet edhe vlera e transportit, arrin në 200 dollarë toni”. Ndërkohë që në kohën më të mirë 1 ton skrap i cilësisë ekstra shitej me 650 dollarë toni. Por edhe tregtarët vendas e grumbullojnë skrapin me 120 dollarë tonin. Ata shprehen se “nëse në shitjen që kryejmë jashtë vendit do të llogariten vlera e transportit si dhe tarifat e shërbimeve, norma e fitimit prej këtij biznesi është aq e ulët, saqë nuk ia vlen të merresh fare me të”. Në këto kushte puna në këtë sektor ka rënë në nivele fare ta ulëta. Në port, pamjet e masivit me skrap si dhe të anijeve gjysmë të copëtuara e të lëna në mes për shkak të luhatjes së ndjeshme të çmimit të skrapit, janë një gjë e zakonshme.